Me inaugurimin e gjysmës, është shpallur e përfunduar faza e parë e restaurimit të Hamamit të Gazi Mehmet Pashës në Prizren. Pastrimi i nëndyshemes apo hypokaustit, gërryerja e suvasë së dëmtuar, mbushja e fugave dhe plasaritjeve, zëvendësimi i pllakave, tullave dhe gurëve të dëmtuar, kapin shumën prej 180 mijë eurosh. Faza e dytë peshon 300 mijë euro, afërsisht aq sa ishin investuar edhe nja 15 vjet më parë, krahas të tjera investimeve prej 60 a 70 mijë eurosh. “Mbrojtje, restaurim dhe funksionalizim”, është motoja që ka kujtuar ministri Hajrulla Çeku në inaugurimin e gjysmës së monumentit
Në më pak se 15 vjet, Hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren u është nënshtruar disa restaurimeve e ndërhyrjeve, e tash ka hyrë në fazën e radhës. Kostoja i afrohet gjysmë milioni eurove, faza e parë është përmbyllur me 180 mijë euro, për t’u inauguruar ajo që është restauruar, me fjalime e ekspozitë të rrugëtimit të kësaj faze. Të premten mbrëma “i është prerë shiriti” gjysmës së Hamamit. Punimet në pjesën tjetër janë në fazë të prokurimit. Krejt projekti është paraparë të kushtojë afër gjysmë milion eurosh.
Kur u ndërtua në vitet 1564-1574, Hamami, që mban emrin e sanxhakbeut të Shkodrës, që dha urdhër për ngritjen e tij, ishte në një pikë qendrore të qytetit. Zemra e qytetit aty është edhe sot, sikurse edhe rëndësia e monumentit për trashëgiminë kulturore. Ishte mbyllur disa herë si rrjedhojë e ndërhyrjeve e kishte funksione të ndryshme. Në njërën pjesë, punimet e nisura në shkurt të vitit të kaluar, janë finalizuar.
Ndërhyrjet në këtë fazë përfshijnë kryesisht enterierin e gjysmës së objektit, në atë pjesë që shërbente si pjesë e burrave. Punimet e realizuara janë pastrimi i nëndyshemes apo hypokaustit, gërryerja e suvasë së dëmtuar, mbushja e fugave dhe plasaritjeve, zëvendësimi i pllakave, tullave dhe gurëve të dëmtuar. Gjithashtu është rindërtuar tërësisht platforma tetëkëndore për masazh, si dhe në pullaz janë vendosur xhamat ovalë nëpër kube dhe qemerë.
Pos punimeve restauruese është punuar edhe në aspektin e sigurisë. Është instaluar sistemi i kamerave e alarmit, si dhe instalimet e rrymës dhe ujit.

“Mbrojtje, restaurim dhe funksionalizim”
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se këto ndërhyrje i kontribuojnë zhvillimit të turizmit, e rrjedhimisht edhe ekonomisë lokale.
“Motoja jonë për ndërhyrje në trashëgimi kulturore nga fillimi ka qenë ‘Mbrojtje, restaurim dhe funksionalizim’ sepse duke i funksionalizuar monumentet, i kthejmë në shërbim të komunitetit”, ka thënë ministri Çeku para të pranishmëve.
Për KOHËN ka thënë se synimi është që sa më parë të përmbyllet faza emergjente e ndërhyrjeve në objekte të trashëgimisë kulturore e më pas resurset të orientohet nga rifunksionalizimi i tyre.
“Hamami i Gazi Mehmet Pashës është njëri nga 25 monumentet që aktualisht po restaurohen në rajonin e Prizrenit me fokus në qytet dhe në Qendrën Historike. Por në të njëjtën kohë janë edhe dhjetëra ndërhyrje në monumentet e trashëgimisë kulturore, që janë duke u realizuar anekënd Kosovës si vazhdimësi e zotimit tonë për ta shpëtuar trashëgiminë kulturore dhe për ta vënë në funksion të së mirës publike dhe zhvillimit ekonomik”, ka thënë ministri Çeku.
Sipas tij, monumentet si Hamami i Gazi Mehmed Pashës janë dëshmi të së kaluarës, ndërsa ndërhyrjet restauruese mbrojtje e vlerave me të cilat kualifikohen e mbrohen si monumente.
“Hamami i Gazi Mehmed Pashës ka një pozicion qendror në zonën historike të Prizrenit. Përfaqëson një periudhë të caktuar të historisë së qytetit, por edhe të shumë zhvillimeve të tjera historike. Ka qenë në gjendje shumë të rëndë, të degraduar dhe që është restauruar në këtë fazë të parë të ndërhyrjeve të cilën e inauguruam sonte”, ka thënë ai.
Është bërë e ditur se është rinovuar edhe pjesa sanitare si dhe depoja e ujit që gjendet në anën jugore të monumentit. Përderisa këto punime përfshijnë kosto prej afër 180 mijë eurosh, faza e dytë është bërë e ditur se kap shumën prej 300 mijë eurosh.
Hamami është njëri prej objekteve më të mëdha të këtij lloji në Ballkan. Në funksionin primar, u përdor pothuajse deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Më pas u përdor si punëtori për përpunimin e qumështit dhe produkteve të tij. U tentua të kthehej në galeri e muze. Paslufte, herë pas here u përdor për aktivitete të ndryshme kulturore.

Të premten, i tillë ka qenë funksioni i parë në një formë kur aty janë ekspozuar fotografitë e objektit si versione “para dhe pas” ndërhyrjes. Ato sjellin imazhe nga pjesa e ngrohtë dhe ajo e ftohtë e Hamamit, si pjesa e sanitarisë, gardërobës, së djersitjes e ato të fontanës.
Drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka thënë se gjatë punimeve janë zbuluar struktura e artefakte të cilat do të hulumtohen e trajtohen. Për fazën e dytë të punimeve – në atë që ishte pjesa e hamamit për gra – ka thënë se është në proces të tenderimit.
“Volumi i punimeve në këtë pjesë është më i madh shkaku i dëmtimeve më të mëdha që janë. Veç këtyre punimeve restauruese në këtë fazë do të trajtohet edhe pjesa e oborrit e cila do të rregullohet ashtu si ka hije një monumenti. Natyrisht që këtu përfshihet edhe pjesa e instalimeve të elektrikes, të ujësjellësit dhe të ngrohjes. Pra synimi është që me këto punime të përmbyllet kapitulli i restaurimit të tërësishëm të Hamamit, ku më pas do shqyrtohet ana e funksionalizimit dhe menaxhimit të këtij aseti të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore”, ka thënë Hoxha.
Hamami midis rikthimit të funksionit dhe ideve të tjera
Ka thënë se investime kishte edhe në të kaluarën, por se këto të fundit që po bëhen janë investimet më të mëdha.
“Investime në të kaluarën ka pasur në vitin rreth 2010 dhe 2012 rreth 300 mijë dollarë me sa e di. Më pas në vlera më të vogla 60-70 mijë euro ka pasur disa intervenime emergjente, disa dëme që ishin shkaktuar, i kemi pas riparuar. Këto të fundit janë investimet më të mëdha”, ka thënë Hoxha.
Ka thënë se ende nuk ka një vendim për destinimin e Hamamit, por se ka ide të ndryshme rreth kësaj, përfshirë edhe ajo për ta rikthyer në funksionin që kishte më parë.
“Ne pasi ta përmbyllim projektin do të punojmë në hartimin e një plani të menaxhimit në bashkëpunim edhe me akterë të tjerë dhe të shohim. Janë disa ide të cilat ne po i diskutojmë, por nuk janë përfundimtare: shndërrimi i njërës prej hapësirës në hapësirë muzeale, një ide tjetër është të rikthehet funksioni i Hamamit siç ka qenë më parë në një pjesë, një tjetër variant është të mbetet i hapur për aktivitete të ndryshme”, ka thënë Hoxha për KOHËN.

Hamami i Gazi Mehmed Pashës është ndërtuar gjatë viteve 1573-1574 nga Gazi Mehmed Pasha (sanxhakbeu i Shkodrës), si pjesë e ansamblit arkitektonik që përfshinte gjithashtu Xhaminë Bajrakli, një shkollë të mesme (medrese), një shkollë fillore (mejtepe), një bibliotekë dhe një tyrbe.
Hamami karakterizohet nga një strukturë prej njëzet kupolash: dy kupola më të mëdha janë të mbuluara me tjegulla, ndërsa kupolat e tjera më të vogla dhe qemerët janë të mbuluara me plumb. Sipas shënimeve, është e ndërtuar nga gurë dhe tulla të ndryshme dhe paraqet një shembull të hamamit dysh, për përdorim për të dy gjinitë.
Deri në vitin 1964, Hamami ishte i rrethuar nga objekte tregtare, të cilat më pas u rrënuan, kur filluan ndërhyrjet konservuese në ndërtesë. Në vitet 1970, filluan iniciativat e fragmentuara për restaurim, që nuk u përfunduan dhe objekti përfundimisht u braktis. Që nga viti 2000, pjesa e ftohtë e Hamamit u përdor si hapësirë për aktivitete të ndryshme kulturore, artistike dhe edukative.