Aktivistët në Venecia kanë nisur një sërë protestash kundër themeluesit të “Amazonit”, Jeff Bezos, i cili pritet të martohet me të fejuarën Lauren Sánchez javën e ardhshme në një ceremoni luksoze që mund të mbyllë disa pjesë të qytetit, ka raportuar BBC.
Jeff Bezos, 61 vjeç, është njeriu i tretë më i pasur në botë, me pasuri të vlerësuar në 220.9 miliardë dollarë. Ai është themelues i “Amazon” dhe kompanisë së teknologjisë hapësinore “Blue Origin”.
Dasma pritet të zhvillohet në ishullin San Giorgio, përballë sheshit St Mark, ku sipas mediave italiane, thuajse të gjitha hotelet luksoze janë rezervuar nga të ftuarit e dasmës, ashtu si edhe shumë taksi të ujit.

“Venecia po trajtohet si të jetë vitrinë, si një skenë. Kjo dasmë është simbol i shfrytëzimit të qytetit nga të huajt… Venecia tani është kthyer vetëm në një pasuri”, ka thënë për BBC Federica Toninelli, aktiviste 33-vjeçare nga grupi “No Space for Bezos”.
Ky grup bashkon aktivistë të ndryshëm që luftojnë për më shumë banesa për popullsinë vendase dhe për ndalimin e anijeve turistike gjigante.
VIDEO:
“Të gjitha këto çështje lidhen me njëra-tjetrën. Ato kanë të bëjnë me faktin që Venecia po shndërrohet në një vend që vendos turistët, dhe jo banorët, në qendër të politikave të saj”, ka thënë Toninelli.
Të enjten, aktivistët kanë vendosur pankarta kundër Bezosit në bazilikën e San Giorgio Maggiore dhe në urën Rialto. Ata po planifikojnë të ndërhyjnë edhe gjatë dasmës duke u hedhur në kanale për të penguar taksitë e ujit dhe duke bllokuar rrugicat e ngushta për të ndaluar të ftuarit të arrijnë në vendin e dasmës.

Në rrjetet sociale, protestuesit kanë akuzuar kryetarin e bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, duke thënë se “ai i trajton banorët si bezdi… sepse për të, Venecia vlen vetëm si sfond për ngjarje që i bëjnë të pasurit edhe më të pasur”.
Organizatorët e protestave kanë theksuar se veprimet e tyre do të jenë krejtësisht paqësore.
“Ne duam të nisim një debat në qytet dhe të themi që njerëz si Bezos, që përfaqësojnë një të ardhme që nuk e duam, nuk janë të mirëpritur këtu”, ka thënë Toninelli, duke përmendur bizneset e Bezos dhe afërsinë e tij me administratën Trump.
Nga ana tjetër, kryetari Brugnaro u shpreh se po ndihet i turpëruar nga protestat.
“Jam i turpëruar nga këto protesta. Cili qytet tjetër do të organizonte një komitet kundër dasmës së një personi kaq të rëndësishëm? Shpresoj që Bezos të mos heqë dorë nga dasma”, ka thënë Burgnaro.
Edhe tregtarët e zonës e kanë kundërshtuar protestën.
“Këto ngjarje sjellin punë dhe pasuri në qytet, përndryshe do të na mbetet vetëm turizmi i lirë dhe i përkohshëm”, ka thënë tregtari Setrak Tokatzian për mediat italiane.
Bezos dhe Sánchez, autore dhe ish-prezantuese lajmesh, janë bashkë prej disa vitesh dhe u fejuan në vitin 2023. Edhe pse detajet e dasmës nuk janë bërë publike, aktivistët besojnë se ceremonia do të mbahet në Kishën e shekullit të 10-të Abbey of Misericordia.
Rreth 200 të ftuar pritet të marrin pjesë, shumë prej tyre do të qëndrojnë në hotelet më ekskluzive të Venecias ose në jahtet e Bezos, Koru dhe Abeona.
Sipas revistës Vogue, në listën e të ftuarve mund të jenë, ylli televiziv, Kim Kardashian, e cila mori pjesë në festën e beqarisë së Sánchez në Paris muajin e kaluar, këngëtarja Katy Perry, e cila bashkë me Sánchez ka fluturuar në hapësirë me raketë të “Blue Origin”, dhe anëtarë të familjes Trump.
Toninelli ka thënë se protesta synon të tërheqë vëmendjen për problemet më të thella të qytetit dhe lagunës së tij të brishtë. Numri i banorëve vendas ka rënë dukshëm pasi shumë shtëpi janë kthyer në apartamente për pushime. Sipas grupit lokal “Ocio”, në vitin 2023, për herë të parë numri i turistëve e ka tejkaluar numrin e banorëve. Sot, Venecia ka më pak se 49,000 banorë, krahasuar me 175,000 në vitin 1950.

Vitin e kaluar, qyteti vendosi një tarifë hyrjeje për vizitorët ditorë në ditët me fluks të madh. Kryetari e ka konsideruar këtë sukses, por kundërshtarët politikë thonë se kjo nuk e ka zgjidhur problemin e mbingarkesës.
“Ne nuk jemi kundër turizmit. Edhe ne kemi dëshirë të udhëtojmë. Problemi është kur turizmi shfrytëzohet dhe gjithçka në qytet bazohet vetëm tek ai”, ka thënë Toninelli.
Ajo ka shtuar se duhet të fillojnë të mendojnë për një tranzicion post-turistik”, ka theksuar ajo, duke kërkuar që Venecia të mos jetë më vetëm një skenë për ngjarje madhështore.
“Një administratë që vendos banorët, e jo vizitorët, në qendër, do të ishte një hap i madh përpara”, ka thënë tutje Toninelli.
Ngjarje të tilla luksoze nuk janë diçka e re në Venecia. Në vitin 2014, aktori George Clooney u martua me avokaten e të drejtave të njeriut, Amal Alamuddin, në një ceremoni të madhe, por atëherë nuk pati protesta të këtij niveli.