Investimi i shumëpërfolur në Zvërnec dhe debati për flamingot u bë temë jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Megjithatë, përpara se të flasim për reagimet e botës, duhet të pranojmë një të vërtetë të thjeshtë: pothuajse të gjitha vendet në zhvillim kërkojnë investime të huaja dhe krenohen me to. Edhe Shqipëria moderne është ndërtuar në masë të konsiderueshme mbi kapitalin e huaj. Durrësi, Saranda, Shëngjini dhe shumë qendra të tjera turistike nuk do të kishin pamjen e sotme pa investitorë që kanë ardhur nga vende, kultura, besime dhe orientime të ndryshme politike.
Më kujtohet Durrësi i qershorit të vitit 1991, kur e vizitova për herë të parë. Deti ishte po ai: i madh, bujar dhe frymëzues. Por përreth tij shihje njerëz të varfër, të lodhur nga propaganda dhe premtimet e pambajtura. U thuhej se jetonin në vendin më të pasur, ndërkohë që realiteti ishte krejt tjetër. Atëherë Shqipëria jetonte me slloganet se Vietnami do të fitojë dhe e përzuri Hans J. Strauss me thesin me 2 miliard DM, se Partia na ka dhuruar gjithçka. Sot rrezikojmë , nuk i duam investimet prej 4 miliard dollarësh. Apo na ndjek mendja e keqe, brez pas brezi?
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSot Shqipëria është ndryshe. Ka zhvillim, turizëm, investime dhe infrastrukturë më të avancuar. Megjithatë, lind pyetja nëse tranzicioni ka prodhuar një shoqëri më të drejtë. Sociologu Anthony Giddens e përshkruante Amerikën si një vend shumë të pasur, por me shumë të varfër. Statistikat tregojnë se ka 5 milionë të pastrehë. Në mënyrë të ngjashme, edhe në Shqipëri është krijuar një shtresë shumë e pasur në një kohë relativisht të shkurtër, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e popullsisë vazhdon të përballet me vështirësi ekonomike.
Pse disa arrijnë të grumbullojnë pasuri të mëdha, ndërsa shumica jo? Kjo është një pyetje që do ta shoqërojë për një kohë të gjatë debatin publik. Nuk ekziston një përgjigje që do t'i kënaqë të gjithë, sepse pabarazitë sociale kanë qenë dhe mbeten pjesë e çdo shoqërie njerëzore.
Protestat dhe trashëgimia e tranzicionit
Prej ditësh rrugët e Tiranës janë mbushur me protestues të pakënaqur. Ata shprehin zemërimin ndaj korrupsionit, problemeve në shëndetësi, arrogancës së elitave politike dhe mungesës së besimit tek institucionet. Por protestat nuk janë një fenomen i ri në Shqipëri. Historia moderne e vendit është e mbushur me slogane dhe mobilizime masive. Nga sloganet e periudhës komuniste, te idealizimi i vetëmbështetjes dhe refuzimi i ndihmës së huaj, e deri te demonstratat e tranzicionit, shoqëria shqiptare ka kaluar vazhdimisht nga entuziazmi te zhgënjimi.
Një kujtim personal nga qershori i vitit 1991 ilustron atmosferën e asaj kohe. Bashkë me maturantët e Gjimnazit të Tetovës udhëtuam në Durrës për të festuar mbrëmjen e maturës. Entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm. Por kur mbërritëm në hotel, u përballëm me një turmë qytetarësh të dëshpëruar që kërkonin të bëhen pjesë e mbrëmjes. I pyes se pse kanë ardhur në festën tonë? Thoshin se kanë ardhur ta mbrojnë hotelin nga të huajt, nga Kosovarët… Nuk kishim shpjegim se çka po ndodh dhe disa profesorë e nxënës kërkonim që të kthehemi në Tetovë. Artisti Fadil Hasa me dashamirësi donte që të na bën humor me shokët tij pa lekë . Turma nuk lëshonte sallën e pritjes. Ishte një tablo e qartë e një shoqërie që po dilte nga izolimi dhe po hynte në pasigurinë e tranzicionit. Kjo ishte turma e dëshpëruar.
Sot kufijtë janë të hapur, mundësitë janë më të mëdha dhe Shqipëria është pjesë e proceseve ndërkombëtare. Megjithatë, disa prej refleksioneve ideologjike të së kaluarës vazhdojnë të mbijetojnë. Herë pas here ringjallen narrativa që ndajnë shoqërinë në të pasur dhe të varfër, në miq dhe armiq, duke rikthyer një frymë polarizimi që vendi e ka vuajtur gjatë.
Zemërimi popullor dhe kriza e lidershipit
Në çdo vend demokratik ka korrupsion, pakënaqësi dhe akuza për arrogancë të pushtetit. Në Maqedoninë e Veriut kritikohet qeveria e Mickoskit, në Kosovë ajo e Kurtit, në Serbi ajo e Vuçiqit, në Hungari ajo e Orbanit, në Sllovaki ajo e Ficos, në Turqi ajo e Erdoganit dhe në SHBA ajo e Trumpit. Shqipëria nuk përbën përjashtim. Në të gjithë vendet ka pakënaqësi. Edhe në gjithë botën ka flamingo, breshka deti, pelikanë. Ata nuk janë një specie që Shqipëria i ka pjellë dhe duhet vetëm ajo t’i mbrojë. Ata shkojnë e vijnë e ne mbetemi.
Megjithatë, problemi kryesor duket se lidhet me konsumimin e klasës politike. Edi Rama dhe Sali Berisha dominojnë jetën politike shqiptare prej më shumë se tri dekadash. Për një pjesë të madhe të qytetarëve, ata përfaqësojnë një epokë që po i afrohet fundit. Berisha mbart barrën e ngjarjeve të rënda të tranzicionit: krizën e vitit 1997, përplasjet politike, tragjedi të ndryshme dhe polarizimin e vazhdueshëm të shoqërisë. Nga ana tjetër, Rama, pas katër mandatesh si kryeministër, po përballet me konsumimin që sjell qëndrimi i gjatë në pushtet. Pra, Shqipëria ka nevojë për një brez të ri politik, i cili nuk bart konfliktet e viteve '90 dhe nuk është i ngarkuar me betejat personale të së kaluarës. Rama nuk mund të shkojë në burg si Berisha. Rama ka gabime, lëshime nga puna, qëndrimi i gjatë në politikë. Berisha ka vepra të dënueshme, me dhjeta të tilla.
Turma dhe psikologjia e protestës
Sociologu francez Gustave Le Bon, në veprën e tij “Psikologjia e Turmës”, argumenton se individi sillet ndryshe kur bëhet pjesë e një mase të madhe njerëzish. Brenda turmës humbet pjesërisht individualiteti dhe krijohet një vetëdije kolektive. Kjo shpjegon pse protestat mund të prodhojnë energji të jashtëzakonshme, por edhe pse ato mund të manipulohen lehtësisht. Në turmë, individi ndien se është më i fuqishëm, më pak i ekspozuar dhe më pak i kontrolluar nga normat e zakonshme shoqërore. Prandaj në shesh po përmenden gjëra që përmbajnë në vete kërcënim si që janë; burgu, plumbi, vrasja, linçimi etj.
Pikërisht për këtë arsye, protestat janë një instrument i rëndësishëm demokratik, por njëkohësisht bartin rrezikun e radikalizimit dhe të manipulimit nga aktorë të ndryshëm politikë apo të jashtëm.
Demokracia nuk ndërtohet vetëm në rrugë
Demokracia nuk mund të reduktohet vetëm në protesta dhe slogane. Në bulevard gjenden qytetarë të ndershëm, të rinj që kërkojnë të ardhme më të mirë, pensionistë të zhgënjyer dhe shtresa të ndryshme sociale. Por aty mund të jenë të pranishëm edhe individë që ndjekin interesa krejtësisht të tjera. Prandaj rruga nuk mund të zëvendësojë institucionet. Zgjidhja përfundimtare në demokraci mbetet vota e lirë dhe verdikti i qytetarëve.
Nëse grupet e pakënaqura dëshirojnë të ndryshojnë realitetin politik, ato duhet të organizohen, të krijojnë alternativa dhe të kenë Platformën e tyre politike, të shkruar, të kenë transparence dhe të dihet kush, cili, si, përse, dhe me cilët njerëz, mjete,..? Zvërneci është vetëm pretekst. Targeti është Rama. Por, unë ju them me plot bindje, se Rama është si Charles De Gaulle që erdhi kur iu desh më së shumti Francës , ai i është nevojitur Shqipërisë. Tani e tutje si duket më jo.
Si më tej? Këtu jemi, ku e kemi cakun?
Sheshi dhe sloganet duhet të kenë një cak, një pikësynim real. Shqipëria ka nevojë për një frymë të re politike. Ka nevojë për lidership që e sheh të ardhmen përtej konflikteve personale, përtej ndarjeve ideologjike dhe përtej logjikës së hakmarrjes politike në stilin se “Surelin e ke burg”. Vendi ka potencial të jashtëzakonshëm: bregdetin, turizmin, diasporën, energjinë e të rinjve dhe pozicionin strategjik. Por, zhvillimi nuk mund të ndërtohet mbi urrejtjen, konfliktin e përhershëm dhe kujtimet e pashëruara të tranzicionit. Mësimi më i rëndësishëm i viteve 1997 dhe i krizave të tjera politike është se anarkia nuk sjell zgjidhje. Shqipëria ka nevojë për reforma, institucione më të forta, zgjedhje të ndershme dhe elitë të re politike. Por elita e re politike, duhet të vijë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Pra e gjithë ajo turmë e bulevardit duhet të ketë një apo disa udhëheqës, duhet të ketë institucionet e sajë, fokusin e saj ideor dhe shumë me rëndësi është që të mos ketë fjalor të urrejtjes. Pa, nevojite që tani, fokus në dialog dhe formimin e institucionit parti politike . Nëse vazhdohet me turmën si që e përshkruan sociologu Gustave Le Bon, situata rrezikon të rrëshqet nga dora dhe të shkojmë drejt fishekzjarrëve dhe djegies së gomave. Hegeli thotë se anarkia është më e keqe se diktatura.
Padyshim se duhen forca të reja, lidership i ri. Vetëm atëherë vendi do të mund të çlirohet nga hijet e së kaluarës dhe të ecë me më shumë siguri drejt së ardhmes.
(Autori është profesor universitar)