Showbiz

Taylor Swift paralajmëron se po përgatit albumin e 12-të

Taylor Swift

Taylor Swift

Foto: Associated Press

Këngëtarja e njohur amerikane, Taylor Swift, ka paralajmëruar se është duke punuar në albumin e saj të 12-të me radhë. Thashethemet, për albumin që do të titullohet “The Life of a Showgirl”, kanë filluar të qarkullojnë që nga e hëna, pasi ekipi i marketingut të këngëtares ka publikuar 12 fotografi.

“Duke menduar për atëherë kur ajo ka thënë: ‘shihemi në ‘epokën’ tjetër’”, kanë shkruar fansat, raporton BBC.

Pak orë më vonë, i dashuri i saj, Travis Kelce, ka konfirmuar se ajo do të jetë mysafire në podcastin e tij “New Hights”.

Albumi i 11-të i yllit “The Tourtered Poets Department”, i cili u publikua vitin e kaluar, ka thyer rekordin e platformës transmetuese “Spotify” pasi u bë albumi më i transmetuar brenda një dite.

Titulli i albumit u publikua në rrjete sociale, përmes një videoje nga podcasti i Kelces, dhe gjithashtu u lejua paraporosia në webfaqen e saj zyrtare.

Data zyrtare e publikimit të albumit ende nuk është konfirmuar.

Ani pse paraqitja e saj në turneun “Eras” ka qenë mjaft e zëshme, duke mbuluar shumë kryetituj të mediave botërore, viti 2025 filloi i qetë për Swiftin.

Në muajin maj, është raportuar se ajo ka blerë të drejtat autoriale të gjashtë albumeve të para, gjë që  çoi në përfundimin e një beteje të gjatë ligjore për pronësinë e muzikës së saj.

Pasi janë shitur origjinalet, ajo u betua se do t’i riincizonte të gjashtë albumet, që u bënë të njohur si “Taylor’s Version”. Deri më tani ajo ka lansuar katër nga gjashtë gjithsej.

Për këtë, Swift pati bërë të ditur përmes një letre drejtuar adhuruesve, në të cilën shkruante se edhe dy albume të tjerë do të bëhen kur të vijë koha e duhur.

Këngëtarja ka përfunduar turneun “Eras” në muajin dhjetor të vitit 2024, pasi në kuadër të tij ka mbajtur 149 koncerte në 53 qytete.

Vetëm në Britani, ajo ka kënduar për 1.2 milionë njerëz, përfshirë 8 netë në stadiumin Wembley. Turneu arriti të grumbulloi 1 miliardë funte britanike për ekonominë e vendit dhe u bë një ndër arsyet që ajo arriti të marrë statusin e miliarderes.

Ylli gjithashtu ka shumë shpërblime në emër te sajin, ajo u shpall artistja e dekadës nga American Music Awards, është artistja më e shpërblyer e të gjitha kohërave në MTV Video Music Awards dhe ka fituar 14 çmime “Grammy”, përfshirë katër çmime për “albumin e vitit”.