EXPRESS

Hamami i Prizrenit në kapitullin e radhës të restaurimit

Në më pak se 15 vjet, Hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren u është nënshtruar disa restaurimeve e ndërhyrjeve, e tash ka hyrë në fazën e radhës. Kostoja i afrohet gjysmë milioni eurove, faza e parë është përmbyllur me 180 mijë euro. Të premten mbrëma është përuruar gjysma e Hamamit. Punimet në pjesën tjetër janë në fazë të prokurimit. Krejt projekti është paraparë të kushtojë afro gjysmë milioni euro.

Objekti i trashëgimisë kulturore ishte mbyllur disa herë si rrjedhojë e ndërhyrjeve e kishte funksione të ndryshme. Në njërën pjesë, punimet e nisura në shkurt të vitit të kaluar janë finalizuar.

Ndërhyrjet në këtë fazë përfshijnë kryesisht enterierin e gjysmës së objektit, në atë pjesë që shërbente si pjesë e burrave. Punimet e realizuara janë pastrimi i nëndyshemes, gërryerja e suvasë së dëmtuar, mbushja e fugave dhe plasaritjeve, zëvendësimi i pllakave, tullave dhe gurëve të dëmtuar.

Gjithashtu është rindërtuar tërësisht platforma tetëkëndore për masazh, si dhe në pullaz janë vendosur xhamat ovalë nëpër kube dhe qemerë.

Pos punimeve restauruese është punuar edhe në aspektin e sigurisë.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se synimi është që sa më parë të përmbyllet faza emergjente e ndërhyrjeve në objekte të trashëgimisë kulturore e më pas resurset të orientohet nga rifunksionalizimi i tyre.

“Hamami i Gazi Mehmet Pashës është njëri nga 25 monumentet që aktualisht po restaurohen në rajonin e Prizrenit me fokus në qytet dhe në Qendrën Historike. Por në të njëjtën kohë janë edhe dhjetëra ndërhyrje në monumentet e trashëgimisë kulturore, që janë duke u realizuar anekënd Kosovës si vazhdimësi e zotimit tonë për ta shpëtuar trashëgiminë kulturore dhe për ta vënë në funksion të së mirës publike dhe zhvillimit ekonomik”.

Sipas tij, monumentet si Hamami i Gazi Mehmed Pashës janë dëshmi të së kaluarës, ndërsa ndërhyrjet restauruese mbrojtje e vlerave me të cilat kualifikohen e mbrohen si monumente.

“Hamami i Gazi Mehmed Pashës ka një pozicion qendror në zonën historike të Prizrenit. Përfaqëson një periudhë të caktuar të historisë së qytetit, por edhe të shumë zhvillimeve të tjera historike. Ka qenë në gjendje shumë të rëndë, të degraduar dhe që është restauruar në këtë fazë të parë të ndërhyrjeve të cilën e inauguruam sonte”, deklaroi Çeku.

Përderisa këto punime përfshijnë kosto prej afro 180 mijë eurosh, faza e dytë është bërë e ditur se kap shumën prej 300 mijë eurosh.

Ndër të tjera funksione, Hamami i Gazi Mehmet Pashës u tentua të kthehej në galeri e muze. Pas luftës, herë pas here u përdor për aktivitete të ndryshme kulturore. Të premten, i tillë ka qenë funksioni i parë në një formë kur aty janë ekspozuar fotografitë e objektit si versione “para dhe pas” ndërhyrjes.

Drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka thënë se gjatë punimeve janë zbuluar struktura e artefakte të cilat do të hulumtohen e trajtohen. Për fazën e dytë të punimeve – në atë që ishte pjesa e Hamamit për gra – ka thënë se është në proces të tenderimit.

“Volumi i punimeve në këtë pjesë është më i madh shkaku i dëmtimeve më të mëdha që janë. Veç këtyre punimeve restauruese në këtë fazë do të trajtohet edhe pjesa e oborrit e cila do të rregullohet ashtu si ka hije një monumenti. Natyrisht që këtu përfshihet edhe pjesa e instalimeve të elektrikes, të ujësjellësit dhe të ngrohjes. Pra synimi është që me këto punime të përmbyllet kapitulli i restaurimit të tërësishëm të Hamamit, ku më pas do shqyrtohet ana e funksionalizimit dhe menaxhimit të këtij aseti të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore”.

Hamami i Gazi Mehmed Pashës është ndërtuar gjatë viteve 1573-1574 nga sanxhakbeu i Shkodrës, Gazi Mehmed Pasha. Objekti karakterizohet nga një strukturë prej njëzet kupolash.

Deri në vitin 1964, Hamami ishte i rrethuar nga objekte tregtare, të cilat më pas u rrënuan, kur filluan ndërhyrjet konservuese në ndërtesë. Në vitet 1970, filluan iniciativat e fragmentuara për restaurim, që nuk u përfunduan dhe objekti përfundimisht u braktis. Që nga viti 2000, pjesa e ftohtë e Hamamit u përdor si hapësirë për aktivitete të ndryshme kulturore, artistike dhe edukative.