Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Ben Affleck nuk dëshiron të përfshihet në “cirkun” politik të Amerikës

Ben Affleck

Aktori dhe regjisori Ben Affleck e ka përjashtuar mundësinë e largimit nga Hollywoodi për t’iu bashkuar garës politike, pasi bashkëaktorët e tij në filmin “Animals” e kanë nxitur të kandidojë për një post publik. Duke iu referuar politikës si “cirk” ai ka thënë se më shumë preferon të bëjë filma për të, sesa të bëhet vetë pjesë e saj

Aktori dhe regjisori fitues i çmimit “Oscar”, Ben Affleck ka thënë se nuk e ka ndërmend të kandidojë për një post publik, pavarësisht inkurajimit nga bashkëaktorët e tij në filmin “Animals”, Kerry Washington dhe Luis Gerardo Mendez.

Fituesi 54-vjeçar i çmimit “Oscar” luan rolin e Mark Kimball, kandidatit për kryetar bashkie të Los Angeles-it, në filmin e ri të Netflix-it, regjinë e të cilit e ka realizuar gjithashtu Affleck, 

Affleck i bëri këto komente në premierën e filmit në Los Angeles, përpara publikimit të tij në disa kinema të përzgjedhura dhe në Netflix më 9 tetor, raporton FimeleFirst.

Në film, Mark Kimball dhe bashkëshortja e tij, Abigail, e luajtur nga Kerry Washington, përballen me një situatë të rëndë pasi djali i tyre rrëmbehet dhe ata detyrohen të gjejnë me nxitim paratë për të paguar shpërblimin e kërkuar për lirimin e djalit. 

Kur u pyet për dëshirën e bashkëaktorëve të tij që ai të kandidonte për një post publik, Affleck tha me shaka, “ndoshta më urrejnë”.

Aktorja Kerry Washington, e njohur sidomos për rolin e këshilltares politike Olivia Pope në serialin e suksesshëm të ABC-së “Scandal”, konfirmoi se pjesëtarët e kastit e kishin nxitur Affleckun ta merrte në konsideratë një hap të tillë.

“Ne vazhdojmë t’i themi se duhet ta bëjë, por ai nuk dëshiron. E dini, politika jonë ndodhet në një pikë ku gjithçka është e mundur, por unë do të doja që njerëzit që kandidojnë për poste publike ta dëshironin vërtet këtë gjë. Dhe ai ka qenë shumë i qartë se nuk dëshiron të kandidojë”, ka theksuar ajo.

Edhe Luis Gerardo Mendez, i cili luan Ramonin, një emigrant meksikan pa dokumente, jeta e të cilit përfshihet në mënyrë të rrezikshme në historinë e kandidatit për kryetar bashkie, e mbështeti me entuziazëm idenë.

“Unë do të votoja patjetër për të. Përpara, Ben Affleck! Ai është i zgjuar dhe seksi – kaq të mjafton”, ka theksuar Mendez.

Megjithatë, Affleck e ka bërë të qartë se nuk ka plane të kandidojë për një post politik, pavarësisht përfshirjes së tij prej vitesh në çështje politike dhe mbështetjes që u ka dhënë më parë kandidatëve demokratë për president, përfshirë Barack Obaman, Hillary Clintonin, Joe Bidenin dhe Kamala Harrisin.

“Ne nuk pyesim më për kualifikimet që duhet të kesh për të mbajtur një post publik. Pyetja është” ‘Dëshiron t’i bashkohesh cirkut? Kush është cirkaxhiu më i madh?’ Mendoj se, pavarësisht se në cilën anë të spektrit politik je, një nga gjërat për të cilat njerëzit mund të bien dakord është zhgënjimi i përbashkët me mënyrën se si ka evoluar politika amerikane”, ka theksuar aktori. “Nuk ka më askënd që mendon: ‘Po, po bëjmë gjithçka siç duhet, gjërat po shkojnë shkëlqyeshëm dhe më pëlqen ky sistem politik’. Dhe ky është një problem”, ka shtuar Affleck.

Sipas tij, në vend që t’i shërbejë publikut, politika është përqendruar gjithnjë e më shumë te mbledhja e fondeve dhe sulmet ndaj kundërshtarëve.

“Gjithçka ka të bëjë me paratë, me mbledhjen e parave. Gjithçka është kthyer në një lloj loje adoleshentësh, se kush mund të tallet më mirë me tjetrin ose kush mund të thjeshtojë dhe banalizojë më shumë një çështje, në vend që të përpiqet të flasë realisht për problemet”, ka deklaruar aktori.

Ajo që i mungon politikës, sipas tij, është udhëheqja. 

“Duhet të udhëheqësh. Nuk mund vetëm t’i frikësosh njerëzit. Nuk mund vetëm t’i sulmosh apo t’u japësh leksione. Nuk mund t’i bësh të ndihen në faj. Duhet t’i frymëzosh. Përndryshe, ata nuk kanë arsye të votojnë për ty”, është shprehur ai.

Në fund Affleck e ka përjashtuar sërish mundësinë e një karriere të vërtetë politike. “Thjesht, duke menduar edhe për interesin tim, e shoh se sa e vështirë dhe rraskapitëse është kjo punë dhe do të preferoja të bëja filma për të”, ka deklaruar ai.

“Animals” shënon një tjetër projekt të Affleckut pas kamerës, pas një karriere si regjisor që ka sjellë filma si “The Town” dhe “Argo”, ky i fundit fitues i çmimit “Oscar” për filmin më të mirë.

Karriera e tij si aktor përfshin filmin fitues të “Oscarit”, “Good Will Hunting”, të cilin e bashkëshkroi me mikun e tij të vjetër Matt Damon, si dhe thrillerin “Gone Girl”, ku luan rolin e Nick Dunne. Ai është gjithashtu i njohur për interpretimin e Batmanit në disa filma të bazuar në personazhet e DC-së.

Netflix e përshkruan “Animals” si një thriller për një çift të përfshirë në politikë, jeta e të cilit në dukje perfekte nis të shkatërrohet pasi djali i tyre rrëmbehet.