Duke folur hapur për largimin nga qyteti dhe zgjedhjen e një jete të qetë në fshat, aktori 74-vjeçar Kurt Russell zbuloi se ky vendim e ndihmoi të ndërtonte stilin e jetës që kishte ëndërruar gjithmonë së bashku me partneren e tij prej shumë vitesh, aktoren 80-vjeçare Goldie Hawn.
Duke shpjeguar arsyet e zgjedhjes së tij, ai tha se vendimi për t’u shpërngulur nuk kishte të bënte me largimin nga Hollywoodi, por me mënyrën e jetesës që dëshironte.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Gjithmonë kam dashur që një ditë të merresha me jetën në fermë dhe blegtori,” tha ai.
Kurt, i njohur për rolet në filmat “Escape from New York”, “The Thing, Tombstone”, “Backdraft dhe Miracle”, tregoi se ai dhe Goldie kanë kaluar katër dekada duke ndërtuar jetën e tyre në një fermë në Kolorado, pasi blenë tokë në zonën e Old Snowmass.
Çifti, që konsiderohet një nga lidhjet më jetëgjata në Hollywood, rriti aty familjen e tyre, përfshirë Oliver Hudson, Kate Hudson, Wyatt Russell dhe Boston Russell.
“Disa vite pasi unë dhe Goldie u bëmë bashkë, ndërtuam një fermë atje, ku u rrit familja jonë. Kjo ndodhi 40 vjet më parë”, kujtoi ai.
Aktori shtoi se në atë kohë vendimi i tij u konsiderua i pazakontë, veçanërisht në industrinë e argëtimit, ku shumica e yjeve jetonin në Los Anxhelos.
“Nuk po largohesha nga diçka. Thjesht po jetoja aty ku doja të jetoja”, ka thënë ai.
“Kam qenë me fat që kjo nuk ndikoi fare në karrierën time. Por kur e bëra atë hap, askush tjetër nuk po vepronte kështu. Shumë njerëz më thanë: ‘Kaq ishte, mbaroi për ty’. Unë u përgjigja: ‘Do ta shohim’”, ka shtuar ai.
Vitet e fundit, Kurt dhe Goldie kanë vazhduar të tërheqin vëmendjen si një nga çiftet më të qëndrueshme të Hollywoodit.
Goldie mbetet shumë e dashur për publikun falë filmave si “Private Benjamin”, “Overboard”, “Death Becomes Her” dhe “The First Wives Club”.
Ndërkohë, karriera e Kurt Russellit shtrihet në më shumë se gjashtë dekada, nga prodhimet e Disneyt gjatë rinisë së tij deri te bashkëpunimet me regjisorin Quentin Tarantino në filmat “The Hateful Eight” dhe “Once Upon a Time in Hollywood”.
Duke folur për Los Anxhelosin, Kurt theksoi se nuk ka asnjë ndjenjë negative ndaj qytetit.
“Nuk e urrej Los Anxhelosin. Thjesht nuk është mënyra ime e preferuar e jetesës. Duhet të kuptoni diçka për atë zonë. Të gjithë ata që jetojnë atje, jetojnë sepse duan vërtet të jenë aty. Nuk mund ta them të njëjtën gjë për Los Anxhelosin”, ka thënë ai.
Kurt tregoi gjithashtu se një nga shpërblimet më të mëdha të këtij vendimi ishte mundësia për t’u dhënë fëmijëve të tij një jetë të lidhur ngushtë me natyrën.
“Është krejt ndryshe nga të jetuarit në një qytet”, ka shtuar ai.
Duke përshkruar ambientin ku u rritën fëmijët e tij, ai tha “Ata u rritën duke përjetuar gjithçka që natyra mund të ofrojë. Ka vështirësitë e saj, por edhe shpërblime të jashtëzakonshme. Unë ndihem shumë më rehat atje.”
Aktori bëri gjithashtu krahasime me fëmijërinë e tij.
“Ishte shumë e ngjashme me mënyrën se si u rrita unë në Maine. Mendoj se, sapo përjeton një mënyrë të tillë jetese, ajo mbetet gjithmonë shtëpia jote. Gjithçka që ndërtuam atje dhe mundësitë që krijuam për fëmijët tanë më bëjnë jashtëzakonisht të lumtur. Jam vërtet krenar që ia dolëm ta realizonim këtë.”