Kulturë

Një vit pas shkrumbimit, 400 mijë euro për monumentin në Mitrovicë

Shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë, më 1 nëntor të vitit të kaluar, një ditë pas zjarrit për të cilin dyshohej se ishte i qëllimshëm

Shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë, më 1 nëntor të vitit të kaluar, një ditë pas zjarrit për të cilin dyshohej se ishte i qëllimshëm

Në gushtin e vjetëm shtëpia 300-vjeçare e familjes Koroglu u përball me tentimin për rrënim, e në fund të tetorit iu vu flaka. I dyshuar: vetë pronari i asetit të trashëgimisë kulturore. Ky qe kulmi i një dekade mosmarrëveshjesh midis shtetit që e mbron me letra dhe pronarit. Të martën Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen publike, nëpërmjet së cilës synon që me 412 mijë e 222 euro ta bëjë restaurimin e monumentit. Krejt kjo bëhet pasi pjesa më e madhe e ndërtesës është bërë shkrumb e hi

Tentimi për rrënim dhe zvjarrëvënia që dyshoheshin të jenë të qëllimshme, janë vetëm dy kapituj të shpërfytyrimit të monumentit të shekullit XIX në Mitrovicë. Shtëpia 300-vjeçare e familjes Koroglu është prej rasteve më ilustrative të mosmarrëveshjeve midis shtetit dhe pronarëve për të ruajtur vlerat e një ndërtese tipike qytetare ku paraqiten vlerat e arkitekturës e konteksti social dhe ekonomik i qytetit verior. Është dashur më shumë se një dekadë që shteti t’ia mësyjë një restaurimi e konservimi të plotë të këtij monumenti. Krejt kjo bëhet pasi pjesa më e madhe e ndërtesës është bërë shkrumb e hi.

Të martën Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen publike nëpërmjet së cilës synon  që me 412 mijë e 222 euro ta bëjë restaurimin e monumentit. 

“Restaurimi dhe Konservimi i Shtëpisë së Familjes Koroglu”, titullohet thirrja e hapur nëpërmjet procesit të tenderimit. Projekti është i gatshëm.

“Projekti ka marrë miratimin e Komisionit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe presim që pas përfundimit të procedurave të prokurimit të nisë zbatimi dhe asaj ndërtese t’i kthehen vlerat dhe pamja e mëparshme”, ka thënë Rreze Loxha-Vitaku, zëvendësuese e drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. 

Paraprakisht MKRS-ja kishte bërë ndërhyrje emergjente në ndërtesë. Në gushtin e vitit të kaluar ka pasur tentim për rrënim, përderisa në fund të tetorit ndërtesës i ishte vënë flaka. 

Menjëherë pas kaplimit nga zjarri, kishte nisur ndërhyrja emergjente për shpëtimin e shtëpisë dhe policia kishte ndaluar pronarin si të dyshuar. Monumenti që gjendet në qendër të Mitrovicës qe përballur me tendencë të shkatërrimit. Qe kapluar nga flakët pikërisht në ditën kur kishin nisur ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në mbështetje të ekspertit të zjarreve gjatë ekzaminimit në katin përdhes të shtëpisë kanë hasur tridhjetë e gjashtë (36) bidonë të mbushur e të shenjëzuar me shenjën me materie të rrezikshme-ndezëse”, shkruhej në njoftimin e Policisë në fillim të nëntorit. Sipas Policisë, bazuar në hetimet fillestare, bëhet e ditur se pronari i shtëpisë ishte në dijeni për vendndodhjen e këtyre bidonëve, ku përkundër zjarrit të shkaktuar, ai nuk i kishte njoftuar policinë apo zjarrfikësit.

Shtëpia e familjes Koroglu pas ndërhyrjeve për rrënimin e saj në gushtin e vjetëm

Shteti qe çuar në këmbë pas këtyre rasteve. Pa kulm, me gjysmë muresh e në tym kishte mbetur shtëpia qytetare pasi u përpi nga flakët. Ka humbur jo pak prej karakteristikave që e veçonin e për të cilat mbrohet si aset i trashëgimisë kulturore. Një ditë më pas autoritetet qendrore – të cilat edhe e kanë pasur nën mbikëqyrje – kishin dalë në terren. Sërish qenë zotuar se do ta mbrojnë, siç kishin bërë edhe më parë. 

“Betejë midis barbarizmit dhe kulturës”, e kishte quajtur një akt të tillë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pasi kishte parë gjendjen në terren. 

Institucionet e  trashëgimisë kulturore ka vite që kanë tentuar të bëjnë ndërhyrje emergjente në monument. Por bashkëpunimi me familjen kishte munguar. Sipas institucioneve, pronarët nuk kanë qenë të interesuar dhe nuk kanë bashkëpunuar. Në raste të tilla interesat për ndërtime të larta janë të shpeshta. Kësisoj ka ngjarë në disa qytete në Kosovë. Bëhet fjalë për ndërtesa ikonike si arkitekturë por që gjenden në qendra të qyteteve. 

Relacioni i shtetit më pronarët ka shkuar në dëm të monumentit.

Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij “CHwB Kosova” ka thënë të martën se secili rast është unik në vetvete, por një gjë është e përbashkët. 

“Mënyra se si qaset shteti është analizimi i kontekstit dhe nevojave të pronarit, pastaj ato nevoja i ekuilibron me vlerat e ndërtesës. Duhet gjetur zgjidhja që pronari t’i realizojë interesat e veta, por edhe publiku të ketë qasje në vlerat e monumentit për të cilat gjendet në listën e trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai. Sipas tij, ligjërisht shteti është i obliguar që të koordinohet me pronarët. 
“Pronari ka kontribut në ruajtje të ndërtesës dhe duhet t’i adresohen nevojat e problemet dhe po ashtu duhet treguar edhe kufizimet shkaku i atributeve që ka ndërtesa. Këto duhet të adresohen në një dokument siç është plani i menaxhimit. Nuk ka sens nëse nuk adresohen nevojat e pronarit, pasi më pas vijmë në situata ku ndodhin ato që po ndodhin. Pra, situata të pakëndshme dhe dëme në asete”, ka thënë Shoshi. 

Monumenti para ndërhyrjeve për rrënim dhe zjarrit (Foto: Arben Llapashtica) 

Databaza elektronike e Ministrisë së Kulturës, kur ishte funksionale për publikun, shkruante se objekti ndodhet në atë që në popull është e njohur si “Kaçamak Mëhallë”, jo larg nga qendra e vjetër e qytetit të Mitrovicës, në oborrin e gjerë. “Sipas të dhënave, shtëpia është ndërtuar rreth gjysmës së parë të shekullit XIX nga familja Koroglu. Shtëpia ka funksion të banimit. Ajo i takon tipit me çardak të mbyllur”, thuhej në Databazë. E në përshkrimin e saj tregohej se ajo është e ngritur mbi themelin me gurë, se muret masive janë të murosura në përdhese nga guri, ndërsa muret e jashtme të konstruktuara nga brezat e drurit të mbushur me qerpiç formojnë konstruktin e shtëpisë në kat. 
“Muret e jashtme janë të veshura me teknikën e suvatimit me llaç gëlqeror – horasan. Çardaku dhe muret janë në formë konsolle. Dalja e trarëve të dyshemesë së katit nga planimetria e mureve të përdheses së fasadës jugore dhe asaj lindore jo vetëm që rrit hapësirën e brendshme, por njëkohësisht edhe formon artistikisht pamjen e jashtme të shtëpisë”, thuhej aty. Përshkruhej edhe konstruksioni prej druri i kulmit, që cilësohet si klasik. “Kulmi shumëfaqësorë është i mbuluar me tjegulla të argjilës së pjekur – tjegulla tradicionale qeramidhe. Struktura nuk ka lëvizur. Përveç disa intervenimeve në enterier dhe eksterier, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur origjinalitetin e vet”, shkruhej në Databazë. “Shtëpia nuk ka pësuar ndryshime të mëdha në kohë. Në ditët e sotme shtëpia e vjetër qytetare nuk shfrytëzohet nga familjarët, por shtëpia ende e ka ruajtur karakterin e destinimit për banim”.

Vjet zjarret ishin telashe e madhe në monumente. Me një skenar të ngjashëm do të përballej në mars edhe objekti i Shkollës së Parë Shqipe në Ferizaj. Ndërtesa kishte nisur të restaurohej me projektin që peshonte gjysmë milioni euro. Mëngjesi e gjeti në zjarr duke bërë që t’i bjerë çatia e të mbeten vetëm muret. Më vonë u konfirmua zjarrvënia e qëllimshme. Tash, restaurimi i këtij monumenti ka përfunduar. Me zjarrvënie të qëllimshme u përball në gushtin e vjetëm edhe Muzeu i Muzikës në Gjakovë. Ministria e Kulturës po tenton që nëpërmjet një tenderi prej 400 mijë eurosh ta ribëjë ndërtesën. Por demolimi i aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë sanksionohet me Kod Penal. Edhe me Ligjin për Trashëgimi Kulturore gjobitjet shkojnë deri në 500 mijë euro.