Investimi i Ministrisë së Kulturës ka ruajtur shtëpinë ashtu siç e la lufta e fundit në Kosovë dhe tabelat që gjenden aty prej vitesh nuk janë prekur. Është ndërhyrë më shumë në ambientet përreth shtëpisë për të siguruar qëndrueshmërinë e ndërtesës. Pas disa tentativave, më 2019 aty u vu njëfarë guri themeltar nga Komuna e Mitrovicës, bashkë me organizatën “Zëri i Prindërve”. Në atë shtëpi, në prill të vitit 1999, u vranë 9 civilë shqiptarë nga forcat serbe.
Pas gati një dekade prej kur ka nisur projekti për shndërrimin në muze të shtëpisë ku, në prill të vitit 1999, u vranë 9 civilë shqiptarë nga forcat serbe në Mitrovicë, shtëpia është përuruar si Muze i Masakrës në “Lagjen e Boshnjakëve”. Bëhet fjalë për një shtëpi ku edhe në të kaluarën kishte tabela me emrat e të vrarëve, por që së fundmi është rrethuar me xhama e pajisje të tjera që t’i rezistojë kohës. Është një shtëpi private e Mustafë Sahitit, e cila gjendet në atë që tash zyrtarisht është Mitrovica Veriore.
“Ky projekt, në vlerë prej afro 150 mijë eurosh, në këtë vend të kujtesës, është investim në vetëdijen historike të shoqërisë sonë dhe në edukimin e brezave të rinj. Sepse pa të vërtetën nuk mund të ketë drejtësi të plotë, ndërsa pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme”, ka thënë kryeministri Albin Kurti në ceremoninë e përurimit të hënën pasdite.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoInvestimi i Ministrisë së Kulturës ka ruajtur shtëpinë ashtu siç e la lufta e fundit në Kosovë dhe tabelat që gjenden aty prej vitesh nuk janë prekur. Është ndërhyrë më shumë në ambientet përreth shtëpisë për të siguruar qëndrueshmërinë e ndërtesës.
Pas disa tentativave, më 2019 aty u vu njëfarë guri themeltar nga Komuna e Mitrovicës, bashkë me organizatën “Zëri i Prindërve”.
Në atë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme lokale e qendrore, familjarë të viktimave, si dhe shumë qytetarë. Kryetari i atëhershëm i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, kishte thënë se muaji prill ka qenë çdoherë muaj i përkujtimeve më të vështira për Kosovën.
“Sot e çdoherë do t’i kujtojmë njerëzit të cilët me të vërtetë kanë qenë njerëzit më të devotshëm të këtij vendi, duke falënderuar UÇK-në dhe njerëzit që na kanë ndihmuar që sot të jemi të lirë këtu në Kosovën, të cilën e kemi paguar shumë herë më shumë sesa ka pasur nevojë. Ky muaj ka qenë çdoherë muaj i përkujtimeve më të vështira të vendit tonë... Ne sot do ta bëjmë edhe fillimin e muzeut, ku unë kam premtuar se do të jetë kjo pjesë këtu, për arsye se ua kemi borxh këtyre njerëzve që të vijnë dhe të tjerët ta shohin këtë makabritet që ka ndodhur, duke iu falënderuar edhe Qeverisë së Kosovës”, kishte thënë Bahtiri.
Asokohe, Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj, kishte thënë se hapësira do të marrë pamje ashtu siç e meritojnë të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit.
“Ne kemi premtuar se këtu do të restaurojmë një muze çfarë na ka hije neve si qytetarë dhe si Kosovë. Nuk kemi arritur që me kohë t’i kryejmë punët për shkaqe administrative. Kemi shkuar shkurt me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Haradinaj. Mjetet janë ndarë, siç e tha kryetari i Mitrovicës, dhe unë po shpresoj që shumë shpejt kjo gjithçka do të ndryshojë dhe do ta marrë formën siç na ka hije dhe siç e meritojnë të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit... Jemi të gatshëm në çdo moment të jemi me ju për të gjitha problemet tuaja... Mbajuni krenarë, e keni mbështetjen e Qeverisë së Kosovës”, kishte thënë Lluka.
Ndërkaq, Bajram Çerkini, tashmë i ndjerë, në atë kohë kryetar i Shoqatës së të Pagjeturve në Mitrovicë, kishte thënë se lotët e këtij vendi janë të veçantë, derisa u shpreh i pakënaqur me drejtësinë për moskapjen e autorëve të këtij krimi.
“Lotët e këtij vendi janë të veçantë në Kosovë, sepse po shohim ku janë kriminelët. Ata këndej sillen, këtu janë, na shikojnë për dritare, qeshin me ne, ndërsa ne çka kemi bërë”, kishte thënë ai.
Javën e kaluar, shteti ka kujtuar edhe Ymer Elshanin, i cili u vra së bashku me familjen e tij dhe 46 civilë të tjerë në Masakrën e Poklekut në Drenas. Shkrimtari tashmë do të kujtohet dhe nderohet edhe nëpërmjet shtëpisë së tij të kthyer në muze në Korroticën e Poshtme të Drenasit.
Sipas Ministrisë së Kulturës, ky institucion i kujtesës shndërrohet në një pikë të rëndësishme referimi për ruajtjen e së vërtetës historike dhe edukimin e brezave të ardhshëm.
“Shkrimtarët dhe intelektualët janë shpirti i një populli, siç ishte poeti e shkrimtari Ymer Elshani për shqiptarët e Kosovës. Ai u vra dhe u masakrua më 17 prill 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek i Vjetër i Drenasit bashkë me gruan, katër djemtë, kunatën dhe 45 bashkëfshatarë të tjerë që u vranë e u masakruan të njëjtën ditë. Ndërsa nënën ia vranë një ditë më vonë, më 18 prill”, kishte thënë kryeministri Kurti në përurim.
Ai kishte shprehur mirënjohje të veçantë për Teuta Elshanin, të vetmen të mbijetuar të familjes Elshani, e cila me përkushtim e kujdes ka ruajtur gjësendet dhe kujtimet e familjes.