Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita akuzon pushtetin në Prishtinë për “gjendje shqetësuese” financiare

kuvendi i prishtines

Foto: KOHA

Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës e ka akuzuar pushtetin për “gjendje shqetësuese” financiare në Komunë.

Gjatë diskutimit të raportit financiar buxhetor të Komunës së Prishtinës për tremujorin e tretë të këtij viti shefi i grupit të asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, ka thënë se gjendja e financave është shqetësuese.

Sipas tij, të hyrat po bien e shpenzimet po rriten. Ai u ka bërë thirrje asamblistëve të mos e lëshojnë sallën si javën e kaluar, siç ka thënë, vetëm pse kryetari Përparim Rama është marrë në pyetje nga Prokuroria”. Kjo pasi, sipas tij, “kryetari do qëndrojë më shumë në prokurori se në komunë”.

“Kryetari do të rri më shumë në prokurori se në komunë, prandaj mos i lëshoni seancat si javën e kaluar sepse do mbesim pa i mbajte seancat”, është shprehur Sveçla.

Gjatë kohës sa Sveçla ka qenë duke folur Egzon Pacolli, shef i grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur dhe e ka kundërshtuar.

“Derisa i duartrokisni veprimet e tilla të një personi që zyrtarisht është i dyshuar për keqpërdorim financiar, këtë po mundoni ta heshtni sepse iu delegojnë disa punë në ‘Termokos’, disa tenderë që rriten me nga 100 mijë euro për dy muaj, edhe ata shkojnë në stacion e në Prokurorinë Speciale pa merak, secili nga ju do të japë përgjegjësi”, ka thënë Sveçla.

Ndërkohë asamblisti i VV-së, Feim Osmani, ka thënë se raport është kopje e raporteve të kaluara.

“Raporti po na e bën të qartë se po rriten shprehitë për të hyrat vetanake nga qeveria dhe jo grumbullimi i të hyrave vetanake. Përmbaruesit privat janë kryefjala e shpenzimit të financave tona dhe kjo po na tregon se Komuna është duke shkuar drejt falimentimit të financave si pasojë e keqmenaxhimit të buxhetit, si pasqyrë e punës së ekzekutivit”, ka thënë Osmani.