Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Mitrovicës i shkrumbohet monumenti, institucionet zotohen për mbrojtje

Pa kulm, me gjysmë muresh e në tym ka mbetur shtëpia qytetare 300 vjet e vjetër në Mitrovicë, një ditë pasi u përpi nga flakët. Ka humbur jo pak prej karakteristikave që e veçonin e për të cilat mbrohej si aset i trashëgimisë kulturore. Objekti i mbrojtur nga shteti u dogj mbrëmjen e së martës. Një ditë më pas – autoritetet qendrore – të cilat edhe e kanë pasur nën mbikëqyrje – kanë dalë në terren. Sërish janë zotuar se do ta mbrojnë, siç kishin bërë edhe dy muaj më parë kur ishin konfirmuar tentativat për ta rrënuar. “Ju siguroj se këtë betejë mes barbarizmit dhe kulturës do ta fitojë kultura”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku

Është skenari tashmë i shpeshtuar: fillimisht synimet për ta rrënuar, pastaj konfirmohet rasti, të dyshuarit shoqërohen e lirohen, nis restaurimi dhe monumenti merr flakë. Hetimet vazhdojnë, institucionet kompetente thonë se do ta mbrojnë. Kësisoj ka ngjarë edhe me monumentin ikonik të Mitrovicës.

Pa kulm, me gjysmë muresh e në tym ka mbetur shtëpia qytetare 300 vjet e vjetër, një ditë pasi u përpi nga flakët. Ka humbur jo pak prej karakteristikave që e veçonin e për të cilat mbrohej si aset i trashëgimisë kulturore. Objekti i mbrojtur nga shteti u dogj mbrëmjen e së martës, në ditën kur kanë nisur ato që cilësohen ndërhyrje me karakter shpëtimi, si fazë e parë drejt restaurimit e konservimit. Një ditë më pas – autoritetet qendrore – të cilat edhe e kanë pasur nën mbikëqyrje – kanë dalë në terren. Sërish janë zotuar se do ta mbrojnë, siç kishin bërë edhe dy muaj më parë kur ishin konfirmuar tentativat për ta rrënuar këtë objekt 300-vjeçar.

Betejë midis barbarizmit dhe kulturës, e ka quajtur një akt të tillë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pasi ka parë gjendjen në terren. Sipas ministrit, ata që kanë kryer këtë akt, siç e ka quajtur, qyqar, ia kanë vënë flakën në mbrëmjen e së martës.

“Barbarë janë ata që e djegin kulturën dhe historinë e tyre, këtë duhet ta themi qartë: dje patën nisur punimet për shpëtimin e kësaj shtëpie shumë të veçantë, jo vetëm për Mitrovicën, por për krejt Kosovën. Por në momentin kur ra terri, qyqarët në mënyrë tinëzare kanë hyrë dhe ia kanë vënë flakën kësaj shtëpie të shekullit XIX. Ky është qyqarllëk, është krim, që dënohet prej ligjeve të Republikës së Kosovës, për çka u falënderohem institucioneve të sigurisë të cilat po e kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale, dhe për çështjen e hetimeve dhe dyshimeve, ata janë adresa për t’i pyetur ju”, ka thënë ministri Çeku të mërkurën para objektit të djegur e të rrethuar me shiritat e skenave të krimit.

Image
Monumenti i shekullit XIX i rrethuar prej shumëkatësheve

Prej gushtit të sivjetmë, kur u konfirmuan tentimet për ta rrënuar objektin, kishte qenë vetë MKRS-ja që kishte kumtuar masat. Njëra prej tyre: “monitorimi i monumentit nga Policia e Kosovës brenda çdo ore deri në ndryshim të rrethanave”. “Rrethimi i monumentit të rrezikuar, për të siguruar ndërtesën dhe kalimtarët, si dhe hartimi sa më i shpejtë i projektit ideor nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore-Mitrovicë dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për masat e sigurisë-ndërhyrjeve emergjente dhe pajisja me pëlqim, jo më larg se deri nga fundi i gushtit”, kishte qenë vargu i atyre që MKRS-ja i kishte quajtur masa.

Edhe Një vit pas shkrumbimit, 400 mijë euro për monumentin në Mitrovicë Kulturë Një vit pas shkrumbimit, 400 mijë euro për monumentin në Mitrovicë

Ministri Çeku është zotuar edhe për një tjetër gjë. “Ju siguroj se këtë betejë mes barbarizmit dhe kulturës do ta fitojë kultura”, ka thënë ministri Çeku, i cili në terren është shoqëruar prej zyrtarëve të trashëgimisë kulturore. Sipas tij, këtyre rasteve do t’u vijë fundi.

“Këta janë shqelmat e fundit të atyre që mendojnë me e shkatërru të kaluarën, trashëgiminë, për t’iu bërë vend disa interesave, për banesa, qendra tregtare, por larg vlerës që përfaqëson një shtëpi e shekullit XIX, një vlerë e jashtëzakonshme për vendin tonë”, ka thënë ai.

Punimet e ndërprera në ditën kur nisën, sipas tij, do të rifillojnë.

ndalur për fat të keq në mbrëmje për shkak të zjarrit, tashmë zjarri është fikur nga zjarrfikësit, ekipet tona po i bëjnë vlerësimet e dëmit. Në momentin që Policia na siguron se janë krijuar kushtet, menjëherë, mbase edhe sot, nesër, do të fillojnë punimet për të mos u ndalur derisa të përfundojë restaurimi i tërësishëm i kësaj shtëpie”, ka thënë Çeku. Se cilat janë dëmet, ende nuk ka raport zyrtar. Zyrtarë të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, institucion nën varësi të Ministrisë së Kulturës, adresa e parë për trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, edhe të mërkurën kanë qenë të paqasshëm. Ka folur shefi i tyre.

“Punimet që patën filluar dje me karakter shpëtimi, ka qenë faza e parë, drejt një projekti final të restaurimit të përgjithshëm të kësaj shtëpie, me qëllimin që ta mendojmë edhe funksionin qoftë për banim për familjen, qoftë edhe modelet e tjera që familjes i sjell edhe dobi ekonomike në një formë ose tjetrën, pra po, ajo që kemi nisur dje që fatkeqësisht e pati këtë ndërhyrje brutale në mbrëmje, do të vazhdojë deri në restaurimin përfundimtar, dhe funksionalizimin ose dhënien e një funksioni të caktuar për këtë shtëpi shumë të rëndësishme”, ka thënë Çeku.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Avni Zahiti, ka thënë për KOHËN se rasti është cilësuar: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

“Nuk ka ndonjë dëshmi, vepra penale është shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, duhet të kryhen ekzaminimet nga zjarrfikësit, KEK-u, pastaj të merret një vendim se si të procedohet tutje”, ka thënë Zahiti.

Me një skenar të ngjashëm do të përballej në marsin e sivjetmë edhe objekti i Shkollës së Parë Shqipe në Ferizaj. Ndërtesa kishte nisur të restaurohej me projektin që peshon gjysmë milioni euro. Mëngjesi e gjeti në zjarr duke bërë që t’i bjerë çatia e të mbeten vetëm muret. Më vonë u konfirmua zjarrvënia e qëllimshme. Tash, restaurimi i këtij monumenti është drejt fundit. Me zjarrvënie të qëllimshme u përball në gusht edhe Muzeu i Muzikës në Gjakovë.

Edhe Pronari në ndalim policor, rinisin punimet në monumentin e djegur në Mitrovicë Kulturë Pronari në ndalim policor, rinisin punimet në monumentin e djegur në Mitrovicë

Për Sali Shoshin, udhëheqës i organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB-Kosova), sërish, rasti i Mitrovicës është alarm për reflektim. Ka identifikuar disa probleme. Ka fajësuar edhe organet përgjegjëse. “Është e dhimbshme dhe shqetësuese që kaq shpesh po kemi djegie të shtëpive të vjetra. Çdo djegie është një humbje e një copëze të së kaluarës identitare të Kosovës. Sigurisht që në shumicën e rasteve janë djegie të qëllimshme dhe se organet përgjegjëse nuk bëjnë mjaftueshëm për t’i identifikuar autorët dhe për t’i vënë para drejtësisë”, ka reaguar Shoshi.

Demolimi i aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë sanksionohet me Kod Penal. Edhe me Ligjin për Trashëgimi Kulturore gjobitjet shkojnë deri në 500 mijë euro.

Sipas Shoshit, është edhe një faktor tjetër që shpesh po anashkalohet.

“Është mungesa e vëmendjes dhe e masave paraprake për ta trajtuar si duhet një monument të cilit po i atribuojmë vlera të caktuara historike, arkitektonike, artistike e shoqërore. Nuk mjafton që një shtëpi të shpallet monument. Janë dhe plot masa që duhet me u shoqëru me këtë akt”, ka thënë Shoshi duke i renditur ato. I kishte theksuar edhe në raste të tjera shkatërrimi e vënie flake të monumenteve.

“Konsultimi me pronarë për ta bashkëmenaxhuar një monument, kushtimisht një institucion të ri, masat preventive dhe restaururese, funksionalizime dhe mbi te gjitha masat/regjimi mbrojtës i hapësirave përreth (“habitatit”). Zaten, kjo e fundit është me e rëndësishmja”, ka thënë Shoshi duke i theksuar masat, gjegjësisht regjimin mbrojtës përreth. Ligji për trashëgimi kulturore e përcakton qartë perimetrin. Nuk lejohet ndërtim shumëkatësh 50 metra përreth monumentit, por në shumicën e rasteve kjo nuk respektohet.

“Çdo ditë shohim që në mungesë të planeve të konservimit, rreth monumenteve ndërtohen ngrehina shumëkatëshe që janë shumë profitabile për ndërtuesit dhe pronarët dhe kjo pastaj është joshje edhe për pronarët e monumenteve. Rrjedhimisht monumentet përfundojnë të djegura. Ndoshta na duhet pak të mendojmë për një vizion të ri në të cilin vëmendja jonë shtrihet në kontekst, përtej monumenteve”, ka thënë Shoshi.

Deri të një vizion i ri, në Kosovë gjithandej humbasin objekte të vjetra. Dhe atë para syve të institucioneve të vendit. Në rastin e Mitrovicës, një monument unik në këto anë.

Edhe Institucionet sërish zotohen për mbrojtjen e shtëpisë 300-vjeçare në Mitrovicë LAJMET E MBRËMJES Institucionet sërish zotohen për mbrojtjen e shtëpisë 300-vjeçare në Mitrovicë

Databaza elektronike e Ministrisë së Kulturës, kur ishte funksionale për publikun, shkruante se objekti ndodhet në atë që në popull është e njohur si Kaçamak Mëhallë, jo larg nga qendra e vjetër e qytetit të Mitrovicës, në oborrin e gjerë. “Sipas të dhënave, shtëpia është ndërtuar rreth gjysmës së parë të shekullit XIX nga familja Koroglu. Shtëpia ka funksion të banimit. Ajo i takon tipit me çardak të mbyllur”, thuhej në Databazë. E në përshkrimin e saj tregohej se ajo është e ngritur mbi themelin me gurë, se muret masive janë të murosura në përdhese nga guri, ndërsa muret e jashtme të konstruktuara nga brezat e drurit të mbushur me qerpiç formojnë konstruktin e shtëpisë në kat. “Muret e jashtme janë të veshura me teknikën e suvatimit me llaç gëlqeror – horasan. Çardaku dhe muret janë në formë konsolle. Dalja e trarëve të dyshemesë së katit nga planimetria e mureve të përdheses së fasadës jugore dhe asaj lindore jo vetëm që rrit hapësirën e brendshme, por njëkohësisht edhe formon artistikisht pamjen e jashtme të shtëpisë”, thuhej aty. Përshkruhej edhe konstruksioni prej druri i kulmit, që cilësohet si klasik. “Kulmi shumëfaqësorë është i mbuluar me tjegulla të argjilës së pjekur-tjegulla tradicionale qeramidhe. Struktura nuk ka lëvizur. Përveç disa intervenimeve në enterier dhe eksterier, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur origjinalitetin e vet”, shkruhej në Databazë. “Shtëpia nuk ka pësuar ndryshime të mëdha në kohë. Në ditët e sotme shtëpia e vjetër qytetare nuk shfrytëzohet nga familjarët, por shtëpia ende e ka ruajtur karakterin e destinimit për banim”.

Prej të martës mbrëma, muret janë veshur me blozë, trarët janë bërë shkrumb, kulm nuk ka fare. Nëse 300 vjet e ka “ruajtur origjinalitetin e vet” – siç shkruhej kur u mor nën mbrojtje – sot është larg prej tij. Është monumenti i radhës që përpihet prej flakëve.

Image
Prej të martës mbrëma, muret janë veshur me blozë, trarët janë bërë shkrumb, kulm nuk ka fare