Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka fajësuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim të sektorit të energjisë, pas reduktimeve të rrymës ditët e fundit.
Mustafa, në një konferencë për media, theksoi se barra po u bie familjeve dhe bizneseve të cilët nuk po kanë siguri energjetike.
“Kosova sot po përballet me një krizë serioze energjetike, të shoqëruar me reduktime të shpeshta të energjisë elektrike në të gjithë territorin e saj. Është tërësisht e papranueshme që qytetarët e Kosovës të përballen me errësirë, mungesë të ngrohjes dhe pasiguri të madhe në dimër, në kohën kur nevoja për energji elektrike është më e madhe se kurrë, e kur siguria dhe stabiliteti janë jetike. Kjo krizë nuk ka ardhur rastësisht. Kjo krizë është pasojë direkte e një keqmenaxhimi pesëvjeçar, të papërgjegjshëm dhe pa vizion, të sektorit të energjisë nga kjo Qeveri”, ka thënë ai.
Mustafa ka shtuar se Kosova është detyruar të rrisë ndjeshëm importin e energjisë, me çmime jashtëzakonisht të larta. Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës të marrë veprime të menjëhershme për tejkalimin e krizës.
“Kërkojmë masa emergjente për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, transparencë të plotë për kontratat e importit dhe prezantimin e një plani të qartë, serioz dhe të besueshëm për garantimin e sigurisë energjetike të vendit. Është po ashtu e shqetësuese dhe e papranueshme që një sektor që për pesë vite me radhë është shoqëruar me afera dhe skandale të njëpasnjëshme, me dyshime serioze për korrupsion të madh, të mos përballet asnjëherë me llogaridhënie, por ta gëzojë vazhdimisht mbrojtjen politike të Qeverisë”, shtoi ai.
Mustafa paralajmëroi se me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, PDK do të kërkojë themelimin e një komisioni të ri parlamentar për hetimin e të gjitha aferave, dyshimeve për keqpërdorime dhe keqmenaxhimit të sektorit të energjisë gjatë viteve të fundit.
“Qëllimi ynë është i qartë: zbardhja e të vërtetës, përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe institucionale, dhe garantimi i transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Kosovës. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, kompetencë dhe vizion. Qytetarët meritojnë ngrohje në këto ditë të ftohta dhe siguri në furnizim, jo kriza të pafundme dhe justifikime boshe”, theksoi ai.