Showbiz

James Cameron nga SHBA-ja shpërngulet në Zelandën e Re “për qetësi mendore”

James Cameron me bashkëshorten Suzy Amis Cameron

James Cameron me bashkëshorten Suzy Amis Cameron

Foto: Associated Press

Regjisori i njohur, James Cameron, ka zbuluar se është shpërngulur përfundimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zelandën e Re, duke e quajtur këtë vendim një zgjedhje për “qetësi mendore”.

71-vjeçari ka thënë se e mori vendimin për të zhvendosur familjen gjatë pandemisë COVID-19, pasi Zelanda e Re, sipas tij, e menaxhoi situatën shumë më mirë sesa SHBA-ja.

Në një intervistë për emisionin “In Depth with Graham Bensinger”, Cameron ka treguar se kishte rënë në dashuri me Zelandën e Re dhe me njerëzit e saj që në vizitën e parë në vitin 1994, ka raportuar FemaleFirst.

Në vitin 2011, ai ka blerë edhe një fermë atje, për të kaluar më shumë kohë mes Zelandës së Re dhe Kalifornisë Jugore.

“I bëra vetes një premtim: ‘Një ditë do të vij të jetoj këtu’. Kur unë dhe Suzy filluam ta merrnim lidhjen seriozisht, ajo tha: ‘Në rregull, s’ka problem’. Ajo ishte plotësisht dakord”, ka thënë regjisori.

Cameron është i martuar me ish-aktoren dhe modelen Suzy Amis Cameron që nga viti 2000 dhe së bashku kanë tri vajza: Claire, 23 vjeçe, Quinn, 21, dhe Elizabeth, 18.

Ai ka shpjeguar se, pavarësisht që kishin rrënjë në Malibu dhe Santa Barbara, vendimi për t’u larguar u mor si familje gjatë pandemisë, në gusht të vitit 2020, në një kohë kur ai po punonte ende në filmin Avatar: The Way of Water, që u publikua në vitin 2022.

“Më vonë, kur ke fëmijë dhe familje, biseda duhet rishikuar pak. Por thamë: pas ‘Avatarit’, le ta bëjmë këtë”, ka thënë ai.

Cameron, i cili ka drejtuar edhe filma si “Titanic” dhe “Aliens”, ka thënë se Zelanda e Re kishte arritur ta eliminonte virusin dy herë.

“Herën e tretë, kur u shfaq një variant i ri ai depërtoi, por fatmirësisht, vendi kishte tashmë një shkallë vaksinimi prej 98 për qind. Kjo është arsyeja pse e dua Zelandën e Re. Njerëzit atje, në përgjithësi, janë të arsyeshëm, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, ku shkalla e vaksinimit ishte rreth 62 për qind dhe po bie – po shkon në drejtimin e gabuar”, ka thënë ai.

Regjisori ka shtuar edhe një pyetje retorike.

“Ku do të preferoje të jetoje? Në një vend që beson në shkencë, është i arsyeshëm dhe ku njerëzit bashkëpunojnë drejt një qëllimi të përbashkët? Apo në një vend ku njerëzit janë të përçarë, shumë të polarizuar, i kthejnë shpinën shkencës dhe do të ishin në kaos të plotë nëse do të shfaqej një tjetër pandemi?”, ka pyetur ai.

Gjatë bisedës, gazetari Graham Bensinger e përshkroi SHBA-në si “një vend fantastik për të jetuar”, por Cameron reagoi menjëherë duke e pyetur: “Vërtet?”

Në një moment tjetër, Bensinger ka përmendur bukuritë natyrore të Zelandës së Re, por Cameron e ka sqaruar qartë arsyen kryesore të zhvendosjes.

“Nuk jam aty për peizazhin. Jam aty për qetësinë mendore”, ka thënë ai.