Një 54-vjeçar raportohet se është gjetur i vdekur në Durrës pasi u mor nga rrjedha e ujit në një kanal në afërsi të ish-repartit Ushtarak. Kjo është viktima e parë në Shqipëri si pasojë e vërshimeve pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit.
Sipas njoftimit të policisë, 54-vjeçari u gjet nga njësiti i policisë Renea, pasi ishte raportuar nga familjarët se ishte larguar nga banesa, raportojnë mediat në Shqipëri.
“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për largimin nga banesa të shtetasit A. H., 54 vjeç, informojmë se pas kërkimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe nga polumbarët e Reneas, u gjet trupi i pajetë i 54-vjeçarit, në një kanal kullues në afërsi të ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit. Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon në drejtimin e Prokurorisë, për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit”, thuhet në raportin e Policisë së Shqipërisë, siç raportojnë mediat atje.
Ndërkohë, rreth 500 persona janë evakuuar nga zonat e përmbytura në Skuth e Katund të Ri të Durrësit. Në disa segmente, uji ka kaluar mbi rrethojat e lumit, ndërsa në pika të tjera është konstatuar çarja e saj, duke vërshuar në rrugë e banesa dhe përmbytur zona të banuara dhe sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore.
Situata më kritike paraqitet në njësinë administrative Katund i Ri, konkretisht në fshatin Erzen, ku çarja e rrethojës përgjatë lumit ka detyruar autoritetet të ndërhyjnë për evakuimin e banorëve. Përmbytje janë evidentuar edhe në Fllakë, ndërsa në total janë përmbytur rreth 500 hektarë tokë bujqësore.
Ndërkohë, në Sukth, përmbytjet kanë prekur një pjesë të qytetit, kryesisht zonat pranë lumit Erzen duke sjellë vështirësi për banorët dhe probleme në qarkullim. Rreth 2000 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë në zonat e Sukthit, Hamallajt, Rrushkullit, Perlatit, Kullës dhe Vadardhës.
Ndërkaq problematike vijon situata dhe në lagjet periferike të Durrësit ku uji dhe pse po tërhiqet nga rrugët vazhdon të jetë i pranishëm në banesa.
Urdhër të evakuim i menjëhershëm është dhënë edhe për Vlorën e Fierin.