Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, në përmbyllje të fushatës për balotazh ka thënë se nga 9 nëntori, Mitrovica “e nis një kapitull të ri”.
Në një tubim në palestrën “Minatori”, Tahiri ka përsëritur premtimet tek është zotuar se do t’i realizojë të gjitha fjalët e dhëna.
“Nesër është dita kur Mitrovica e nis kapitullin e ri. Nis nga të gjithë ne. Nga secili prej jush. Nga një votë. Nga një vendim. Nga një akt guximi që e kam parë çdo ditë në fytyrat tuaja. Unë, me gjithë forcën time, do ta nderoj besimin tuaj dhe do ta jetësoj çdo premtim që ua kam dhënë. E përsëris, çdo premtim që ua kam dhënë në çdo lagje e çdo fshat, për ju dhe për qytetin tonë. Shumë të respektuar mitrovicas, Le ta përfundojmë këtë fushatë siç e kemi nisur. Me shpresë. Me guxim. Me besim në Zot. Për çdo qytetar të Mitrovicës, e ardhmja fillon të dielën, këtu me ne!” ka shkruar Tahiri pas tubimit.
Arian Tahiri në balotazh përballet me Faton Pecin e Lëvizjes Vetëvendosje. Gara edhe në raundin e parë ishte e ngushtë.