Kulturë

Pronari në ndalim policor, rinisin punimet në monumentin e djegur në Mitrovicë

Me pronarin në ndalim 48-orësh nga policia si të dyshuar për rastin e djegies së monumentit 300-vjeçar në Mitrovicë, kanë rinisur punimet e njohura si ndërhyrje emergjente dy ditë pasi shtëpia e mbrojtur me ligj si aset i trashëgimisë kulturore është përfshirë nga flakët. Monumenti që gjendet në qendër të Mitrovicës gjatë këtij viti është përballur me disa ndërhyrje të paligjshme me tendencë të shkatërrimit

Dy veprime konkrete janë ndërmarrë dy ditë pasi monumenti i vjetër 300 vjet në Mitrovicë qe kapluar nga zjarri: ka nisur ndërhyrja emergjente për shpëtimin e shtëpisë dhe policia ka ndaluar pronarin si të dyshuar. Monumenti që gjendet në qendër të Mitrovicës gjatë këtij viti është përballur me disa ndërhyrje të paligjshme me tendencë të shkatërrimit. E të martën mbrëma qe kapluar nga flakët, pikërisht në ditën kur kishin nisur ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu.

Të enjten Policia e Kosovës ka njoftuar se lidhur me veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” janë duke u bërë hetime e ekzaminime.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në mbështetje të ekspertit të zjarreve gjatë ekzaminimit në katin përdhes të shtëpisë kanë hasur tridhjetë e gjashtë (36) bidonë të mbushur e të shenjëzuar me shenjën me materie të rrezikshme-ndezëse”, shkruhet në njoftim. Aty bëhet e ditur se për largimin e bidonëve janë angazhuar edhe njësi të specializuara për trajtimin e materive të rrezikshme nga Forca e Sigurisë e Kosovës. Sipas Policisë, bazuar në hetimet fillestare, bëhet e ditur se pronari i shtëpisë ishte në dijeni për vendndodhjen e këtyre bidonëve, ku përkundër zjarrit të shkaktuar, ai nuk i kishte njoftuar policinë apo zjarrfikësit.

“Për të gjitha veprimet e ndërmarra hetimore është njoftuar prokurori, i cili ndaj pronarit të shtëpisë A. K., 76-vjeçar, ka lëshuar aktvendim për ndalim 48-orësh, si i dyshuar për veprën penale ‘mbajtje e paligjshme e substancave dhe mbeturinave të rrezikshme’”, shkruhet në njoftimin e Policisë.

Në anën tjetër, të enjten Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se kanë rinisur punimet për shpëtimin e monumentit.

Sipas Ministrisë së Kulturës, përpjekjet për shkatërrim të trashëgimisë kulturore nuk do t’i ndalin institucionet.

“Filloi faza e shpëtimit të shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë. Vazhdojmë punën që të përfundojmë misionin tonë me sukses, duke siguruar restaurimin e plotë dhe mbrojtjen e kësaj shtëpie historike dhe çdo aseti tjetër në çdo cep të vendit. Nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtjen e trashëgimisë. Do të fitojë kultura”, shkruhet në njoftimin e MKRS-së.

Pa kulm, me gjysmë muresh e në tym ka mbetur shtëpia qytetare pasi u përpi nga flakët. Ka humbur jo pak prej karakteristikave që e veçonin e për të cilat mbrohej si aset i trashëgimisë kulturore. Objekti i mbrojtur nga shteti u dogj mbrëmjen e së martës, në ditën kur kishin nisur ato që cilësohen ndërhyrje me karakter shpëtimi, si fazë e parë drejt restaurimit e konservimit. Një ditë më pas – autoritetet qendrore – të cilat edhe e kanë pasur nën mbikëqyrje – kishin dalë në terren. Sërish qenë zotuar se do ta mbrojnë, siç kishin bërë edhe dy muaj më parë kur ishin konfirmuar tentativat për ta rrënuar këtë objekt treshekullor.

Betejë midis barbarizmit dhe kulturës, e ka quajtur një akt të tillë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pasi ka parë gjendjen në terren. Sipas ministrit, ata që kanë kryer këtë akt, siç e ka quajtur, qyqar, ia kanë vënë flakën në mbrëmjen e së martës.

“Barbarë janë ata që djegin kulturën dhe historinë e tyre, këtë duhet ta themi qartë: dje patën nisur punimet për shpëtimin e kësaj shtëpie shumë të veçantë, jo vetëm për Mitrovicën, por për krejt Kosovën. Por në momentin kur ra terri, qyqarët në mënyrë tinëzare kanë hyrë dhe ia kanë vënë flakën kësaj shtëpie të shekullit XIX. Ky është qyqarllëk, është krim, që dënohet prej ligjeve të Republikës së Kosovës, për çka u falënderohem institucioneve të sigurisë të cilat po e kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale, dhe për çështjen e hetimeve dhe të dyshimeve ata janë adresa për t’i pyetur ju”, kishte thënë ministri Çeku të mërkurën para objektit të djegur e të rrethuar me shiritat e skenave të krimit.

Prej gushtit të sivjetmë, kur u konfirmuan tentimet për ta rrënuar objektin, kishte qenë vetë MKRS-ja që kishte kumtuar masat. Njëra prej tyre: “monitorimi i monumentit nga Policia e Kosovës brenda çdo ore deri në ndryshim të rrethanave”. “Rrethimi i monumentit të rrezikuar, për të siguruar ndërtesën dhe kalimtarët, si dhe hartimi sa më i shpejtë i projektit ideor nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore-Mitrovicë dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për masat e sigurisë-ndërhyrjeve emergjente dhe pajisja me pëlqim, jo më larg se deri nga fundi i gushtit”, kishte qenë vargu i atyre që MKRS-ja i kishte quajtur masa.

Me një skenar të ngjashëm do të përballej në marsin e sivjetmë edhe objekti i Shkollës së Parë Shqipe në Ferizaj. Ndërtesa kishte nisur të restaurohej me projektin që peshonte gjysmë milioni euro. Mëngjesi e gjeti në zjarr duke bërë që t’i bjerë çatia e të mbeten vetëm muret. Më vonë u konfirmua zjarrvënia e qëllimshme. Tash, restaurimi i këtij monumenti është drejt fundit. Me zjarrvënie të qëllimshme u përball në gusht edhe Muzeu i Muzikës në Gjakovë.

Demolimi i aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë sanksionohet me Kod Penal. Edhe me Ligjin për Trashëgimi Kulturore gjobitjet shkojnë deri në 500 mijë euro.

Databaza elektronike e Ministrisë së Kulturës, kur ishte funksionale për publikun, shkruante se objekti ndodhet në atë që në popull është e njohur si Kaçamak Mëhallë, jo larg nga qendra e vjetër e qytetit të Mitrovicës, në oborrin e gjerë. “Sipas të dhënave, shtëpia është ndërtuar rreth gjysmës së parë të shekullit XIX nga familja Koroglu. Shtëpia ka funksion të banimit. Ajo i takon tipit me çardak të mbyllur”, thuhej në Databazë. E në përshkrimin e saj tregohej se ajo është e ngritur mbi themelin me gurë, se muret masive janë të murosura në përdhese nga guri, ndërsa muret e jashtme të konstruktuara nga brezat e drurit të mbushur me qerpiç formojnë konstruktin e shtëpisë në kat. “Muret e jashtme janë të veshura me teknikën e suvatimit me llaç gëlqeror – horasan. Çardaku dhe muret janë në formë konsolle. Dalja e trarëve të dyshemesë së katit nga planimetria e mureve të përdheses së fasadës jugore dhe asaj lindore jo vetëm që rrit hapësirën e brendshme, por njëkohësisht edhe formon artistikisht pamjen e jashtme të shtëpisë”, thuhej aty. Përshkruhej edhe konstruksioni prej druri i kulmit, që cilësohet si klasik. “Kulmi shumëfaqësorë është i mbuluar me tjegulla të argjilës së pjekur-tjegulla tradicionale qeramidhe. Struktura nuk ka lëvizur. Përveç disa intervenimeve në enterier dhe eksterier, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur origjinalitetin e vet”, shkruhej në Databazë. “Shtëpia nuk ka pësuar ndryshime të mëdha në kohë. Në ditët e sotme shtëpia e vjetër qytetare nuk shfrytëzohet nga familjarët, por shtëpia ende e ka ruajtur karakterin e destinimit për banim”.