Aktori i njohur i Hollywoodit, Steve Carell, ka treguar se nuk përdor rrjete sociale sepse mendon se nuk ka kohë për to dhe se njerëzit nuk do të ishin të interesuar për jetën e tij të përditshme.
63-vjeçi ka qëndruar larg platformave si Instagrami dhe TikToku dhe beson se kjo ka qenë zgjedhja e duhur për të.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Thjesht nuk ndiej se kam kohë për këtë, dhe nuk dua ta nënvlerësoj. Mendoj se rrjetet sociale mund t’u shërbejnë shumë njerëzve dhe janë padyshim një pjesë e rëndësishme e kulturës sonë”, ka thënë ai në një intervistë për revistën L'Officiel.

Megjithatë, ai ka shtuar se do të mërzitej me veten nëse do të ishte aktiv në rrjete sociale.
“Do të mërzitesha me veten në rrjete sociale. Nuk besoj se kujt i intereson çfarë kam ngrënë për darkë apo gjëra të tilla. Ideja për të postuar diçka, për të pritur reagimet dhe pastaj për t’iu përgjigjur reagimeve… nuk është për mua”, ka thënë aktori.
Kur u pyet se si e kalon kohën nëse nuk përdor rrjete sociale, Carell u përgjigj me humor duke thënë se qëndron në dhomë të zbrazët.

“Duke qëndruar në një dhomë boshe dhe duke parë një llambë. Kam hobi. Luaj sporte. Kaloj kohë me fëmijët e mi. Unë dhe gruaja ime po përpiqemi të udhëtojmë më shumë tani që fëmijët janë rritur dhe janë larguar nga shtëpia”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se jeta e tij është mjaft e qetë.

“Punoj dhe shkruaj kur kam mundësi. Është një jetë shumë e thjeshtë, nuk ka ndonjë gjë spektakolare për të treguar. Ky do të bëhet një artikull i mrekullueshëm: ‘Njeriu më i mërzitshëm’”, ka thënë aktori.
Në intervistë, Carell ka pranuar gjithashtu se nuk ka qenë kurrë pjesë e jetës së zhurmshme të festave në Hollywood. Ai dhe bashkëshortja e tij, Nancy Carell, preferojnë një jetë më të qetë.

“Nuk ishte një vendim i vetëdijshëm për të qëndruar larg, thjesht nuk më dukej një botë reale. Gjëja më e rëndësishme ishte që fëmijët tanë të kishin një rritje sa më normale. Unë dhe gruaja ime nuk jemi tipa festash në Hollywood. Më pëlqen të bëj punën time dhe kam miq në punë, por nuk dalim shpesh. Shumica e miqve tanë janë prindërit e shokëve të klasës së fëmijëve tanë”, ka thënë Carell.

Aktori ka zbuluar gjithashtu se tani që fëmijët e tyre janë rritur dhe janë larguar nga shtëpia, ai dhe gruaja e tij planifikojnë të udhëtojnë më shumë. Megjithatë, ai thotë se gjen kënaqësi edhe në gjëra shumë të thjeshta, si puna në oborrin e shtëpisë.

“Mund të kaloj orë të tëra duke pastruar gjethet. Gëzohem shumë kur blej pajisje të reja për këtë punë. Së fundmi bleva edhe një makinë për thithjen e gjetheve që mbahet në shpinë dhe më pëlqen shumë”, ka thënë ai.