Rajon

Përmbytje në Shqipëri – Pezullohet mësimi në Durrës e preken shumë hotele në Spille

Reshjet ne Shqiperi

Reshjet e dendura të shiut që nga e hëna kanë përfshirë edhe disa vende në Shqipëri. Më i prekuri aktualisht mbetet Durrësi. Niveli i ujit në këtë vend bregdetar ka arritur në 50 centimetra. Si pasojë mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave. Sipas Zyrës Vendore të Arsimit në Durrës, prindërit dhe mësuesit janë njoftuar që të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës.

Aktualisht 8 familje po evakuohen për shkak të përmbytjes së banesave, 3 prej të cilave nga Shijaku, raporton Top-Channel.

Uji pas reshjeve të dendura ka depërtuar edhe në burgun e Durrësit. Mediat në Shqipëri raportojnë se i gjithë kati i parë i burgut të Durrësit është nën ujë dhe të paraburgosurit janë zhvendosur në katet e sipërme.

Reshjet e dendura të shiut në Shqipëri dhe moti i keq kanë prekur edhe hotelerinë në Spille. Kjo erdhi si pasojë e kanalit kryesor që u bë këtë vit. Raportohet se kjo është hera e parë që ka ndodhur në këtë zonë.

Situatë e rënduar paraqitet dhe në autostradën Durrës-Tiranë. Disa automjete janë fikur për shkak të pranisë së lartë të ujit në disa segmente të këtij aksi rrugor. Problem mbeten edhe disa akse nacionale, konkretisht rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kam–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë, Bajram Curri–Valbonë si dhe aksi Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, ku ka prezencë uji dhe dëmtime të pjesshme të rrugës.

Edhe në Tiranë, reshjet e dendura të shiut dhe mbushja e rrugëve me ujë ka sjellë trafik të rënduar.

Situatë po ashtu problematike paraqitet në Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri). Rrugët mbeten pothuajse të pakalueshme në shumë lagje të qytetit.

Qarku Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ku gjatë 24 orëve të fundit ka rënë 96 mm shi, sipas të dhënave të Stacionit Meteorologjik Ushtarak. Situata ka shkaktuar rritje të niveleve të lumit Drin dhe Mat, si dhe përmbytje të tokave dhe oborreve në disa zona.

Ndërkohë, shumë rrugë rurale në të tri bashkitë e Qarkut të Kukësit janë dëmtuar si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati, duke izoluar përkohësisht disa zona.

Reshje shiu me intensitet të lartë kanë nisur edhe në Fier gjatë paradites së sotme, të shoqëruara me stuhi ere, por deri më tani nuk ka raportime për përmbytje apo dëme të shkaktuara nga moti i keq.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiu, për herë të parë në dy dekada është anuluar edhe ceremonia e hedhjes së Kryqit në detin Adriatik. Në orën 10:30, pas Bekimit të Ujit në kishë, ishte parashikuar që kryepiskopi të kryente procesin e hedhjes së kryqit në detin Adriatik në port, por për shkak të motit ky proces nuk do të bëhet.