Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Monumenti ikonik i Mitrovicës digjet para syve të institucioneve

Pak ka shpëtuar prej monumentit 300 vjet të vjetër në Mitrovicë. Mbrohej si monument i trashëgimisë kulturore, por jo vetëm. Dy muajt e fundit, prej gushtit të sivjetmë, kur autoritetet i konfirmuan tentimet për ta rrënuar, shtëpia qytetare e shekullit XIX, ishte edhe nën mbikëqyrje të organeve policore, siç ishte thënë asokohe, “brenda çdo një ore”

Krejt institucionet qendrore e ato lokale qenë alarmuar dy muaj më parë kur synimet për rrënimin e monumentit ikonik të Mitrovicës ishin të qarta. Krejt bashkë kanë dështuar ta mbrojnë.

Shtëpia e familjes Koroglu është djegur mbrëmjen e së martës. Mbrohej si monument i trashëgimisë kulturore, por jo vetëm. Dy muajt e fundit, prej gushtit të sivjetmë, kur autoritetet i konfirmuan tentimet për ta rrënuar, shtëpia qytetare e shekullit XIX ishte edhe nën mbikëqyrje të organeve policore, siç ishte thënë asokohe, “brenda çdo një ore”.

Të martën, derisa zjarrfikësit kanë qenë në terren bashkë me njësitë policore, Policia Rajonale e Mitrovicës, ka konfirmuar rastin. Në videon që e ka siguruar KOHA, flakët shihen tek përpijnë monumentin.

“Sonte rreth orës 20:10 është raportuar se në rrugën ‘Bedri Gjina’ në Mitrovicë, një shtëpi që është pjesë e trashëgimisë kulturore është përfshirë nga zjarri. Nuk raportohet për persona të lënduar”, ka qenë përgjigjja e Policisë Rajonale të Mitrovicës. Njësitet kompetente policore kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarrit.

Autoritetet komunale dhe ato të trashëgimisë kulturore, në korrikun e sivjetmë kishin dyshuar për një tentim të rrënimit. Në gusht e kishin vërtetuar atë. Njësitë policore kishin identifikuar të dyshuarin i cili ishte shoqëruar në Stacionin Policor Jugu në Mitrovicë, i cili pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, ishte liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tij qe iniciuar rast për veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi i monumenteve ose objekteve të mbrojtura”.

Edhe Një vit pas shkrumbimit, 400 mijë euro për monumentin në Mitrovicë Kulturë Një vit pas shkrumbimit, 400 mijë euro për monumentin në Mitrovicë

Ministria e Kulturës ishte zotuar se institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që monumenti “Shtëpia e Familjes Koroglu” në Mitrovicë, “i cili është dëmtuar në mënyrë të qëllimshme, gjë të cilën e kanë evidentuar autoritetet përkatëse, të mbrohet nga rreziku i mëtejmë”.

Të martën vonë, kur monumenti është përfshirë nga flakët, deri në momentin e raportimit, MKRS-ja nuk ka pasur përgjigje. As zyrtarë të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturë në Mitrovicë.

Dy muaj më parë, Valdete Idrizi, drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Mitrovicës, kishte thënë se beson që institucionet qendrore do të ndërmarrin masa tëtjera për mbrojtjen e këtij monumenti “shumë të vlefshëm” për Mitrovicën. Ka qenë e vetmja që u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS pas lajmit për përfshirjen e monumentit nga flakët. Ka thënë se nuk i di detajet se çfarë ka ngjarë pasi gjendet jashtë vendit.

“Por kjo çfarë ka ndodhur sonte, djegia e një shtëpie 300-vjeçare, e cila ishte edhe nën mbrojtje të shtetit, është e tmerrshme. E papranueshme!”, ka thënë Idrizi nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim. Ka thënë se para disa muajsh i kishte kërkuar Ministrisë së Kulturës që sa më parë të “intervenohej pasi monumenti veçse ishte dëmtuar shumë”.

“Sipas informatave, punimet kishin filluar tek sot”, ka thënë Idrizi. KOHA nuk ka mundur ta konfirmojë nëse punimet restauruese e konservuese kanë nisur të martën, pikërisht kur u përfshi nga flakët. Në fundgusht MKRS-ja ishte zotuar se një varg masash që autoritetet përkatëse janë dakorduar që të ndërmerren ishin: monitorimi i monumentit nga Policia e Kosovës brenda çdo ore deri në ndryshim të rrethanave, rrethimi i monumentit të rrezikuar, për të siguruar ndërtesën dhe kalimtarët, si dhe hartimi sa më i shpejtë i projektit ideor nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore-Mitrovicë dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për masat e sigurisë-ndërhyrjeve emergjente dhe pajisja me pëlqim, jo më larg se deri nga fundi i gushtit.
“Pas ndërmarrjes së këtyre masave, do të vazhdojë hartimi i projektit të konservimit/restaurimit të tërësishëm të ndërtesës”, shkruhej në përgjigjet e MKRS-së më 22 gusht.

“Unë uroj që të moj jetë djegur e gjithë shtëpia dhe që të ketë mundësi rinovimi, sa më shpejt”, ka thënë Idrizi. Por ka shtuar edhe një tjetër çështje. “Shpresoj që ta hetojnë se çfarë ka ndodhur aty, sepse kjo është e papranueshme!”.

Edhe Pronari në ndalim policor, rinisin punimet në monumentin e djegur në Mitrovicë Kulturë Pronari në ndalim policor, rinisin punimet në monumentin e djegur në Mitrovicë

Rastet e djegies së monumenteve tashmë janë bërë trend. Në gusht iu vu flaka Muzeut të Gjakovës. Në mars, Shkollës së Parë Shqipe në Ferizaj. Që të dy monumente.

Shtëpia e familjes Koroglu ndodhet në atë që në popull është e njohur si Kaçamak Mëhallë, jo larg nga qendra e vjetër e qytetit të Mitrovicës, në oborrin e gjerë. Sipas të dhënave, shtëpia është ndërtuar rreth gjysmës së parë të shekullit XIX nga familja Koroglu. Shtëpia ka funksion të banimit. Ajo i takon tipit me çardak të mbyllur”, shkruhej në Databazën e Trashëgimisë Kulturore kur ajo ishte funksionale. E në përshkrimin e saj tregohej se ajo është e ngritur mbi themelin me gurë, se muret masive janë të murosura në përdhese nga guri, ndërsa muret e jashtme të konstruktuara nga brezat e drurit të mbushur me qerpiç formojnë konstruktin e shtëpisë në kat. “Muret e jashtme janë të veshura me teknikën e suvatimit me llaç gëlqeror - horasan. Çardaku dhe muret janë në formë konsolle. Dalja e trarëve të dyshemesë së katit nga planimetria e mureve të përdheses së fasadës jugore dhe asaj lindore jo vetëm që rrit hapësirën e brendshme, por njëkohësisht edhe formon artistikisht pamjen e jashtme të shtëpisë”, thuhej aty. Përshkruhej edhe konstruksioni prej druri i kulmit, që cilësohet si klasik. “Kulmi shumëfaqësorë është i mbuluar me tjegulla të argjilës së pjekur-tjegulla tradicionale qeramidhe. Struktura nuk ka lëvizur. Përveç disa intervenimeve në enterier dhe eksterier, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur origjinalitetin e vet”, shkruhej në Databazë. “Shtëpia nuk ka pësuar ndryshime të mëdha në kohë. Në ditët e sotme shtëpia e vjetër qytetare nuk shfrytëzohet nga familjarët, por shtëpia ende e ka ruajtur karakterin e destinimit për banim”.

Image