Showbiz

Amanda Seyfried sjell në jetë profeten e harruar

Amanda Seyfried

Amanda Seyfried

Në filmin “The Testament of Ann Lee” aktorja e njohur Amanda Seyfried portretizon Ann Leen, predikuese revolucionare që solli lëvizjen fetare të krishterë të quajtur "Shakers" nga Manchesteri në kolonitë amerikane në vitin 1774.

Në një nga skenat, dy ndjekës të rinj shkelin urdhrin kryesor të sektit, rregullin e një jete beqarie.

Nuk ka rrahje me kamxhik apo ndëshkim tjetër. Vetëm një udhëzim i qetë që çifti i ri duhet të largohet nga kisha e saj.

“A mund të udhëheqësh pa ego, pa frikë apo ngurrim?” ka thënë regjisorja Mona Fastvold, duke përmbledhur thelbin e figurës së Ann Lees, shkruan CNN.

Ann Lee lindi në vitin 1736 dhe udhëhoqi lëvizjen "Shakers" deri në vdekjen e saj në vitin 1784. Lëvizja predikonte barazi gjinore, jetë komunitare dhe heqje dorë nga marrëdhëniet seksuale, dhe në kulmin e saj numëronte rreth 6 mijë ndjekës. Ajo shihej nga besimtarët si rikthimi i dytë i Krishtit, një ide radikale për shekullin XVIII.

Fastvold u përball me vështirësi të mëdha për ta realizuar filmin, i cili është një përzierje mes dramës historike, muzikës dhe biografisë. Projekti u financua në mënyrë të pavarur.

“Është jashtëzakonisht e vështirë të bësh filma të tillë”, ka thënë ajo, duke iu referuar edhe kritikave të aktores Kristen Stewart për industrinë që anashkalon historitë e fokusuara te gratë.

Traileri i filmit “The Testament of Ann Lee”:

Seyfried ka pranuar se roli ishte “i frikshëm”, marrë parasysh se hynte në rolin e një gruaje nga shekulli XVIII te kërkesat fizike dhe emocionale që i kërkonte filmi.

“Kjo frikë ishte pikërisht ajo që më tërhoqi”, ka thënë ajo, duke e cilësuar Ann Leen si një nga personazhet më të rrallë që një aktore ka mundësi të interpretojë.

Edhe pse Ann Lee mund të shihet si figurë kontroverse, Fastvold refuzon krahasimet me udhëheqësit tipikë të kulteve.

“Për Ann nuk bëhej fjalë për veten e saj, por për krijimin e një hapësire ku njerëzit të ndiheshin të sigurt dhe të lirë”, ka thënë ajo. Regjisorja e përshkruan stilin e saj të udhëheqjes si “pa ego dhe ushqyes”, qasje që ajo tha se e mendon shumë në vetvete gjatë xhirimeve, aq sa ekipi e quante “Mother Mona”.

Filmi nuk e idealizon Ann Leen. Ajo predikonte rreptësisht jetesën në beqari, pavarësisht faktit që ishte e martuar. Ajo gënjeu komunitetin e saj se ishte në gjendje të lexonte dhe të shkruante nga frika se kjo do të hidhte dyshime mbi autoritetin e saj dhe ishte pothuajse fëmijërore në pikëpamjen e saj bardh e zi për botën. Por ajo ishte gjithashtu një figurë plot me zona gri - diçka që si Seyfriedi ashtu edhe Fastvoldi ishin të etura ta eksploronin.

“Shpresoj që publiku të dialogojë me idetë e saj, jo thjesht t’i pranojë ato”, ka thënë Fastvold.