Arbëri

Përmbytjet në Shkodër e Ulqin shkaktojnë dëme në dhjetëra shtëpi e në shkolla

Përmbytje

Reshjet intensive të shiut të rëna gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të së dielës përmbytën disa pjesë në Shkodër e Ulqin.

Vetëm në Vau të Dejës është konfirmuar se të paktën 100 shtëpi janë zhytur në ujë për shkak të daljes nga shtrati të lumit Glinë, ndërsa disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Fshatrat turistike si Razma dhe Boga në Shqipëri janë gjithashtu pa energji elektrike, raportoi “TCH”.

Dëme për shkak të reshjeve të dendura janë shkaktuar edhe mëtanë kufirit, në Ulqin. 

Një pjesë e gjimnazit publik “Vëllazërim – Bashkim” në këtë komunë është përmbytur, raportoi mediumi lokal “Teuta TV”.

Nga drejtoria e shkollës kanë njoftuar se situata është ndjekur që nga orët e para të mëngjesit, por për shkak të gjendjes alarmante në të gjithë qytetin, ndërhyrjet kanë qenë të kufizuara. Të gjitha shërbimet kompetente janë njoftuar dhe pritet të përfshihen në pastrimin dhe sanimin e dëmeve.