Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka akuzuar për dështim Qeverinë Kurti pas paralajmërimit të kompanisë furnizuese KESCO, sipas të cilit konsumi i brendshëm i energjisë elektrike do të mbulohet tërësisht nga importi duke nisur nga nesër.
Sipas tij, kjo situatë është pasojë direkte e dështimit të Qeverisë së Albin Kurtit për të garantuar sigurinë energjetike në vend.
“Paralajmërimi nga KESCO është një tregues alarmues i gjendjes në sektorin energjetik dhe pasojë e qartë e dështimit të Qeverisë Kurti. Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë të ndërtuar për prodhim vendor, por sot qytetarët, përveç çmimeve të larta, po përballen edhe me rrezikun e reduktimeve të energjisë, pa asnjë transparencë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai shtoi se një situatë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë që nga përfundimi i luftës dhe kërkoi përgjigje të menjëhershme nga ekzekutivi për, siç tha ai, dështimin e prodhimit të energjisë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Në reagimin e tij, lideri i PDK-së ngriti disa pyetje për të cilat kërkoi përgjigje publike.
“Pse KEK-u nuk po arrin të prodhojë energji?
Cilat janë arsyet e degradimit të kësaj ndërmarrjeje strategjike?
A është kjo gjendje rezultat i një sabotimi të qëllimshëm?
A ka përfshirje të “mafias energjetike” dhe ndërmjetësve në tregtinë me energji?
Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë?”, shkroi tutje ai.
Sipas Krasniqit, kriza energjetike është çështje e sigurisë kombëtare dhe nuk mund të trajtohet me arsyetime. Ai kërkoi veprime urgjente nga qeveria në detyrë për të qartësuar situatën dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm për qytetarët.
Pas paralajmërimit të KESCO-s, më vonë reagoi KEK-u, duke mohuar se ka kolaps prodhimi.