Aktorja e mirënjohur, Amanda Seyfried, ka kaluar gati një vit duke u përgatitur për rolin kryesor në filmin “The Testament of Ann Lee”, ani pse xhirimet zgjatën vetëm 34 ditë.
Aktorja 40-vjeçare luan rolin e Ann Lee-n, një figurë shpirtërore historike, në filmin e regjisores Mona Fastvold. Ajo ka treguar se përgatitjet nisën shumë herët, pikërisht sepse koha për xhirime ishte shumë e kufizuar.
“Po, sigurisht që të vë nën presion, por Mona Fastvold ka rreth vetes mjeshtrit më të mirë në fushat e tyre. Shefat e të gjitha departamenteve lanë gjithçka për këtë projekt dhe kishin kohë që punonin për të bashkë me mua”, ka thënë aktorja për revistën Collider.
Ajo ka treguar se ekipi kishte nisur punën shumë përpara se të shkonin në Budapest për xhirime.
“Ne kemi punuar për këtë film për një vit përpara se të shkonim në Budapest. Kishim bërë tashmë një workshop dhe kemi xhiruar disa skena që përfundojnë në film në janar, në Massachusetts. Pra po, 34 ditë janë qesharake, por pikërisht sepse e dinim që nuk kishim shumë kohë apo para, mblidheshim në ditët tona të lira nga projekte të tjera dhe punonim për aspekte të ndryshme”, ka thënë ajo.
Seyfried ka treguar se një pjesë e madhe e përgatitjes së saj lidhej me theksin dhe punën fizike për rolin.
“Unë kam punuar vazhdimisht me Tanera Marshall për theksin e Manchesterit, sepse ishte sfidë shumë e madhe për mua”, ka thënë ylli.
Ajo ka shtuar se bashkëpunimi me koreografen Celia Rowlson-Hall ishte intensiv dhe i vazhdueshëm.
“Celia dhe unë punonim së bashku në një studio të vogël, përballë një dyqani me krofne. Bënim seanca nga pesë orë çdo ditë, çdo javë, kurdo që kishim kohë”, ka treguar ajo.
Edhe muzika ishte pjesë e hershme e përgatitjeve. Seyfried ka thënë se kishte nisur bashkëpunimin me kompozitorin Daniel Blumberg një vit përpara xhirimeve.
“Kemi punuar në FaceTime për një vit. Seancën time të parë në studio e bëra në Brooklyn, në dhjetor, vitin e kaluar ose një vit më herët”, ka thënë ajo.
Pavarësisht kohës së shkurtër të xhirimeve, aktorja ka thëne se u ndie e përgatitur kur mbërritën në Budapest.
“Ishte pak kohë, por të gjithë dhamë energjinë dhe kohën tonë për një vit të tërë më parë, sepse e dinim që kur të ishim aty, do të na mungonte koha. Prandaj, u ndieva disi e gatshme”, ka thënë ajo.
Në film, personazhi i Ann Le-së lind katër herë, por humb të gjithë fëmijët. Seyfried ka thënë se ishte shumë e rëndësishme që këto skena të trajtoheshin me ndjeshmëri dhe realizëm.
“Humbjet e saj i sheh njëra pas tjetrës. Ishte shumë e rëndësishme për mua dhe për Monan që skenat e lindjes të shfaqeshin ashtu siç janë në të vërtetë, jo vetëm për të nderuar Ann Leen, por edhe miliona njerëz që kanë humbur fëmijët gjatë lindjes apo që kur i kishin fishnje”, ka thënë aktorja.
Ajo ka theksuar se filmi nuk shmang anën e vështirë dhe fizike të procesit të lindjes.
“Nuk e sheh shpesh këtë, por duhet të hysh thellë në këto momente që publiku ta kuptojë pse ajo përfundon duke u shkëputur nga realiteti dhe duke u ngritur në një udhëheqje shpirtërore, pothuajse si një figurë e ardhjes së dytë të Jezusit. Duhet ta kuptosh saktësisht pse”, ka thënë ndër të tjera ajo.