Një vizitë në shtëpinë e familjes Shukriu, është një prekje e disa pjesëve të historisë së vendit. Kalimi nga njëra hapësirë në tjetrën, thekson vlerat arkitektonike të shtëpisë që mbrohet si monument. Ani pse zyrtarisht nuk është muze, anëtarët e familjes ndër vite kanë luajtur rolin e ciceronit. Pa përtesë tregojnë intervenimet e bëra në shtëpi nga i ndjeri Muhamed Shukriu, gjurmët e të cilit vërehen kudo në shtëpinë e ndërtuar në pjesën e parë të shekullit XIX, e që është ndër të paktat me çardak në Prizren
Shtëpia e arkitektit Luis Barragan, në Meksikë, e ndërtuar në vitin 1948 e në të cilën ai jetoi deri në vdekjen e tij në vitin 1988, njihet si shprehja më emocionale arkitektonike e artistit. Kjo shtëpi është e vetmja e këtij lloji nën mbrojtje nga UNESCO-ja. U përfshi në listë pasi që është një nga shembujt më të mirë të arkitekturës moderne meksikane.
Shtëpia është një kryevepër e lëvizjes moderne në arkitekturë, por që është e ndërtuar duke pasur për bazë elementet vernakulare të arkitekturës, term që përshkruan struktura të ndërtuara nga njerëzit, dizajnet e të cilëve janë ndikuar nga kultura.
Elementet vernakulare janë veçanti edhe e një shtëpie të ndërtuar në gjysmën e parë të shekulli XIX në Prizren: shtëpia e familjes Shukriu. Që nga viti 2015, ajo është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme për shkak të veçantive arkitektonike.
Në një kohë tjetër në Kosovë
Për dallim nga shtëpia e Barraganit, në të cilën asgjë nuk ka ndryshuar që nga vdekja e arkitektit me nam, në shtëpinë e familjes Shukriu, ka disa gjëra që janë vazhdimisht duke ndryshuar. Kjo pasi që familja jeton ende aty.
Edhe
Jetësohet projekti i kamotshëm për Muzeun e Masakrës në “Lagjen e Boshnjakëve”
Kështu, mes hapësirës mund të gjenden këpucë të modës së fundit, apo edhe lodrat e gjeneratës së pestë të familjes. Fëmijët veç kanë filluar të mësojnë për rëndësinë e shtëpisë ku jetojnë.
Pjesa tjetër e orendive dhe infrastrukturës është e njëjtë më dekada. Shtëpia mbi dyshekullore është rinovuar në shekullin XX nga pronarët, saktësisht nga i ndjeri Muhamed Shukriu (1926 – 2010) që ishte themelues i Entit për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren.
Shtëpia e familjes Shukriu gjendet në Zonën e Qendrës Historike të Prizrenit, pranë Kompleksit të Gazi Mehmet Pashës. Kjo shtëpi me numrin 13, në rrugën “Xhevdet Doda” ka vlera historike si banesë tradicionale qytetare dhe është lehtë e identifikueshme nga kornizat e jashtme të dritares dhe dera e vjetër prej druri.
Shtëpia ishte blerë në vitet ’30 nga Hysein Shukriu dhe bashkëshortja e tij Firdeze Rotlla-Shukriu. Ai ishte vendosur në këtë shtëpi për ta pasur më afër xhaminë për të kryer ritet fetare.
Me të hapur dera, pjesa tjetër e enterierit krijon përshtypjen sikur kthehesh në një tjetër kohë. Hapësira e parë që shihet është hajati. Aty qëndrojnë të ekspozuara edhe relikte të tilla, si qypi për konservim të ushqimit, gjygymët, ibriku, e tri mangalla, që datojnë nga shekulli XVII ku dallohen gravura të Renesancës.
Premtimi për ruajtjen e vlerave
Orenditë në hajat – varëset për rroba e hapësira për këpucë, dyert, karriget, tavolina – janë të punuara me dru në vitet ‘60 nga vetë Muhamed Shukriu, që me profesion ishte jurist. Ai pjesën e madhe të jetës ia kushtoi mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, së pari të Prizrenit e rrethinës dhe më pas edhe më gjerë. Në hajat, qëndron e ekspozuar edhe një vepër artistike e tij, e punuar me dru e ku theksohet trupi i një gruaje shtatzënë me dy binjakë dhe trupi i burrit të saj.
Mbesa e tij, Valtida Shukriu, gjersa tregon sesi është të jetosh në këtë shtëpi, thekson përkushtimin e gjyshit të saj, rolin e tij në ruajtjen e trashëgimisë së Prizrenit, por edhe qasjen e tij artistike.
“Të mirëmbash një shtëpi të vjetër është kënaqësi, mirëpo definitivisht edhe diçka e kushtueshme”, ka thënë Shukriu.
Gjyshi i saj ishte drejtor i Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore të Prizrenit, prej nga u pensionua dhunshëm. Ishte ideator dhe realizues i Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe meritor për gjetjen e varrit të Abdyl Frashërit në Turqi, zbulimin e varrit të Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij në Podgoricë, si dhe transferimin e eshtrave të tyre në Kosovë.
Me këtë rast, si shenjë nderimi mbesa e Boletinit, Sahadete Gora-Boletini, i kishte dhuruar një boçë nga martesa e dytë e Isa Boletinit. Ky zbukurim i pajës së nuses i vendosur në një kornizë të qelqit qëndron i ekspozuar në “dhomë allaturke”.
Në këtë dhomë më herët kishin qëndruar një familje katër-anëtarëshe. Gjithçka kishte ndodhur në kohën e socializmit kur në shtëpitë e mëdha, e më pak anëtarë, vendosej për të jetuar edhe një familje e dytë.
Kjo dhomë kishte pësuar një dëmtim për shkak të një gypi që kishte pëlcitur nga të ftohtit dhe anëtarët e familjes shpresojnë që ta rikthejnë ashtu siç ka qenë me orenditë në stilin tradicional me minder.
Në dhomën allaturke, qëndrojnë të ekspozuara edhe jelekët e Margarita Mjeda-Shukriut.
Muhamedi një kohë punoi referent në Gjykatën e Prizrenit dhe aty pa bashkëshorten e ardhshme Margarita-Gita Mjeda, e burgosur politike si pjesëtare e Lëvizjes Nacional-Demokrate. Me të kishin vajzën Edi, arkeologe, dhe djalin Gem, kirurg.
“Ne jemi gjenerata e katërt, dy nipa e tri mbesa dhe parimisht jemi dakorduar që shtëpia do të qëndrojë kështu deri në momentet e fundit, që do të jemi të fortë financiarisht dhe fizikisht duke u munduar që ta vazhdojmë atë traditën e vlerave të trashëgimisë kulturore për t’i mbrojtur ato që kanë kaluar prej stërgjyshërve, të gjyshërit, e ata të prindërit tanë dhe tash tek ne”, ka thënë ajo. Në këtë shtëpi tani jeton edhe gjenerata e pestë e familjes Shukriu.
“Fëmijët po rritën pikërisht në këtë shtëpi. Kjo na mundëson që në moshën kur ata të jenë të rritur, do të japin premtimin, ashtu siç ne i kemi dhënë gjyshit Muhamed dhe gjyshes Margarita, se do të vazhdojmë me pjesën e mbrojtjes së shtëpisë ashtu siç ata kanë dashur dhe na kanë mësuar”, ka thënë ajo.
Punëdoret autentike
Edhe
Tender për monumentin që paraqet rrezik në qendër të Prishtinës
Shukriu, e bija e kirurgut, ka treguar se gjithçka që shihet në shtëpi, është e ndërtuar nga gjyshi i saj.
“Të gjitha ato që i keni parë kanë qenë të dizajnuara dhe të punuara me ndihmë të miqve që i ka pasur gjyshi im. Pra e tërë ajo që keni parë është e ndërtuar, e që ia shton vlerën kësaj shtëpie, nga duart e gjyshit Muhamed. Janë punime të gjitha me dorë dhe krijimi nga mendja dhe imagjinata e tij”, ka thënë ajo. Kështu orenditë kanë mbi 60 vjet dhe ngadalë po i afrohen shekullit të parë të tyre. Punimet e realizuara nga Muhamed Shukriu janë kryesisht nga druri dhe gipsi.
Muhamedi, vetë i kishte dizajnuar edhe dyert e shtëpisë. Ahun ku më parë kishin qëndruar kafshët, e kishte kthyer në garazh për veturën e blerë në vitin 1965. Mirëpo, është një detaj që edhe këtë pjesë e mban të lidhur me të kaluarën: veglat e punës të Hysein Shukriut që ishte këpucëtar e përpunues i lëkurës.
Edhe në tualet të gjitha orenditë e shtëpisë janë të vjetra, por u përshtaten nevojave të sotme. Aty dallohet edhe një pjesë e gdhendur nga vetë Muhamedi, e ku dalin në pah gurët e themelit të shtëpisë.
“Në fakt, shtëpia është përshtatur dhe është ambientuar në atë çka ka ofruar në bazë të rritjes së anëtarëve në familje”, ka thënë Valtida Shukriu.
Orenditë e shtëpisë janë të realizuara në atë mënyrë që janë dëshmi e inovacionit të treguar nga Muhamedi. Por, jo çdo herë gjërat kanë funksionuar ashtu siç janë menduar.
“Akuariumi i kukullave është një ide inovative brenda familjes”, ka thënë duke buzëqeshur Valtida Shukriu. Ka treguar sesi në verën e vitit 1962, gjyshi i saj kishte konstruktuar një akuarium me peshq për fëmijët e tij. Vendin ia kishte bërë në murin e shtëpisë që ndante hajatin nga dhoma allaturke.
“Gjyshi e kishte konstruktuar dhe e kishte mbushur me ujë, të nesërmen në mëngjes kur janë bërë gati për t’u nisur për pushime e kanë parë ujin që ka dalë. Pra, ka qenë problem. Nuk e ka arritur qëllimin, mirëpo pastaj gjyshja dhe halla kanë qenë në kreativitetin e tyre edhe më inspiruese dhe kanë vendosur të bëjnë një koleksion të kukullave me kostume tradicionale kudo që kanë shëtitur dhe diku janë rreth 35-40 kukulla”, ka thënë Valtida gjersa ka shtuar se edhe miqtë ua kanë dhuruar disa.
Çardaku dhe thirrja për kujdes
Llambat e ekspozuara nëpër shtëpi janë tregues të kalimit nga vajguri në energji elektrike. Vetë Muhamedi me ndihmën e komshiut, i cili ishte inxhinier kishin bërë endjen e rrjetit elektrik. Gjithçka kishin shënuar me dorë në letër, skicë kjo që sot u shërben anëtarëve të familjes kurdo që diçka duhet rregulluar. Por kjo është një tjetër sfidë, pasi rrjeti i vjetër kërkon kujdes nga mjeshtrit.
Valtida Shukriu ka thënë se shtëpia e blerë në vitet ’30 mund të jetë edhe më e vjetër sesa ata kanë njohuri dhe ka mundësi që t’i takojë edhe shekullit XVIII, mirëpo sipas saj kjo u mbetet hulumtuesve për ta vërtetuar.
Me t’u ngjitur lart, del në pah çardaku dhe katër dhoma. Nëpër dhoma janë elemente si drugdhendje dollapët, jyklyket, tavanet, trau dekorativ e oxhaku.
“Çardaku në Prizren është konsideruar si hapësira në të cilën janë pritur mysafirët, një ambient më i ngrohtë dhe një kat më lart. Pra, miqtë më të rëndësishëm dhe mysafirët kanë ardhur këtu në çardak”, ka thënë ajo duke theksuar se shtëpia e tyre është ndër të paktat me çardak që kanë mbetur në Prizren.
Shtëpia ka edhe një pjesë shtesë, nën kulm, të cilën Muhamedi e kishte dizajnuar për djalin e tij dhe nusen e re. Ky ishte intervenimi i fundit dhe bëhet fjalë për ato në vitet ‘70.
“Një hapësirë minimale, por e projektuar shumë mirë dhe e përshtatur si nënkulm çka bën që nga jashtë të mos vërehet që shtëpia ka tre kate. Gjyshi pra i ka qëndruar besnik arkitekturës urbane të Prizrenit me shtëpi me lartësi mesatare dhe jo të ndërtimit të lartë”, ka thënë Shukriu. Ka shtuar se gjyshi i saj e kishte menduar kulmin në formë zarfi, dhe kështu kurdo që shkonin në Kalanë e Prizrenit, ai i sfidonte që ta gjenin shtëpinë e tyre.
“Ne e gjenim shumë lehtë pasi që shihej forma e kulmit si zarf. E gjyshja Gita e ngacmonte duke i thënë: ‘Muhamed e kë bërë atë kulm në atë formë që edhe prej Kalasë vërehet menjëherë’”, ka thënë ajo.
Pikërisht ky kulm në vitin 2017 ka pasur një intervenim nga Ministria e Kulturës. Ky ka qenë investimi i parë i ofruar dhe atëherë është bërë një rikonstruktim në izolim, ndërhyrje ka pasur edhe në dritare, është bërë drenazhi i murit e që sipas Valtida Shukriut ka larguar lagështinë nga shtëpia.
Ka shtuar se shteti duhet që të bëjë më shumë në mbrojtën e shtëpive të vjetra dhe në përkrahjen e pronarëve të tyre veçanërisht në lehtësimin e procedurave burokratike që shpesh ndikojnë që të mos bëhen intervenime të menjëhershme atëherë kur duhet.
Edhe
Hamami i Prizrenit në kapitullin e radhës të restaurimit
“Shteti duhet të jetë më afër qytetarëve, sidomos më afër pronarëve të shtëpive të vjetra, duke e ditur që mundet me qenë njëri ndër kontribuuesit më të mëdhenj në faktorin e zhvillimit të turizmit”, ka thënë ajo duke shtuar se ka shpresë që gjërat do të rregullohen në këtë drejtim.
Një pjesë e veçantë e shtëpisë është edhe hapësira e gjelbër. Oborri është i shtruar më kalldrëm. Aty janë edhe tri fontana të vogla për ujë, muri i gjallë dhe lulet e tjera, rrënjët e të cilave janë të vjetra më shumë se gjysmë shekulli. Kështu në cilëndo hapësirë ndihet energjia pozitive që rrethon vendin dhe shtresat e trashëgimisë.