Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Nicolas Cage: Vajza ime është më e rëndësishme se karriera në Hollywood

Nicolas Cage

Nicolas Cage

Foto: Associated Press

Aktori Nicolas Cage ka zbuluar se familja, e sidomos vajza e tij e vogël, është prioriteti kryesor në jetën e tij, duke lënë në plan të dytë karrierën në Hollywood.

62-vjeçari, i martuar me aktoren Riko Shibata që nga viti 2021, ka treguar se vajza e tyre katërvjeçare, August, është fokusi i përbashkët i çiftit.

“Prioriteti ynë është vajza dhe ky është qëllimi që na bashkon. Kur kthehem në shtëpi, i lë pas të gjitha angazhimet e xhirimeve dhe bëhem baba. Të dy jemi aty për të”, u shpreh Cage në një intervistë për revistën People.

Aktori është gjithashtu baba i dy djemve nga marrëdhëniet e mëparshme, Weston, 35 vjeç, dhe Kal-El, 21 vjeç. Në vitin 2022, ai dhe bashkëshortja e tij mirëpritën vajzën e tyre të parë së bashku, August Francesca Coppola Cage.

Pavarësisht suksesit të madh në kinematografi, fituesi i çmimit “Oscar” dhe “Golden Globe” ka treguar se nuk e konsideron veten një artist që i di të gjitha. Përkundrazi, ai thotë se vazhdon ta shohë veten si një nxënës që ka gjithmonë diçka të re për të mësuar.

“Gjithmonë e kam parë veten si nxënës në këtë profesion. Nuk do ta quaja kurrë veten mjeshtër, sepse gjithmonë ka diçka për të mësuar”, ka deklaruar ai për Entertainment Tonight.

Cage ka treguar gjithashtu se dëshiron t’i kushtojë më shumë kohë leximit, duke vendosur si synim të lexojë një libër në javë.

I konsideruar si një nga aktorët më të kërkuar të Hollywoodit që nga mesi i viteve 1990, ai ka pasur edhe projekte që nuk janë pritur mirë nga publiku dhe kritika. Megjithatë, Cage ka këmbëngulur se gjithmonë i është përkushtuar plotësisht punës së tij.

“Edhe kur realizoja katër filma në vit, njëri pas tjetrit, gjithmonë përpiqesha të gjeja diçka që të më lejonte të jepja maksimumin. Jo të gjithë filmat patën sukses, por unë kurrë nuk e bëra punën sa për të kaluar radhën”, ka thënë aktori për revistën GQ.