Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Mësimi nis në shumicën e komunave, hapen thirrje për aplikim për dëmet nga përmbytjet

Pas përmirësimit të motit dhe qetësimit të situatës së krijuar nga vërshimet, nxënësit në shumicën e komunave të Kosovës janë kthyer në bankat shkollore, duke nisur gjysmëvjetorin e dytë të procesit mësimor. Por, në tri komuna mësimi është shtyrë për shkak të dëmeve, mungesës së ngrohjes dhe vështirësive në qarkullim. Mësimi u shty edhe në disa fshatra të komunave të tjera, shkaku i mungesës së ngrohjes.

Nxënësit në shumicën e komunave të Kosovës u janë rikthyer bankave shkollore, pas përmirësimit të motit dhe qetësimit të situatës nga vërshimet.

Por në Komunën e Fushë-Kosovës mësimi do të fillojë me një javë vonesë, shkaku i vërshimeve që kanë ndodhur javën që e lamë pas dhe mungesës së ngrohjes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vonesa dyditore do të ketë edhe në Komunën e Malishevës dhe atë të Drenasit, por edhe në disa fshatra të komunave të tjera të prekura nga vërshimet.

Ministrja në detyrë, e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin “Sot” në KTV ka thënë se shtyrja e mësimit në këto komuna ka qenë shkak i vështirësive në qarkullim dhe problemi me ngrohje në shkolla.

“Në Drenas dhe Malishevë fillon më 14 janar, pas dy ditësh, kjo kryesisht për shkak të problemeve me infrastrukturën rrugore shkaku i vërshimeve dhe ngricave, e mungesës së ujit të pijes. E në Fushë-Kosovë mësimi do të fillojë më 19 janar, aty mësimi është shtyrë për shkak të mungesës së furnizimit të shkollave me ngrohje qendrore. Në komunat e tjera në bazë të raportimit që kemi pasur mbrëmë e sot në mëngjes, kryesisht ka filluar mësimi”, ka bërë të ditur Nagavci.

Ministrja në detyrë ka njoftuar se orët e humbura do të zëvendësohen për të mos pasur ngecje në realizimin e planprogramit.

Gjysmëvjetori i dytë i mësimit ishte planifikuar të fillonte më 8 janar.  

Por, pas vërshimeve të javës së kaluar, Ministria e Arsimit e shtyu nisjen për 12 janar.

Përmbytjet e fundit shkaktuan dëme të mëdha në shtëpi, biznese e toka bujqësore, por edhe në dëmtim të rrugëve dhe urave.

Komunat e prekura tashmë kanë hapur thirrjen për aplikim të qytetarëve për dëmet e shkaktuara.

E viteve të fundit Kosova është përballur me përmbytje të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale. Komunat më të prekura në atë kohë ishin Skenderaj, Istogu, Klina dhe Mitrovica e Jugut.

Por, nuk ka të dhëna zyrtare nga niveli qendror lidhur me vlerën e dëmeve të shkaktuara dhe nëse ato janë kompensuar.

Por, sipas të dhënave të komunave në atë kohë, vlera e përgjithshme e dëmeve vlerësohej rreth 26 milionë euro.

Qeveria në tetor të 2023-tës kishte ndarë 9 milionë euro për të ndihmuar komunat e prekura nga vërshimet që kishin ndodhur në shtator të 2022-tës dhe janar të 2023-tës.