Ylli i njohur i muzikës pop, Britney Spears, është falënderuese ndaj fansave të cilët i quan ushtarët e saj besnik.
Të hënën, këngëtarja i shfrytëzoi rrjetet sociale për t’i falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur lëvizjen #FreeBritney dhe e kanë ndihmuar të lirohet nga kujdestaria ligjore e cila për 13-vjet ia kontrolloi çdo aspekt të jetës.
“Lëvizja #FreeBritney… nuk kam fjalë për t’iu falënderuar. Për shkak tuajin dhe këmbënguljes suaj të vazhdueshme për të më liruar nga kujdestaria ligjore, jeta ime ka marrë drejtim tjetër!!! Mbrëmë kam qarë për dy orë sepse i kam fansat më të mirë në botë, dhe unë e di këtë gjë. I ndjejë zemrat tuaja dhe e di që ju e ndjeni zemrën time… kjo gjë është e vërtetë”, ka shkruar 39-vjeçarja në postimin e saj në Instagram, ku shfaqet duke pozuar nën tingujt e këngës së Kanye Westit, “Fade”.
Fjalët vlerësuese të ikonës së muzikës pop për fansat vjen disa ditë pasi babai i këngëtares, Jamie Spears, u suspendua nga detyra e kujdestarit ligjorë të së bijës.
Lëvizja #FreeBritney u themelua në fillim të vitit 2019 pas spekulimeve online, se Britney po mbahej në një qendër të shëndetit mendor kundër vullnetit të saj. Më vonë, ylli i hitit “Lucky” e konfirmoi këtë gjë, gjatë dëshmisë të bujshme në gjykatë e cila zuri vend në muajin qershor.
Në gusht të vitit 2020 në një intervistë për “The Post”, babai i këngëtares i quajti mbështetësit e së bijës “teoricienë komploti”.
Ai deklaroi se i takon gjykatës së Kalifornisë të vendos se çfarë është më mirë për vajzën e tij, dhe kjo nuk është puna e askujt tjetër.
Edhe
Britney Spears arrestohet në Kaliforni, lirohet pas disa orësh
Britney Spears ishte në pushim me të fejuarin e saj, Sam Asghari, në momentin që gjykatësja e Gjykatës së Lartë të Los Angelesit, Brenda Penny, e mori vendimin se ishte në të mirë të këngëtares që babai i saj të largohej nga detyra e kujdestarit ligjorë.
Ndërkohë, gjatë fundjavës që e lamë pas, ylli i shpërblyer me “Gramy” u tregoi fansave se aktualisht po i jep përparësi kujdesit ndaj vetes, pas fitores së rëndësishme gjyqësore.
“Edhe pse ka ndryshime dhe gjëra për të festuar në jetën time, unë ende duhet të bëjë shumë për t’u shëruar. Fatmirësisht kam përreth vetes njerëz të mirë që më përkrahin, dhe kam vendosur të pushoj për ca kohë dhe të reflektoj për gjërat që janë të mira për mua”, kishte shkruar Spears.