Këngëtarja, Taylor Swift, ka ndërmarrë një hap të ri për të mbrojtur veten nga keqpërdorimi nga inteligjencës artificiale (AI), duke kërkuar të regjistrojë si marka tregtare zërin dhe imazhin e saj, ka raportuar The Guardian.
Më 24 prill, kompania e saj “TAS Rights Management” paraqiti tri aplikime për marka tregtare, sipas raportimeve të Variety. Dy prej tyre lidhen me regjistrimin e zërit, konkretisht me frazat që Swift i thotë shpesh: “Hey, it’s Taylor Swift” dhe “Hey, it’s Taylor”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAplikimi i tretë ka të bëjë me një imazh shumë të njohur nga turneu i saj “The Eras Tour”. Përshkrimi përfshin një fotografi ku Swift mban një kitarë rozë me rrip të zi dhe është e veshur me një kostum shumëngjyrësh me shkëlqim dhe çizme argjendi, duke qëndruar në një skenë rozë përpara një mikrofoni shumëngjyrësh, me drita vjollcë në sfond.
Ky veprim vjen pak kohë pasi aktori Matthew McConaughey regjistroi si markë tregtare frazën e tij të famshme “All right, all right, all right” nga filmi “Dazed and Confused”, si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur zërin dhe imazhin e tij nga përdorime të paautorizuara.
“Unë dhe ekipi im duam të jemi të sigurt që sa herë që përdoret zëri apo imazhi im, kjo ndodh sepse unë e kam miratuar dhe kam dhënë pëlqimin tim. Duam të krijojmë kufij të qartë rreth pronësisë, ku leja dhe atribuimi të jenë standard në një botë të inteligjencës artificiale”, ka thënë McConaughey.
Pra, sipas tij, qëllimi është që çdo përdorim i zërit apo imazhit të tij të bëhet vetëm me lejen e tij, duke vendosur kufij të qartë në një botë ku AI po e bën gjithnjë e më të lehtë imitimin.
Rasti i Swift nuk është i izoluar.
Imazhi i saj është përdorur shpesh në përmbajtje të krijuar me AI, përfshirë edhe “deepfake” dhe imazhe të rreme me përmbajtje eksplicite. Në vitin 2024, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka publikuar në platformën e tij Truth Social disa imazhe të krijuara me AI që e paraqisnin gabimisht Swift si mbështetëse të tij për president.
Avokati Josh Gerben ka shpjeguar se kjo është një fushë e re ligjore.
“Përpjekja për të regjistruar zërin e folur të një personazhi të famshëm është një përdorim i ri i markës tregtare që ende nuk është testuar në gjykatë. Historikisht, këngëtarët janë mbështetur te e drejta e autorit për të mbrojtur muzikën e tyre të incizuar. Por teknologjitë e inteligjencës artificiale tani u lejojnë përdoruesve të krijojnë përmbajtje krejtësisht të re që imiton zërin e një artisti, pa kopjuar një incizim ekzistues, duke krijuar një boshllëk që markat tregtare mund të ndihmojnë ta mbushin”, ka thënë ai.
Pra, deri tash këngëtarët janë mbrojtur përmes të drejtave të autorit, por AI po krijon një boshllëk, sepse mund të imitojë zërin pa kopjuar drejtpërdrejt një këngë ekzistuese. Regjistrimi si markë tregtare mund të ndihmojë në mbushjen e këtij boshllëku.
“Duke regjistruar fraza specifike të lidhura me zërin e saj, Swift mund të kundërshtojë jo vetëm kopjet identike, por edhe imitimet që janë ‘të ngjashme në mënyrë që mund të ngatërrojnë’”, ka theksuar tutje Gerben.
Kjo do të thotë se Swift mund të kundërshtojë jo vetëm kopjet e sakta të zërit të saj, por edhe imitimet që janë shumë të ngjashme dhe mund të ngatërrojnë publikun.
Swift ka tashmë mbi 50 marka tregtare të regjistruara që lidhen me emrin, albumet dhe tekstet e këngëve të saj. Pas publikimit të albumit 1989 në vitin 2014, ajo regjistroi fraza si “This sick beat” dhe “We never go out of style”.
Ndërkohë, në vitin 2024 ajo ka regjistruar edhe frazën “Female Rage: The Musical”, që lidhet me një pjesë të performancës së saj gjatë turneut, ku interpreton këngë nga albumi “The Tortured Poets Department”.