Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Taylor Swift kantautorja e dytë më e re në histori që futet në “Songwriters Hall of Fame”

Taylor Swift

Taylor Swift

Foto: Associated Press

Këngëtarja Taylor Swift do të bëhet kantautorja e dytë më e re në histori që futet në “Songwriters Hall of Fame”, duke u renditur menjëherë pas artistit, Stevie Wonder, i cili ishte vetëm 33 vjeç kur u nderua në vitin 1983.

Lajmi u konfirmua të mërkurën nga vetë organizata, ka raportuar The Guardian.

36-vjeçarja, fituese e 14 çmimeve “Grammy”, konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të shkrimit të këngëve në muzikën moderne dhe ky vlerësim e vendos atë përkrah autorëve më të mëdhenj të disa brezave.

Swift do të nderohet së bashku me artistë si Alanis Morissette, Kenny Loggins, si dhe anëtarët e grupit “Kiss”, Paul Stanley dhe Gene Simmons.

Ceremonia e pranimit do të mbahet më datën 11 të muajit qershor këtë vit, në hotelin Marriott Marquis në New York, u njoftua gjatë emisionit CBS Mornings.

Edhe Forbes shpall Taylor Swiftin muzikanten më të pasur ndonjëherë Showbiz Forbes shpall Taylor Swiftin muzikanten më të pasur ndonjëherë

“Janë njerëz që kanë shkruar fjalë për fjalë kolonën zanore të jetës sonë. Këngët me të cilat kërcejmë, qajmë dhe shpërthejmë nga energjia”, tha korrespondenti i kulturës Anthony Mason në CBS Mornings, para se të shpallte emrat e të përzgjedhurve.

“Songwriters Hall of Fame” u themelua në vitin 1969 dhe ka si kriter që kantautorët të kenë një katalog të rëndësishëm këngësh dhe  duhet të kenë kaluar të paktën 20 vjet nga publikimi i parë komercial i një kënge.

Swift, e njohur për hitin “Bad Blood”, ka fituar katër herë çmimin “Grammy” për albumin e vitit.

Publikimi i saj më i fundit, “The Life of a Showgirl”, ka shënuar shitjet më të larta të javës së parë në historinë moderne të muzikës, sipas Billboard, bazuar në të dhënat e kompanisë Luminate që monitoron shitjet muzikore.

Në muajin maj të vitit 2025, këngëtarja ka njoftuar se kishte blerë të drejtat e muzikës së saj, duke rimarrë zyrtarisht pronësinë e të gjitha regjistrimeve origjinale, përfshirë gjashtë albumet e para të karrierës.

Edhe Taylor Swift paditet për shkelje të markës tregtare nga një artiste në Las Vegas Showbiz Taylor Swift paditet për shkelje të markës tregtare nga një artiste në Las Vegas

Po atë vit, turneu rekord “Eras” u shndërrua në një film koncerti dhe në një seri dokumentare me gjashtë pjesë në Disney+, që pasqyron suksesin e jashtëzakonshëm të këtij turneu.

Ndërkohë, albumi i saj i vitit 2024, “The Tortured Poets Department”, ka debutuar në vendin e parë të renditjes Billboard 200 dhe ka shitur ekuivalentin e rreth 8 milionë albumeve vetëm në SHBA, sipas të dhënave të Luminate.