Si festë e guximit, krijimtarisë dhe pasionit të filmbërësve të rinj është konsideruar ngjarja “Frames of the Future”. Në ngjarjen ku është shfaqur puna e studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, pedagogu për shumë vite në këtë institucion, aktori Enver Petrovci është nderuar me homazh. E filmat kanë qenë një lloj pasqyre e kuadrove të ardhshme të kinematografisë së vendit.
Edicioni i dytë i ngjarjes që promovon punën e studentëve të filmit dhe regjisë ka ardhur sivjet me natyrë garuese. Publiku që sheh filmat zgjedh filmin e preferuar duke votuar menjëherë pasi lëshon sallën. Janë gjithsej gjashtë filma dhe tre prej tyre janë shfaqur të hënën mbrëma në kinemanë “Armata”. Tre të tjerë do të shfaqen po aty, të martën, kur edhe do të shpallet fituesi. Filmi triumfues do të jetë pjesë e garës zyrtare të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest” në kategorinë e filmave të shkurtër. Festivali dhe Fakulteti i Arteve edhe e organizojnë ngjarjen. E “PriFest” zhvillon edicionin e 18-të nga 8 deri më 13 shtator të vitit të ardhshëm.
Imazhi i aktorit Petrovci në ekran i ka paraprirë vizualizimit të veprave të studentëve.
“Ishte jo vetëm një aktor dhe artist i madh, por edhe një pedagog i përkushtuar i Akademisë së Arteve, që ndër vite me radhë frymëzoi breza të tërë studentësh”, është thënë në hapje para se të kërkohet një duartrokitje për të në shenjë nderimi.
Shefi i katedrës së Regjisë së filmit dhe televizionit në Fakultetin e Arteve, Ismet Sijarina, nëpërmjet një fjalimi të shkurtër e ka shpallur të hapur ngjarjen.
“E shpallim të hapur edhe këtë edicion të dytë të bashkëpunimit tonë si Fakultet bashkë me ‘PriFestin’. Shpresoj se bashkëpunime të tilla do të kemi edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.
Filmi “Xixat” nën regji e me skenar të Toska Salihut është shfaqur i pari. Rina dhe Tringa janë protagonistet kryesore, luajtur nga Liza Curri dhe Erza Sejdiu. Rrëfimi hapet me bisedën e tyre në shkallët e platesë së Pallatit të Rinisë. E dyta imponohet t’i përshtatet rrethit për t’u pranuar. Ajo madje bën prova në dhomën e saj se si të kërcejë me këngët që kurrë më parë nuk i ka dëgjuar. Nëna e saj, rol që e luan aktorja Arta Selimi, nis e qorton duke e parë ndryshimin e shpejtë që ndodh tek ajo.
Toska Salihu e cila ka marrë detyrën e regjisores për këtë film, ka thënë se ka qenë sfidues projekti për nga plotësimi i kastit. Ka treguar se si rrjedhojë e kësaj, një rol i ka dështuar.
“E kemi pasur edhe një rol edhe ndoshta gjithë Kosovës i kemi shkruar dhe nuk kanë pranuar të luajnë. Për nënën, Artës i kam shkruar, ajo ka qenë personi i fundit të cilën e kam pyetur dhe nuk e kam pritur aspak që të marrë pjesë”, ka thënë ajo.
E producentja e këtij filmi, Jeta Bela, ka thënë se në përgjithësi gjithçka ka shkuar mirë për kah ana e produksionit.
“Ka qenë ekip shumë bashkëpunues, i falënderoj të gjithë, gjithashtu Arta Selimin të cilën, kemi pasur nderin të punojmë me një aktore si ajo. Do të prisni më shumë prej nesh në të ardhmen”, ka thënë ajo.
Filmi “Ku e ki shpinë” me autore Fationa Miftarin. Ndjek Florën dhe Venerën, dy shoqe të pandara që kalojnë ditët e tyre duke luajtur. Fillimisht publikut i jepet ndjenja e dhembshurisë për Florën, kur Venerën dhe thërret babai i saj. Duket se po ky person asaj i mungon, por shpejt zbulohet se në fakt as shkaku i mërzisë nuk është ky, e as Venera nuk shkon me vrap tek ai nga entuziazmi.
Ajo keqtrajtohet, vazhdimisht loja e tyre ndërpritet dhe momenti kulmues është kur ajo merr vesh se do të martohet. Flora e sheh këtë si kërcënim për ëndrrat dhe miqësinë e tyre, andaj në ditën kur po organizohet festë për martesën e saj, ajo e ndihmon të arratiset për të shijuar lirinë e saj.
Në film luajnë Ornela Veliqi, Ariola Muçaj, Lumnije Uka dhe Eqrem Berisha.
Fationa Miftari, regjisore e skenariste e këtij filmi, ka thënë se rrëfimi në film është histori e vërtetë e saj. Në kastën e filmit të saj nuk është asnjë aktor profesionist, kësisoj ajo është shprehur se i është dashur të punojë fort me ta.
“Kemi punuar goxha shumë me vajzat dhe me Lumnijen, sikurse edhe me Eqremin. Për dy vajzat e reja është hera e parë që kanë marrë pjesë në një film, edhe pse mësojnë në teatër. Kishte plot entuziazëm nga to”, është shprehur Miftari.
Dhe në fund është shfaqur filmi “Përtej horizonteve” nën regji dhe skenar nga Blendi Kabashaj. Noari, që luhet nga aktori Labinot Lajçi dhe Ana, që luhet nga Albiona Sahiti, takohet në një zonë rurale. Të dy ngjajnë të humbur emocionalisht. E dyta është enigmatike. Bisedat e tyre janë kryesisht rreth dashurisë së humbur. Një varëse që ai mban nga ajo ka përplot kujtime. Varësen ia hedh në liqen, duke synuar të varros dashurinë e tij për të. Por ajo veçse gjendet e varrosur bashkë me dashurinë e saj në një varrezë të vjetër ku ai zbulon se ajo ka vdekur prej kohësh.
Blendi Kabashaj, autor i filmit “Përtej horizonteve”, është shprehur krenar me punën ekipore.
“Kemi qenë si familje ku ka mospajtime ndonjëherë. Ndihem shumë krenar që kam punuar me një ekip shumë të shkëlqyer me të cilët ndihem shumë krenar, më shumë me punën e tyre sesa me timen. Gjithashtu për aktorin Labinotin, i cili më ka përkrahur jashtëzakonisht shumë me idenë e temës, kemi biseduar gjatë dhe kemi bashkëpunuar për filmin”, është shprehur ai.
E aktori Lajçi i ka uruar studentët për veprat e tyre duke u shprehur se gjenerata e tij e studentëve kanë punuar në rrethana krejt tjera.
“I pashë tre filma të ndryshëm. Përgëzime! Jua kam lakmi sepse do të doja të isha prapë student sepse e keni një kimi, bashkëpunim të mirë. Ne nuk e kemi pasur këtë bashkëpunim që e keni ju tash. Bëfshi sa më shumë filma dhe qofshi krenaria jonë!”, është shprehur ai.
E producenti i këtij filmi, Agon Krasniqi, ka thënë se xhirimet janë kryer në disa lokacione të ndryshme.
“Xhirimet kanë qenë për pesë ditë në Klinë, Malishevë dhe Prishtinë, si dhe në Shëngjin”, ka bërë të ditur ai.
Në ditën e dytë të ngjarjes do të shfaqen filmat “Tingujt e Kastanetës” nga Fatlinda Hyseni, “Ira” nga Erona Ajvazi dhe “Shënjestër e lehtë” nga Redona Deda.
Pas shfaqjes së filmave do të ketë bisedë me temën “Nga aplikimi në përzgjedhje”, në bashkëbisedim me Fatos Berishën, ku drejtori i ‘PriFest’ do të flasë për rëndësinë e festivaleve, procesin e aplikimit dhe mundësitë që ofrojnë festivalet ndërkombëtare për studentët e filmit. Në fund do të shpallet filmi fitues i audiencës.
Edhe edicioni i kaluar qe mbajtur në muajin dhjetor, vitin e kaluar. Nata e parë kishte sjellë pesë filma të shkurtër të studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe diskutimet për to.
Qe shfaqur filmi “Behind the Doors”, nën regji të Artiola Gashit, “Dorina” nën regji të Hana Salihut, “Një gjemb më pak” nën regji të Brikena Elshanit, “Solum” nga Hana Bucalija, “Adelina” nga Erlisë Beqiri në natën e parë. Në natën e dytë ishte mbajtur paneli i diskutimit me temë “Studentët dhe producentët: Fillimi i një bashkëpunimi të bukur”, moderuar nga Besnik Krapi, në panel me Blerta Zeqirin, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Ismet Sijarinën, shef i katedrës së Regjisë së filmit dhe televizionit në Fakultetin e Arteve, producentët Valon Bajgora e Valmira Hyseni, producentin e aktorin Shkumbin Istrefi dhe regjisorin e producentin, Fatos Berisha
Ngjarja “Frames of the future” u kushtohet plotësisht studentëve të degës së Filmit, ndonëse tani çdo festival ka edhe programin për artistët e rinj. Adresë e veçantë për studentët jo vetëm të Kosovës por edhe të huaj, ka qenë festivali ndërkombëtar i filmit dhe teatrit për studentë “Skena Up”, që u themelua në vitin 2003. Pas 12 edicioneve, më 2015, në mungesë fondesh, u shua. Atë vit, në shenjë proteste do të shfaqej “Metropolis” filmi pa zë gjerman i vitit 1927 nën regji të Fritz Lang. Kjo ngjarje shihet si mundësi për t’i parë talentet e reja në veprim dhe për të ndërtuar lidhje të rëndësishme profesionale.