Protestuesit në Venecie po e quajnë “fitore të jashtëzakonshme” faktin që miliarderi amerikan i teknologjisë, Jeff Bezos, dhe të ftuarit e tij janë “detyruar të largohen” nga qendra e qytetit, duke zhvendosur dasmën në një tjetër vend, shkruan BBC.
Vendet e planifikuara për festimet treditore me rastin e martesës së njërit prej njerëzve më të pasur në botë me prezantuesen televizive Lauren Sanchez nuk janë bërë kurrë zyrtare.
Por festimet luksoze pritej të kulmonin të shtunën me një ngjarje në Scuola Grande della Misericordia – një ndërtesë madhështore në zemër të qytetit.
Tani, një zyrtar lokal në Venecie ka konfirmuar se të ftuarit do të mblidhen në Arsenale, një vend më larg qendrës historike të qytetit.
Aktivistët po shprehen triumfues, edhe pse një këshilltar i qytetit e ka quajtur protestën e tyre “qesharake”.
“Jemi shumë krenarë për këtë! Ne jemi askush, nuk kemi para, nuk kemi asgjë!”, ka thënë Tommaso Cacciari, nga grupi që quhet “No Space for Bezos” (Pa Hapësirë për Bezos).
“Jemi vetëm qytetarë që filluam të organizohemi dhe arritëm të largojmë nga qyteti një prej njerëzve më të fuqishëm në botë – gjithë miliarderët”, shtoi ai.
Dasma do të fillojë më vonë gjatë kësaj jave dhe pritet të ketë një listë të ftuarish të famshëm dhe të pasur, ku përflitet se përfshihen Kim Kardashian, Mick Jagger, Leonardo DiCaprio, si dhe disa anëtarë të familjes Trump.
Aeroporti i Venecies pritet të mbushet me aeroplanë privatë, ndërsa jahtet luksoze do të pushtojnë portin; pesë hotele janë rezervuar tërësisht dhe raportohet se ish-marinsa amerikanë janë angazhuar për sigurinë.