Arbëri

KEK-u garanton furnizim të qëndrueshëm, rifillon operimin e Njësisë A3

KEK

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia A3 ka rifilluar me sukses operimin, pas përfundimit të të gjitha sanimeve dhe ndërhyrjeve teknike pas ndaljes së përkohshme.

Sipas njoftimit të lëshuar nga KEK-u në Facebook, njësia është startuar rreth orës 06:47, duke u sinkronizuar me rrjetin dhe duke respektuar të gjitha standardet operacionale dhe parametrat e sigurisë.

“Me rifillimin e operimit të A3, KEK sh.a. rikthen operimin me pesë njësi gjeneruese aktive: A3, A4, A5, B1 dhe B2, për aq kohë sa lejojnë parametrat operacionalë, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e plotë të sistemit elektroenergjetik. Ky rezultat tregon aftësinë profesionale të ekipeve teknike dhe menaxhuese për të kryer ndërhyrje preventive dhe riparime të nevojshme në kohë optimale”, thuhet në njoftim.

Korporata tutje ka theksuar se ky rezultat reflekton aftësinë profesionale të ekipeve teknike dhe menaxhuese për të kryer ndërhyrje preventive dhe riparime në kohë optimale.

Mosnominimi i energjisë së mjaftueshme nga ana e KESCO-s ka rrezikuar stabilitetin energjetik. Për pasojë, qytetarët të martën janë përballur sërish me reduktime të rrymës, në kohën kur kërkesa në orët e pikut e tejkalon ndjeshëm prodhimin vendor. 

Në KESCO e kanë arsyetuar situatën me vështirësi në sigurimin e rrymës. E në KOSTT bënë thirrje që nominimet apo parashikimet për nevojat ta reflektojnë kërkesën e saktë, me qëllim që të shmangen devijime dhe të ruhet siguria e sistemit.