Aktorja Amanda Seyfried, ka pranuar se e ka shumë të vështirë të vendos balancë mes punës dhe familjes.
39-vjeçja, që ka një vajzë tetëvjeçare dhe një djalë pesëvjeçar me bashkëshortin Thomas Sadoski, po përgatitet për publikimin e dy filmave të rinj ”The Housemaid” dhe “The Testament of Ann Lee”, muajin e ardhshëm, ndërsa po lansohen edhe produkte të reja nga kompania e saj për fëmijë, “Make It Cute”.
Ajo thotë se gjithë kjo ngarkesë e ka çuar “pak drejt çmendurisë”.
“Sinqerisht tash është shumë e vështirë. Kjo është koha ku kam punuar më së shumti, me dy fëmijë në shtëpi, dhe asnjëherë si kam publikuar dy filma në të njëjtën kohë. Prandaj jam pak si e ‘çmendur’ tani”, ka thënë ajo për US Weekly.
Ani pse të dy filmat janë shumë të ndryshëm, Seyfried ka thënë se është po aq krenare për secilin.
“Oh zot, nuk mund të jenë më të ndryshëm. Jam njësoj e lumtur për të dy. Do të jem e sinqertë, ‘The Housemaid’ është… mos e lexoni librin para se ta shihni filmin sepse do t’ua prishë mendimet”, ka thënë ajo.
Sipas saj, filmi vjen në kohën e duhur pasi ka thënë se projekti është pikërisht ajo që duhej, sidomos rreth kohës së festave.
Seyfried ka krijuar brendin e saj të lodrave të qëndrueshme, “Make It Cute”, me shoqet e saj të fëmijërisë, Maureen North dhe Anne Hoehn, dhe ka thënë se s’do të dëshironte të punonte me askënd tjetër.
Ato janë grupi im i nënave. Të gjitha i kemi moshatar fëmijët e parë… ishte një komunitet që nuk e kam pasur diku tjetër”, ka thënë aktorja.
Ajo ka shtuar se me këto shoqe flet shumë hapur për gjithçka dhe se e konsideron si komunitet shumë intim e të rehatshëm.
Ideja për kompaninë lindi gjatë takimeve në Zoom gjatë izolimit të cshkaktuar nga pandemia COVID-19.
“Asnjëra nga ne nuk ishim duke punuar dhe izolimi të ofronte një lloj hapësire që të mund të eksplorosh nevojat që kishim në mënyrë artistike e kreative… Pinim verë e rrinim duke biseduar në Zoom e FaceTime dhe flisnim për gjërat që do të mund ti krijonim në botë. Dukej si një mundësi shumë e mirë që të bashkoheshim për të bërë dicka”, ka thënë Sayfried.
Aktorja e filmit “Mamma Mia!” ka thënë se, gjatë xhirimeve, shpesh “humb në punë”, por përpiqet të kalojë sa më shumë kohë me shoqet.
“Kemi bërë shumë udhëtime bashkë këtë vit… kemi dalë bashkë dhe kjo është e nevojshme kur keni nga dy fëmijë. Ka qenë me të vërtet shumë kënaqësi… është shumë mirë të kesh kësi shoqërish. Kemi kaluar nëpër adoleshencë bashkë dhe ende jemi shoqe. Më kanë bërë edhe në momentet më kaotike që kam pasur”, ka thënë ndër të tjera aktorja.