Arbëri

Në Drenas shtyhet fillimi i procesit mësimor deri të mërkurën

Drenas - shkolla Fehmi Lladrovci

Komuna e Drenasit ka bërë të ditur se ka shtyrë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor deri të mërkurën. 

Vendimi është marrë për shkak të rrethanave të krijuara nga vërshimet, bora ngricat dhe mungesa e ujit të pijës, ka njoftuar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një postim në Facebook.

Gjysmëvjetori i dytë në Drenas do të nisë më 14 janar. 

“Për shkak të rrethanave të krijuara nga vërshimet, bora, ngricat dhe mungesa e ujit të pijes në disa pjesë të komunës, Kryetari i Komunës së Drenasit ka marrë vendim që të pezullohet vijimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor dhe shkollor. Procesi mësimor shtyhet deri të mërkurën, më 14.01.2026. Ky vendim është marrë me qëllim të ruajtjes së sigurisë së nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit arsimor. Komuna e Drenasit do të vazhdojë të njoftojë me kohë për çdo zhvillim të ri. Faleminderit për mirëkuptim dhe bashkëpunim”, ka njoftuar Komuna e Drenasit. 

Fillimi i procesit mësimor është shtyrë deri të hënën e ardhshme në Fushë-Kosovë, ndërsa është shtyrë për dy ditë në Malishevë. 

Gjysmëvjetori i dytë ishte paraparë të niste të enjten e kaluar, por Ministria e Arsimit vendosi ta shtyjë fillimin deri të hënën për shkak të vështirësive të krijuara nga vërshimet.