Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Hana” e artit të përballjes me traumën në kërkim të drejtësisë

"Hana" - Ujkan Hysaj - PriFest

Filmi i gjatë artistik i Ujkan Hysajt ka disa filma brenda tij. Kryeson atë të Hanës dhe Sarës. Janë i njëjti personazh. Një që flet nga brenda dhe është e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe një tjetër që mundohet ta shmangë atë

“Duhet ta themi të vërtetën ashtu siç është”, për regjisorin e filmit “Hana”, Ujkan Hysaj nuk është vetëm një deklaratë por një maksimë mbi të cilën ka ndërtuar filmin e tij “Hana” që është dhënë premierë në “PriFest”. Është një rrëfim shumështresor njësoj sikurse personazhi kryesor Hana (Sheqerie Buçaj) e cila duke përdorur artin synon të dalë prej traumave si e mbijetuar e dhunës seksuale në kërkim të drejtësisë jo vetëm për të

Shpesh dëgjohet shprehja se arti përdoret si terapi. Ose si ndërmjetësues në përballjen me traumat që ka pësuar një njeri apo një grup njerëzish. Dhe, për këtë ka goxha teori filozofike. Por si realizohet ky proces, çfarë ngjan gjatë rrugës, si përballohet, janë çështje krejt konkrete. E  me këtë merret “Hana”. Filmi i gjatë artistik i Ujkan Hysajt ka disa filma brenda tij. Kryeson atë të Hanës dhe Sarës. Janë i njëjti personazh. Një që flet nga brenda dhe është e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe një tjetër që mundohet ta shmangë atë. Hysaj, duket sikur ka tentuar që të pasqyrojë një realitet të rëndë, të tregojë se arti është terapi dhe nëpërmjet produksionit të filmit të sjellë një lloj drejtësie për viktimat. Ka të ngjarë se s’është mërzitur fort se çfarë do të thonë të tjerët.
“Duhet ta themi të vërtetën ashtu siç është”, ka thënë ai, goxha i ngarkuar emocionalisht pas premierës në festivalin ndërkombëtar të filmit “PriFest”, në Prishtinë të mërkurën mbrëma.
Sara (Sheqerie Buqaj), që dikur kishte, siç thuhet, emrin në vesh, Hana, është një e mbijetuar e dhunës seksuale. Është aktore. I është bashkuar një organizate e cila drejtohet nga Fana (Ilire Vinca). Organizata merret me trajtimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale. Synon që, duke i inskenuar ose ekranizuar përvojat, t’i përballë viktimat me ato dhe ta tejkalojnë dhimbjen. Shumë viktima s’i besojnë kësaj. Edhe kur i besojnë, familjarët refuzojnë t’i lënë.

“Gjeni të tjera, janë 200 mijë në Kosovë”, është një prej fjalive të familjarëve. Të dhënat e organizatave ndërkombëtare flasin për rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë më 1998-1999. Sara është një prej tyre. Ajo luan personazhe të ndryshme për t’i ndihmuar të tjerat. Por ia ka drojën të futet në personazhin e vetes. I ati donte ta quante Hana, dhe tash sikur ka një identitet të dyfishtë. Filmi ka shumë nënshtresa. Ekipi ka punuar gjatë dhe ka mbledhur shumë rrëfime. Me skenar të Fadil Hysajt, duket sikur ekipi është ndier “borxhli” ndaj secilit rrëfim. Në një orë e 27 minuta, vijnë në pah traumat që manifestohen gati tri dekada pas ngjarjeve. Hana ndjek si hije Sarën, duke i bërë presion që të rrëfejë e të inskenojë se çfarë i ka ndodhur. Dhe Sara ka një identitet të dyfishtë: atë të një të mbijetuare të dhunës seksuale dhe një tjetër që mundohet ta ndërtojë në karrierën e saj. S’e gjen dot balancën. Buqaj e Vinca është dyshja që mban peshën e filmit bashkë me Mrikën (Fatlume Bunjaku).

“Ka qenë një proces tejet i vështirë, pasi ka zgjatur rreth pesë vjet zhvillimi i skenarit, duke bërë hulumtime të mëdha, duke takuar drejtpërdrejt edhe viktimat e dhunës seksuale, duke dëgjuar storjet e tyre e duke përpunuar ato storje. Problemi më i madh ka qenë si t’i integrojmë një shumicë storjesh në një storje e cila e krijon antologjinë perfekte që të mos humbim atë që ka ndodhur në përgjithësi në luftën e Kosovës”, ka thënë regjisori Hysaj. Sipas tij, dhunimet seksuale gjithmonë cilësohen si armë lufte.

“Në këtë rast, ne na ka interesuar më shumë edhe sa është shkalla e traumës, sa arrin ajo te familjet tona dhe çfarë efekti ka krijuar 26 vjet pas luftës, gjë që nuk është trajtuar asnjëherë mirë. Kur them mirë, them se në kuptimin konkret nuk është marrë askush me viktimat e dhunës seksuale në mënyrë të plotë, në kuptimin për t’i shëruar nga traumat. Shteti ynë është munduar t’iu ofrojë një status këtyre kategorive, një pension, por ajo nuk sjell drejtësi”, ka thënë ai. Sipas Hysajt, në mungesë të drejtësisë kanë paramenduar një lloj drejtësie në film, duke inskenuar krejt këto ngjarje që i kanë dëgjuar dhe janë munduar ta sjellin një rrëfim të vërtetë, ku publiku e shikon, gjykon dhe, në njëfarë mënyre, e jep verdiktin e drejtësisë.

“Këtë drejtësi e fitojmë në njëfarë mënyre nëpërmjet artit që është jo veç një terapi për viktimat që kisha pasur dëshirë ta shohin filmin e të ballafaqohen me të kaluarën, pasi i ndihmon të kalojnë traumat. Por edhe për ne si artistë, arterapia është një lloj ballafaqimi me ngjarjet tona që duhet t’i tregojmë të vërteta, pa e shtrembëruar historinë asnjëherë, pa e lënë të hapur, sikurse shumë filma të tjerë që kemi. Ne e kemi obligim si artistë që ta përmendim të vërtetën e plotë, a pritet mirë ajo nga ndërkombëtarët apo jo, nuk duhet të na interesojë ne”, ka thënë ai. Për Hysajn, arti është ilaçi që shëron jo vetëm artistët që punojnë në të, por edhe publikun që mund të asocohet në çfarëdo forme me rrethanat e një ngjarjeje që trajtohet.

“Pos artit, momentalisht s’shoh një dritë të bardhë drejtësie në këtë vend për viktimat”, ka thënë ai. Hysaj ka një bindje pak a shumë sikurse të Friedrich Schillerit, për të cilin shpresa vjen me një lloj besimi me fuqinë emancipuese të artit.

Sara (Sheqerie Buqaj), që dikur kishte, siç thuhet, emrin në vesh, Hana, është një e mbijetuar e dhunës seksuale. Është aktore 
 

Aktorja Sheqerie Buqaj ka thënë se për një kohë të gjatë është marrë me këtë proces.

“Kam pasur fatin që jetoj me Fadilin dhe kam qenë brenda procesit. Kur kemi ardhur në fund, unë veç isha e gatshme për xhirim. Thosha se kur po ia nis, pasi krejt i kam brenda. Ishte si një lloj doktorate. Kam takuar shumë gra, kam lexuar shumë e ato futen brenda meje. Pas xhirimeve kam pasur një depresion të lehtë që e kam kaluar. Por edhe sonte e pashë që ende ato janë brenda meje. Jam e lumtur që kam dhënë një kontribut të vogël me punën e artit”, ka thënë Buqaj.

Aktori Shpëtim Selmani filmin e ka përshkruar si një storie të jashtëzakonshme.

“Lojë shumë e mirë e aktorëve. Dinjitoz për përfaqësimin e vendit tonë”, ka thënë ai.

“Hana” në kornizat e ekranit bashkon shumë rrëfime. Shumë ndjesi. E mbi të gjitha bashkon shpresën për tejkalim traumash. Këtë e bën duke treguar edhe sa vështirë është që të bëhet kjo. Sa vështirë është që të sakrifikohesh për të atin dhe, duke u munduar ta shpëtosh atë, që je objekt i dhunimit seksual, si rasti i personazhit kryesor. E rikthimi në atë kujtesë, bashkë me një inskenim që ndodh në film, është ura që s’mund ta kalojnë krejt të mbijetuarat. Ura që i mban peng dhe nuk sjell as drejtësi artistike.