Aktorja e mirënjohur e Hollywoodit, Amanda Seyfried, ka thënë se çmimi “Oscar” nuk është i domosdoshëm për karrierë të suksesshme.
40-vjeçarja beson se njerëzit shpesh harrojnë se kush ka fituar çmim e kush jo dhe se mendon se nominimi është më i rëndësishëm sepse ndikon për të mirë në karrierën e një aktori.
Në një intervistë për The New Yorker ajo është pyetur nëse ka rëndësi çmimi “Oscar” për të dhe ajo u përgjigj me “Jo”.
“Jo. A e mban mend se kush ka fituar në 10 vjetet e fundit? Nuk është më rëndësi fitorja. Rëndësi ka nominimi pasi të çon përpara. Ky është fakt. A do të më duhej një ‘Oscar’ këto ditë? normalisht që jo. A do të ishte shumë mirë po ta fitoja? Normalisht që po, për çdo arsye. Por nuk është i nevojshëm”, ka thënë ajo.
Kohëve e fundit, aktorja, e cila është lutur që të nominohej për “Oscar” në vitin 2021 për performancën e saj si Marion Daves, në filmin biografik të vitit 2020 “Mank”, beson se karriera e gjatë e suksesshme vjen si rezultat i vendimeve e zgjedhjeve te duhura, e jo nga shpërblimet.
Seyfried, e cila do të mund të nominohet për çmimin “Oscar” pasi u nominua nga “Golden Globe” e “Chritics’ Choice Awards” për rolin e saj si Ann Lee, ka shtuar se jetëgjatësia e karrierës dizajnohet.
“Jetëgjatësia e karrierës ka të bëjë me zgjedhjen e të bërit art në mes të komercializmit, gjëra që janë të mira e që paguhen. Por, për mua gjithçka është art. Po, filmi ‘The Housemaid’ nuk është se ka kushtuar shumë për t’u realizuar, ka grumbulluar shumë të ardhura dhe ka qenë hit në arkat filmike. Dhe prapë se prapë, çdo zgjedhje që e kam bërë në atë film është po aq artistike se ajo që kam bërë te Ann Lee”, ka thënë ylli.
Ajo ka thënë se më në fund ka arritur t’i gërshetojë dëshirat që ka në mendje e ato që ka në zemër dhe e ka kuptuar se kjo është ajo që do për të gjithë karrierën.
“Do të bëj zhanre të ndryshme sa më shumë që të mundem. Kam arritur deri këtu pa një ‘Oscar’. Pse do të më duhej një tash?”, ka thënë Seyfried.
Ajo ka shtuar se mendon se i ka dëshmuar mjaftueshëm aftësitë që ka dhe se ka arritur t’i bindë njerëzit të ia japin punët e vështira.