Aeroporti Schiphol i Amsterdamit, një nga më të mëdhenjtë në Evropë, ka njoftuar të paktën 700 anulime fluturimesh për shkak të borës dhe erës, pas ditësh ndërprerjesh të udhëtimit për shkak të motit.
Më shumë se 1,000 njerëz e kaluan natën në Schiphol, ka bërë të ditur aeroporti të mërkurën, duke shtuar se kishte ngritur shtretër kampingu dhe kishte ofruar mëngjes për udhëtarët e detyruar të flinin atje.
Numri i anulimeve pritet të rritet gjatë ditës të së mërkurës.
Bora, akulli dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar kaos në disa pjesë të Evropës këtë javë, teksa deri më tani gjashtë persona janë konfirmuar të vdekur.
Rreth 100 fluturime janë anuluar në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit të mërkurën në mëngjes për shkak të reshjeve të borës dhe të ftohtit të madh, dhe 40 të tjera janë anuluar në aeroportin Orly të kryeqytetit francez, ka bërë të ditur ministri francez i Transportit.
Shërbimet publike të autobusëve në Paris dhe periferitë përreth janë pezulluar për shkak të rrugëve të akullta, megjithëse shumica e sistemeve hekurudhore të metrosë dhe periferisë po funksionojnë, kanë thënë zyrtarët e transportit.