Moti i lig që ka mbretëruar ditëve të fundit në disa shtete të Evropës ka shkaktuar dëme të mëdha, e për pasojë së paku 6 persona janë konfirmuar të vdekur, derisa janë anuluar me qindra fluturime. Me vërshime po përballet edhe Shqipëria. Shumë familje janë detyruar të evakuohen nga zonat e prekura si Durrësi, Gjirokastra, Kukësi dhe Vlora
Reshjet e dendura të shiut që ranë në fillim të javës kanë shkaktuar vërshime edhe në rajon e më gjerë.
Situatë kritike është paraqitur në Shqipëri, ku qytetet më të goditura janë Gjirokastra dhe Durrësi.
Vërshimet kanë shkaktuar dëme në biznese, shtëpi e automjete. Sipas autoriteteve në Shqipëri, të paktën 800 banesa janë përmbytur në Durrës e mbi 300 persona janë detyruar të evakuohen.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se ekipet në terren po punojnë pa ndalur.
“Në zonën e Durrësit mbi 300 banorë janë trajtuar në kohë rekorde me akomodim, ushqim dhe kujdes shëndetësor në ambientet e konvaleshencës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, teksa ekipet e bashkisë, të emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura vijojnë punën për normalizimin e situatës në disa zona të qytetit. Bashkë dhe gati me çdo familje shqiptare në përballimin e pasojave të 48 orëve reshje intensive”, theksoi Vengu.
Disa fshatra të Bashkësisë së Kukësit mbetën të bllokuara si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjeve masive të dheut.
Rrëshqitjet e dheut bllokuan për disa orë edhe aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë.
E mot i lig po mbretëron edhe në Evropë. Bora, akulli dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar kaos në disa shtete, teksa deri më tani gjashtë persona janë konfirmuar të vdekur.
Aeroporti “Schiphol” i Amsterdamit, një nga më të mëdhenjtë në Evropë, ka njoftuar se të paktën 700 fluturime janë anuluar për shkak të borës dhe erës.
Më shumë se 1.000 njerëz e kaluan natën në “Schiphol”, kanë bërë të ditur nga aeroporti të mërkurën. Po ashtu janë vendosur shtretër kampingu dhe është ofruar mëngjes për udhëtarët e detyruar të flinin aty.
Rreth 100 fluturime janë anuluar edhe në aeroportin “Charles de Gaulle” të Parisit të mërkurën në mëngjes për shkak të reshjeve të borës dhe të ftohtit të madh, kurse 40 të tjera në |Orly”, aeroportin tjetër të kryeqytetit francez, ka bërë të ditur Ministria e Transportit e Francës.
Shërbimet publike të autobusëve në Paris dhe në zonat përreth janë pezulluar për shkak të rrugëve me akull, derisa shumica e sistemeve të metrosë po funksionojnë.