Showbiz

Albumi i ri i Taylor Swift do të vijë edhe në disk të veçantë vinil

Taylor Swift

Taylor Swift

Fansat e Taylor Swift kishin filluar të dyshonin se kompania “Target” nuk do të kishte një version ekskluziv të diskut “vinil” për albumin e ri “The Life of a Showgirl”, i cili publikohet më 3 tetor.

Por, këngëtarja ka njoftuar se bashkëpunimi i gjatë me partnerin e saj, “Target”, do të vazhdojë edhe kësaj here, me një edicion të veçantë të diskut që do të dalë vetëm një herë në treg dhe nuk do të riprodhohet më, ka raportuar Variety.

Ky variant do të mbajë titullin “The Life of a Showgirl: The Crowd Is Your King” dhe do të jetë i shtypur në disk vinil.

Paketa do të përfshijë gjithashtu një kopertinë të veçantë me hapje, një poster të madh me dy anë, një poezi të shkruar nga Swift dhe foto të papublikuara më parë.

Swift e dha lajmin edhe në Instagram.

“Një ‘showgirl’ di të ruajë disa nga truket më të mira për finalen e madhe. ‘The Life of a Showgirl: The Crowd is Your King Edition’ në vinil është i disponueshëm për porosi ekskluzivisht tek @target, derisa të mbarojnë stoqet”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj.

Sipas “Target”, ky edicion është me “sasi të kufizuara” dhe pritet të shitet shpejt në faqen e tyre online, edhe pse nuk është bërë i ditur numri i kopjeve. Fansat që nuk arrijnë ta blejnë në internet do të kenë shans tjetër kur albumi të dalë në shitje edhe fizikisht, në rreth 500 dyqane “Target” që do të qëndrojnë hapur pas mesnate më 2 tetor.

“Target” ka shpjeguar edhe procedurën për blerësit që do të presin radhën në dyqane.

Rreth 50 nga këto dyqane do të qëndrojnë të hapura deri në orën 01:00.

Më herët, “Target” kishte njoftuar se do të shiste tri versione ekskluzive të albumit në format CD, por jo të kufizuara. Ndërkohë, ky vinil i ri do të ketë edhe kopertinë krejt të re, të papërdorur më parë në ndonjë variant tjetër.

Për këtë publikim, Swift ka sqaruar se të gjitha versionet, në vinil, CD dhe kasetë, do të kenë të njëjtat 12 këngë, pa këngë bonus, ndryshe nga albumet e saj të fundit.

“Askush nuk ka pse të shqetësohet se do t’i mungojë ndonjë këngë”, ka theksuar ajo.