PDK-ja synon që gjatë muajit dhjetor ta procedojë dhe ta miratojë në Kuvend nismën e re ligjore, me të cilën synohet t’i kufizohet mandati Gjykatës Speciale. Ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se drafti është finalizuar, e po ashtu edhe strategjia shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Speciales
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë të enjten se para dy ditësh ka pranuar draftin e ri të ligjit me të cilin synohet që të kufizohet mandati i Gjykatës Speciale.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se ky draft u është prezantuar edhe anëtarëve të Grupit Punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Speciales, që do të zhvillohen pas dënimit në shkallë të parë të katër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
“Para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, të hartuar dhe të harmonizuar nga ekspertë juridikë. Dje në mbledhjen e radhës të Grupit Strategjik ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit”, ka thënë Çitaku. “Qëllimi i iniciativës sonë mbetet i pandryshuar: të garantojmë një proces të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë, me mbikëqyrje institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit. Në asnjë moment nuk kemi synuar t’i ikim drejtësisë apo ta pengojmë atë. Përkundrazi, kërkojmë që drejtësia të ushtrohet në përputhje me parimet mbi të cilat ajo vetë është ndërtuar”.
Si nënkryetare e Kuvendit, Çitaku është edhe anëtare e grupit punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit. Ajo ka njoftuar se në këtë grup është miratuar edhe strategjia për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Dje në mbledhjen e Grupit strategjik, kemi miratuar strategjinë për mbrojtjen e çlirimtarëve në Apel. Kjo strategji është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Tashmë kemi një dokument të përbashkët mbi bazën e të cilit shteti i Kosovës do të organizojë angazhimin e tij në këtë proces”, ka thënë ajo.
E, tek ka folur për projektligjin e ri, Çitaku ka thënë se do të procedohet shumë shpejt në Kuvend dhe se synohet të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor.
Ajo e ka quajtur të rëndësishëm unitetin politik e institucional që është arritur për çështjen që lidhet me mbrojtjen e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se fokusi për mbrojtjen e katër ish-krerëve të UÇK-së duhet të vendoset te hartimi i një strategjie, duke vlerësuar se nismat ligjore duhet të kenë efekt juridik dhe jo vetëm politik.
“Ne kemi thënë në vazhdimësi që fokusi do të duhej të vendosej te strategjia. Dhe pikërisht për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka themeluar grupin për strategjinë, për hartimin e strategjisë, i cili tashmë ka mbajtur disa takime dhe nga i cili do të dalë shumë shpejt, pra, strategjia për mbrojtjen e atyre që po mbahen padrejtësisht në Hagë, pra, në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Haxhiu.
Me iniciativë të PDK-së, ka kaluar në Kuvend në dy lexime ligji që synonte t’ia kufizonte mandatin Speciales. Por, me kërkesë të vetë PDK-së, presidentja nuk e firmosi dhe ai sërish i është kthyer Kuvendit. Më pas, Çitaku dhe kryeministri Albin Kurti kanë rënë dakord për nismë të re ligjore.
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, i cili e ka drejtuar për më shumë se dy dekada këtë parti dhe ka qenë edhe kryeministër, ka kritikuar veprimet e ndërmarra, pas miratimit të ligjit në të dyja leximet.
“Për sa i përket një ligji, është votuar në Parlamentin e Kosovës me një shumicë shumë të madhe, mbi njëqind deputetë. Tërheqja s’është në emrin tim, në emrin e Aleancës, pra nuk ka ndodhur. Kush e ka bërë tërheqjen, duhet ta marrë seriozisht këtë proces e ta mbyllë, pra ta rikthejë, ta votojë, përndryshe një zvarritje çfarë po ndodh është e turpshme dhe e dëmshme”, ka thënë Haradinaj.
Pas miratimit të ligjit, kanë reaguar zyrtarë të Bashkimit Evropian, sipas të cilëve Kosova nuk duhet larguar nga detyrimet ndërkombëtare që ka në raport me Gjykatën.
Mbrojtja e të Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit kanë paralajmëruar apelimin e aktgjykimit dënues, të dhënë në shkallë të parë. Autoritetet qeveritare kanë deklaruar se kanë miratuar kërkesat e mbrojtjes për koston financiare lidhur me këtë proces.