Ylli amerikan i muzikës, Taylor Swift, ka dalë fitimtare në një proces gjyqësor që e akuzon për shkelje të të drejtave të autorit.
Kështu, personat që ngrehën padi kundër saj përfunduan duke rënë dakord ta pushojnë çështjen ligjore përpara se të shkonte në gjyq.
Lajmi i mirë për këngëtaren vjen pesë vjet pasi u padit për herë të parë nga, Sean Hall dhe Nathan Butler, dy kompozitorë të cilët kishin argumentuar për një kohë të gjatë se ylli i popit kishte kryer plagjiaturë, kur e shkroi hitin e saj të vitit 2014, “Shake It Off”.
Padia e tyre fillestare e paraqitur në shtator të vitit 2017, pretendonte se Swift i vodhi disa pjesë të tekstit nga kënga e tyre, “Playas Gon’ Play”, e shkruar fillimisht në vitin 2001 për grupin e vajzave “3LW”. Kjo çështje u hodh poshtë nga një gjykatës federal në shkurt të vitit 2018, me ç’rast përfaqësuesit e Swiftit vazhdonin ta pohonin pafajësinë e saj.
Rasti u shqyrtua sërish nga gjykata në shtator të vitit 2020 dhe në dhjetor 2021, kur edhe u vendos që Swift do të përballej në gjyq ndaj akuzave të dyshes paditëse, Hall dhe Butler.
Edhe
Taylor Swift ndërmerr masa kundër përdorimit të zërit e imazhit të saj nga AI-ja
Këngëtarja e famshme duhej të dilte në gjyq muajin e ardhshëm, megjithatë në një kthesë të papritur të ngjarjeve, Hall dhe Butler, duket se kanë ndryshuar fokusin duke kërkuar nga gjykata që ta hedhë poshtë këtë çështje. Sipas revistës “Rolling Stone”, ata nuk do të jenë në gjendje ta padisin Taylorin për të njëjtin rast, nëse ndryshojnë mendje me kalimin e vjetëve. Nuk u dha asnjë arsye për vendimin kompozitorëve për të hequr dorë nga padia.
Megjithëkëtë, Swift tani mund të vazhdojë të përqendrohet në një sërë projektesh të ardhshme, duke përfshirë turneun botëror që ka për qëllim ta promovojë albumin e saj të fundit, “Midnights”, si dhe filmin e saj debutues artistik si skenariste dhe regjisore.