Ani pse nën mbikëqyrje të organeve shtetërore, monumenti ikonik i Mitrovicës është përfshirë nga flakët. Një ditë më pas, autoritetet kanë dalë në terren teksa janë zotuar se do ta mbrojnë atë. Shtëpia e familjes Koroglu u dogj në ditën kur nisi ndërhyrja për restaurimin e këtij monumenti.
Pa kulm e ende në tym, ka mbetur monumenti ikonik i Mitrovicës. Objekti i mbrojtur nga shteti, u dogj mbrëmjen e së martës. Një ditë më pas – autoritetet qendrore – të cilat edhe e kanë pasur në mbikëqyrje – kanë dalë në terren. Sërish janë zotuar se do ta mbrojnë siç kishin bërë edhe dy muaj më parë kur ishin konfirmuar tentativat për ta rrënuar këtë objekt 300 vjet të vjetër. Shtëpia e Familjes Koroglu në Mitrovicë është djegur në ditën kur ka nisur projekti i restaurimit.
Betejë midis barbarizmit dhe kulturës e ka quajtur një akt të tillë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pasi ka parë gjendjen në terren.
“Këta janë shqelmat e fundit të atyre që mendojnë me e shkatërru të kaluarën, trashëgiminë për me i bë vend do interesave, për banesa, qendra tregtare, por larg vlerës që përfaqëson një shtëpi e shekullit XIX, një vlerë e jashtëzakonshme për vendin tonë, beteja midis barbarizmit dhe kulturës do të fitohet nga kultura”, ka deklaruar Çeku.
Ministri Çeku është zotuar se punimet aty do të rinisin menjëherë. Ka qenë pikërisht zjarri që i ka ndërprerë ato që në ditën e parë.
“Punimet që patën filluar dje me karakter shpëtimi kanë qenë faza e parë drejt një projekti final të restaurimit të përgjithshëm të kësaj shtëpie, me qëllimin që ta mendojmë edhe funksionin qoftë për banim për familjen, qoftë edhe modelet e tjera që familjes i sjell edhe dobi ekonomike në një formë ose tjetrën. Pra po, ajo që kemi nisur dje që fatkeqësisht e pati këtë ndërhyrje brutale në mbrëmje, do të vazhdojnë deri në restaurimin përfundimtar, dhe, funksionalizimin ose dhënien të një funksioni të caktuar për këtë shtëpi shumë të rëndësishme”, ka thënë ai.
Nga Policia e Kosovës i kanë thënë KOHËS se tashmë është hapur rast për vepër penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Edhe
Një vit pas shkrumbimit, 400 mijë euro për monumentin në Mitrovicë
“Nuk ka ndonjë dëshmi, vepra penale është shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, duhet të kryhen ekzaminimet nga zjarrfikësit, KEK, pastaj të merret një vendim se si të procedohet tutje”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti.
Autoritetet komunale dhe ato të trashëgimisë kulturore, në korrikun e sivjetmë kishin dyshuar për një tentim të rrënimit të shtëpisë së mbrojtur si monument. Në gusht, e kishin vërtetuar atë. Prej asaj kohe, shtëpia e shekullit XIX, ishte edhe nën mbikëqyrje të organeve policore, siç ishte thënë asokohe, “brenda çdo një ore”.
-
Pronari në ndalim policor, rinisin punimet në monumentin e djegur në Mitrovicë
-
Çeku për djegien e monumentit në Mitrovicë: Gjest barbar, shtëpia do t’i përkasë vetëm kulturës
-
Monumenti ikonik i Mitrovicës digjet para syve të institucioneve
-
Arrestohet pronari i monumentit ikonik të Mitrovicës që u dogj para dy ditësh