Showbiz

Mila Kunis, si kryetare e shoqatës së banorëve të lagjes, merret me ankesat e fqinjëve

Mila Kunis

Mila Kunis

Foto: Associated Press

Mila Kunis, e njohur për rolet e saj në film dhe televizion, ka zbuluar një rol krejt të pazakontë jashtë ekranit: ajo është kryetare e shoqatës së banorëve (HOA) në lagjen ku jeton në Los Angeles.

E pyetur për hobi apo angazhime jashtë aktrimit, aktorja 42-vjeçare tregoi për The Wall Street Journal se merret personalisht me ankesat e fqinjëve.

“Nuk e di nëse quhet hobi, por unë jam kryetarja e shoqatës së banorëve në lagjen tonë. Unë i marr ankesat. Nëse dikush ka ankesë për mbeturinat e ndokujt ose për zhurmën, ankohet te unë”, ka thënë ajo, ka raportuar People.

Kur u pyet se si reagojnë njerëzit kur e shohin atë të shfaqet për të dëgjuar ankesat e tyre, Kunis ka thënë se shumica janë tashmë të mësuar, për shkak të jetesës në një qytet si Los Angelesi, ku ka shumë të famshëm.

Ajo ka shtuar se pjesa më argëtuese e këtij roli janë problemet e zakonshme të komunitetit.

“Pjesa më qesharake është kur duhet të thërras dikë për të parë rrugën sepse është dëmtuar dhe ata vijnë e fillojnë të qeshin. Unë u them: ‘E di që duket qesharake, por ju lutem, a mund të më jepni një ofertë për këtë?’”, ka thënë Kunis.

Përveç rolit në komunitet, ylli i filmit “Bad Moms” ka folur edhe për rutinën e saj të përditshme, të cilën e ka përshkruar si shumë të thjeshtë dhe pa shumë stres, me bashkëshortin, aktorin, Ashton Kutcher dhe dy fëmijët e tyre, Wyatt 11 vjeçe dhe Dimitri 8 vjeç.

“Çdo ditë zgjohem në orën 6:15. Gjëja e parë që bëj është të fik alarmin. Ose burri im zgjohet në 5:30 për t’u stërvitur, ose unë i jap edhe një orë gjumë. Përgatis kafen për vete, ushqimin dhe drekën për fëmijët, pastaj Ashton i dërgon ata te autobusi. Është shumë relaks”, ka treguar ajo.

Kunis ka shtuar me humor se ndonjëherë arrin të stërvitet në mëngjes, por jo gjithmonë ka kohë për dush.

“Ndonjëherë kam kohë vetëm të pastroj sqetullat. Mos më sulmoni”, ka thënë ajo me shaka.

Mila Kunis dhe Ashton Kutcher janë të martuar që nga viti 2015. Në vitin 2021, ata hapën dyert e shtëpisë së tyre të ndërtuar me porosi në Beverly Hills për Architectural Digest. Prona, e quajtur KuKu Farms, shtrihet në rreth gjashtë hektarë dhe u ndërtua për pesë vjet.

“Donim që shtëpia të ndihej si një shtëpi, jo si një pallat. Donim të dukej si një hambar i vjetër, diçka që ka ekzistuar prej dekadash dhe më pas është kthyer në shtëpi, por që të ishte edhe moderne”, pati thënë Kunis asokohe.

Edhe pse çifti praktikon bujqësi të qëndrueshme dhe ka zgjedhur një stil të thjeshtë, shtëpia ka edhe disa elemente luksi. Një nga banjot ka karrige në stil froni, të porositura në Indi, ndërsa hapësira për argëtim zbukurohet nga një llambadar gjigand nga kristali rreth tre metra i lartë.

Pavarësisht këtyre detajeve luksoze, Kutcher ka thënë se shtëpia i jep një ndjenjë qetësie.

“Kur jam aty, ndihem sikur bota ka kuptim”, u shpreh ai.