Sektori i energjisë është në gjendje të jashtëzakonshme e të rënduar sipas vlerësimit të opozitës që u dha në seancën e jashtëzakonshme, të thirrur nga ta për të debatuar mbi këtë fushë. Debati disa orësh u përcoll me përplasje verbale e tensione mes pushtetit e deputetëve të opozitës
Deputetët opozitarë që ftuan debat të jashtëzakonshëm parlamentar për të diskutuar për energjinë elektrike, e kanë akuzuar Vetëvendosjen për dallavere në këtë sektor.
Në emër të PDK-së, deputeti Ferat Shala, ka thënë se prej kur Vetëvendosje ka marrë mandatin, Kosova është varur nga importi në sektorin e energjisë, ka pasur tri herë rritje të çmimit e dhjetëra afera e aktakuza për korrupsion.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Po kërkojmë të ndërpritet keqmenaxhimi i këtij sektori, keqmenaxhimi i kontratave njëburimore. Të ndërpritet presioni dhe ndërhyrja mbi organet e pavarura siç është rregullatori dhe të tjera. PDK qëndron e hapur për idenë e debatit që të kemi një raport auditimi të detajuar mbi sektorin”, ka thënë Shala.
Më i ashpër ishte kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, sipas tij, kryeministri Albin Kurti me grupin e tij i ka bërë dëmin më të madh Kosovës duke anuluar projektin e termocentralit prej 500 megavatësh, dhe kësisoj, sipas tij, Kosova i është dorëzuar mafisë energjetike.
“Rreth tyre janë grumbulluar mafia energjetike e Ballkanit, e të cilën e dominojnë serbët. Këtë e dinë të gjithë në këtë sallë. Dhe ata bashkë me njerëzit e afërt të Kurtit, lidhja e shkurtër, Dejona Mihali. Krijojnë kompani çdo dy javë”, ka thënë Haradinaj.
E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i ka quajtur të pavërteta deklaratat e opozitës.
Ajo ka thënë se çmimi i energjisë në Kosovë është më i ulëti në rajon dhe investimet që janë bërë gjatë qeverisë Kurti nuk janë bërë për më shumë se 40 vjet.
“Prodhimi i KEK-ut keni thënë është ulë me qëllim për të importuar por të dhënat 2021-2025 ka qenë veç 1 për qind më i ulët se në pesëvjeçarin e kaluar. Dhe kjo ka qenë për shkak të investimeve që s’janë bërë kurrë. Me të gjitha këto investime kemi pasur një rritje të përkohshme por që e ardhmja do të jetë më e sigurt në 20 vjetët e ardhshme si rrjedhojë e këtyre investimeve”, ka deklaruar Rizvanolli.
Rizvanolli pati një përplasje edhe me deputeten e LDK-së, Janina Ymeri, së cilës ia kontestoi njohuritë.
“Ku mund të jetë një sektor i pavarur kur në zyrat ku flitet dhe ku bëhet energjia elektrike, ku është edhe bilanci, është edhe vetë vëllai i kryeministrit”, ka thënë Ymeri. “Për që si kuptoni statistikat kjo është e qartë prej diskutimeve të juaja të mëhershme që i keni pasur. Këtu nuk mundem me ju ndihmu”, i është përgjigjur Rizvanolli.
Një debat u bë edhe mes shefit të deputetëve të PDK-së dhe ish-ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila e kritikoi opozitën që nuk e miratoi mocionin për t’i trajtuar me procedurë të përshpejtuar dy projektligjet për energjinë javën e kaluar.
“A është mirë që ne të shtyjmë edhe reformat e zotuara që janë masa të planit të rritjes apo të bllokojmë miratimin e projektligjeve përmes mocioneve të mosmiratuara?”, ka thënë Hajdari. “Është mirë me punu me ndershmëri, me përgjegjësi, me etikë e jo me ba skandale me rezerva shtetërore e me energji elektrike. Nuk e di pse po ju dhemb kaq shume kjo temë”, është kundërpërgjigjur shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.
Një përplasje më të ashpër e patën mes vete deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami me atë të LVV-së, Ejup Ahmeti.
Bajrami dhe Ahmeti e akuzuan njëri-tjetrin se po përfitojnë miliona nga biznesi energjetik e farmaceutik në Kosovë.
Tek i quajti shpifje, ajo i është afruar ulëses së Ahmetit duke ia bërë me duar që të deklarohet njëjtë jashtë Kuvendit, aty ku nuk ka imunitet.
Për shtensionim të kësaj situate bëri thirrje kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.