Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbrojtja vazhdon deklaratat përfundimtare në lidhje me akuzat për administrim të drejtësisë

hashim thaci speciale

Avokati i Kuçit: ZPS-ja ndërtoi teorinë e saj mbi gabime në përkthim

1 muaj më parë / 11 sht 2026 16:23 Nga: Blendina Veliqi
Hajredin Kuçi

Alexander Admiral, avokat i Hajredin Kuçit, tha se Prokuroria ka ndërtuar teorinë e saj për Hajredin Kuçin mbi transkripta të përkthyera gabim dhe sipas tij versioni i korrigjuar dëshmon tjetër gjë.

Ai tha se Prokuroria ka hetuar Kuçin për më shumë se dy vjet duke kontrolluar shtëpinë e tij, telefonin, kompjuterin dhe mesazhet e tij. 

Ai tha se pas gjithë kësaj, provat e Prokurorisë mbështetën vetëm në një mesazh dhe në një bisedë e regjistruar pas të cilës asnjë dëshmitar nuk është kontaktuar dhe asgjë nuk është ndërmarrë si veprim.

Admiral tha se Prokuroria i ka thënë gjyqtarit të procedurës paraprake se Kuçi i kishte shkruar këto fjalë “Mik, ai të përgëzon për profesionalizimin, idetë e qarta, për vendin, luftën dhe guximin tënd! Bravo!”.

Sipas avokatit, me frazën “ai”, Prokuroria e ndërtoi teorinë e saj dhe në fjalën hyrëse kishte thënë që Kuçi i kishte përcjell përgëzimet e një personi të paemëruar duke shtuar se idetë e atij personi të paemëruar ishin të Fazliut.

“Kjo teori ishte e gabuar. Njësia e përkthimit tani ka dhënë përkthimin e duhur. Mesazhi lexon: Mik, ju përgëzoj unë (veta e parë). Z. Kuçi pra vetë. Nuk ka person të emëruar. Nuk ka mesazh nga askush”, tha Admiral.

Admiral tha se mbrojtja nuk e mohon faktin që është dërguar një mesazh por korrigjimi i përkthimit e ndryshon kuptimin e atij mesazhi.

“Hiqet pretendimi se z.Kuci ka shërbyer si lajmës. Gjithashtu nuk është më e vlefshme baza mbi të cilën është mbështetur Prokuroria për të thënë se ka pasur një plan më të gjerë për të ndërhyrë ndaj dëshmitarëve. Ky nuk është një ndryshim i vogël. Ndryshon kuptimin dhe peshën e mesazhit”, tha ai.

Admiral tha se ky mesazh ishte dërguar nga Kuçi tek Mustafa dhe se ky i fundit e kishte dhënë intervistën përpara se t’i dërgohej mesazhi.

 Sipas tij, deklaratat e Mutafës në Hagë ishin paraqitur në media dhe se Kuçi e pa se çfarë u tha dhe thjesht ia dërgoi dy fjali shokut të tij prej 30 vjetësh.

Avokati: Kërkojmë shpalljen të pafajshëm të Fazliut, të akuzuarit s’u intervistuan nga ZPS-ja

1 muaj më parë / 11 sht 2026 16:20 Nga: Blendina Veliqi
fadil fazliu

Avokati i Fadil Fazliut, David Young ka kërkuar shpalljen të pafajshëm të Fadil Fazliut.

“Kërkojë me respekt që verdikti në këtë rast të korrigjohet dhe të jetë në përputhje me detyrën publike që është pafajësia e z.Fazliu”, tha Young.

Ai tha se gjatë ngritjeve të akuzave në këtë çështje, Prokuroria nuk ka intervistuar asnjëherë të dyshuarit.

 “Pjesa më e madhe e këtyre personave, e këtyre të akuzuarve nuk janë intervistuar asnjëherë. Besoj që z.Kilaj mund të ketë qenë para shumë shumë vitesh por pjesa më e madhe e të akuzuarve nuk janë intervistuar asnjëherë nga Prokuroria. Pra, mund të nxjerrim deduktimin nga kjo që Prokuroria ka marrë qasjen strategjike për të mos i intervistuar ata. Për të mos i intervistuar këta persona lidhur me pretendimet dhe a është kjo mënyrë  e drejtë për të filluar hetimet ap ngritur akuzat?! Unë besoj që jo. Unë thgem qartësisht që nuk është kështu”, tha David Young.

Young parashtroi se Fadil Fazliu duhej të paktën që të intervistohej por atij nuk iu dha mundësia të thoshte atë që kishte për të thënë.

“Nga përvoja juaj e gjerë i nderuar gjykatës ju e dini që normalisht ju jepet prokurorëve dhe hetuesve mundësia për pyetjet që do i bëjnë dëshmitarit për pretendimet dhe lidhur me provat. Në të njëjtën mënyrë, intervista I jep mundësinë të dyshuarit që të jep përgjigjet e tij ndaj pretendimeve që ngrihen kundër tij. Ndonjëherë është mënyrë e mirë për të vërtetuar provat dhe për të verifikuar pretendimet dhe për të parë se si personi përgjigjet”, tha ai.

David Young tha se kjo është mënyrë e duhur për të verifikuar provat nga mënyra se si përgjigjet I dyshuari.

“Por pas intervistave, është praktikë e zakonshme për prokurorët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtarë që të marrin vendimin se nëse do të vazhdojnë më tej ndjekjen kundër të dyshuarit, të ngrenë akuza ndaj tij dhe kjo mund të varet nga ajo që është thënë gjatë intervistës apo jo”, tha ai.

Me kaq përfundoi fjalën përfundimtare mbrojtja e Fadil Fazliut për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Hajredin Kucit e përfaqësuar nga avokati Alexander Admiral.

Mbrojtja kërkon lirimin e Isni Kilajt

1 muaj më parë / 11 sht 2026 13:39 Nga: Blendina Veliqi
Isni Kilaj

Isni Kilaj

Mbrojtja e Isni Kilajt kërkoi lirimin e klientit të saj duke e quajtur si verdikti më i drejtë në këtë çështje.

Ian Edwards tha se Prokuroria sugjeron për Kilajn tri vjet burgim dhe sipas tyre është e papranueshme.

“Ky është sugjerim i pambështetëshëm dhe i papranueshëm. Është një propozim nga një zyrë që nuk ka logjikë të shëndoshë” 

Sipas avokatit, Prokuroria gjithmonë kërkon burgim më shumë se sa që është kufiri i lejuar.

“Edhe koha që ka kaluar në paraburgim është 50% më e lartë se dënimi duke e marrë parasysh se nuk ka ndonjë dëm konkret. Nuk ka asnjë arsye në këto rrethana pse edhe sikur ta shpalleni fajtor, pse duhet të qëndrojë sikur edhe një ditë të vetme në burgim edhe që është përtej dënimit maksimal për një vepër të tillë penale”, tha avokati.

Avokati iu drejtua gjyqtarit duke i thënë se Prokuroria nuk ka nxjerrë asnjë provë të vetme që të dilet me vendimin se duhet të jepet vendim fajësie.

 “I vetmi verdikt i drejtë në këtë rast është verdikti i pafajësisë”, tha ai. 

Përvec kësaj, avokati tha se i mbështetë parashtrimet e avokatit të Bashkim Smakajt sa i përket pabarazisë sa i përket sugjerimeve të Prokurorisë për lartësitë e dënimit.

“Unë i mbështes parashtrimet e z.Rees sa i përket pabarazisë dhe unë dua të iu them që për të njëjtat arsye vendosi me hezitim që t’i parashtrojë të njëjtat gjëra”.


Mbrojtja e Kilajt: Provat në të cilat mbështetet Prokuroria janë spekulime

Ian Edwuards i cili përfaqëson Isni Kilajn tha se nuk mund të thuhet se klienti i tij ka bërë ndonjë gjë për të ndihmuar Hashim Thaçin për të kryer veprën penale të tentativës për pengimin e drejtësisë.

“Në këtë çështje nuk mund të thuhet në mënyrë të arsyeshme se z.Kilaj ka bërë ndonjë gjë për të ndihmuar z. Thaçi në kryerjen e veprës penale të tentativës për pengim”.

Avokati i Kilajt tha se provat tregojnë se në këto zhvillime, ai nuk ka pasur ndonjë rol aktiv.

Sipas tij, këto prova nuk tregojnë se ai dha këshilla ose udhëzim dikujt se si të tentohet pengimi.

“Nuk ka asnjë provë që Kilaj ka krijuar kushtet apo ka hequr pengesat. Provat në qoftë se pranohen, tregojnë në qoftë se tregojnë diçka tregojnë një rol pasiv dhe reaktiv të z.Kilaj. Në mënyrë të ngjashme nuk mund të sugjerohet në mënyrë të arsyeshme se z.Kilaj ka dhënë këshillë, udhëzim kujtdo lidhur më mënyrën se si tentohet të pengohet. Në themi se është e kundërta. Natyrisht nuk ka premtime për të fshehur diçka sipas kuptimit të nenit 33 (2)”, tha ai.

Mbrojta tha se provat në të cilat mbështete Prokuroria lidhur me këtë çështje janë spekulime.

Ndërsa, për blloqet e shënimeve të Kilajt ose informacionet që u gjetën në letrat e grisura në mbeturina, avokati tha se e pranojnë që ishte informacion që ai nuk duhej ta kishte.

“E pranojmë që ky ishte informacion që ai nuk duhej ta kishte. Ishte informacion konfidencial por, thjeshtë fakti se e kishte në përdorim këtë material, në vetvete nuk përbën vepër penale”, tha ai.

Sipas mbrojtjes, këtë material, Kilaj mund ta ketë pasur në zotërim për ndonjë arsye të pafajshme.

“Prokuroria përpiqet të dal[ në deduksionin se thjesht zotërimi i një materiali është vepër penale sepse mund ta ketë pasur këtë material për arsye më të pafajshme, pikërisht për arsyet që i thanë në intervistën e 2 nëntorit”, tha ai. 

Edwards thotë se Prokuroria s’ka asnjë fakt se Kilaj ka kontaktuar ndonjë dëshmitar të çështjes për krime lufte.

Avokati: Kilajt i ka munguar synimi për të penguar drejtësinë

1 muaj më parë / 11 sht 2026 11:46 Nga: Blendina Veliqi
Isni Kilaj

Ian Edwuards i cili përfaqëson Isni Kilaj, që bashkë me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun e Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale që lidhen me pengim të drejtësisë në fjalën përfundimtare ka thënë se veprimet e klientit të tij tregojnë mungesën e synimit që të kryente vepra penale të administrimit të drejtësisë.

Ai shtoi se janë të qëndrimit se provat e Prokurorisë janë të pabaza ashtu siç kanë deklaruar  edhe në shkurt të 2026-ës.

“Provat e Prokurorisë ndaj Kilaljt mund të kenë një shanse tejet të vogël që të rezultojnë në shpalljen fajtor”, tha ai.

Ai shtoi se nuk pranojnë asnjë argument sa i përket incizimeve të fshehta që janë bërë.

“Ne nuk pranojmë asgjë sa i përket mbështetshmërisë së incizimeve të fshehta apo saktësisë së transkripteve të tyre”, tha ai.

Sipas avokatit, Kilaj nuk ka bërë asgjë pas vizitës tek Thaçin në Hagë. Ai shtoi se Kilaj nuk ka telefonuar dhe as nuk ka takuar asnjë dëshmitar.

Avokati tha se kjo tregon mungesën e synimit të Kilajt për të kryer veprën penale të pengimit.

“Gjithçka tjetër është baltë që Prokuroria po hedh në z.Kilaj me shpresën që një pjesë e kësaj balte ta baltosë atë”, tha ai.

Joe Holmes i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të Isni Kilajt tha se Prokuroria e akuzon Kilajn se ka rënë dakord për të bërë tentativë për pengim. Sipas tij, kjo nuk ka logjikë dhe nuk është as cilësim juridik i veprës penale.

“Marrëveshja për tentativë nuk përmbush standardet e marrëveshjes për vepër penale. Pra, marrëveshja kërkon synimin dhe njohurinë. Pra, kjo parashikohet në nenin 21 të Kodit Penal të Kosovës dhe sipas tij duhet të ketë synim të drejtpërdrejtë eventual. Nuk ka kuptim që të pretendohet të biesh dakord ose të kesh marrëveshje për të synuar për tentativë për të bërë diçka sepse marrëveshja për synim në vetvete, nuk ka kuptim”, tha ai.

Ai kritikoi edhe Prokurorinë duke thënë se ata nuk kanë shpjeguar se si funksionon baza ligjore që ata janë mbështetur në këtë çështje.

“z.Hafetz dje paradite iu kërkoi juve z.gjykatës që të merrni vendim fajësie duke u mbështetur në prova dhe në ligj. Megjithatë, për asnjë çast të vetëm ai nuk ka shpjeguar se si funksionon baza ligjore në këtë çështje”, tha ai.

“ZPS-së nuk duhet t’i bëhet favorizim për mosartikulimin e provave të veta në mënyrë të qartë dhe për mospërcaktimin në plotësi të bazës ligjore”, tha ai.

Holmes tha se dakordësia ose marrëveshja për tentativë për pengim nuk ka kuptim praktik duke shtuar se këtë e ka sqaruar edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Mbrojtja e Smakajt: Fjalët që u përdorën në vizitën me Thaçin nuk përbëjnë cenim të dëshmitareve ose drejtësisë

1 muaj më parë / 11 sht 2026 10:45 Nga: Blendina Veliqi
Bashkim Smakaj

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dhënia e fjalës përfundimtare nga ana e mbrojtjes në rastin në të cilin Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Mbrojtja e Bashkim Smakajt e përfaqësuar nga avokati Jonathan Elystan Rees filloi fjalën e tij duke kunderargumentuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me atë shprehjet e Smakajt dhe Thaçit që janë përdorur gjatë vizitave.

Ai tha se fjalët që janë përdorur gjatë kësaj vizite si “tregoi atij, thuaj atij, thjeshtësoja që të mos i përziej gjërat”, nuk përbëjnë element të veprës penale ashtu siç pretendon Prokuroria.

“Nuk ka lidhje fare ndërmjet këtyre fjalëve dhe komprometimit dhe hetimit efektiv të Prokurorisë apo sigurisë së dëshmitarëve. Pra janë jokonsitstente se udhëzimet e tilla që përgjigjet e tilla të jenë të shkurtra, të shprehen qartë janë udhëzimet të cilat jepen në mënyrë të përgjithshme dhe të zakonshme në të gjithë botën, në të gjitha ambientet e ngjashme… janë udhëzime që përdorën në mënyrë të zakonshme dhe janë fjalë të cilat nuk kanë lidhje me pretendimin e Prokurorisë së këto fjale përbejnë cenim të dëshmitarëve ose administrimin e drejtësisë”, tha ai.

Rees tha se edhe Bislim Zyrapi ndaj të cilin pretendohet se është ushtruar ndikim, i ka thënë Prokurorisë që nuk e kanë diskutuar dëshminë e tij me Smakajn.

Sipas Rees nuk ka asgjë që e ndalon me ligj takimet e tyre pasi Zyrapi dhe Smakaj janë shokë të vjetër.

Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kanë ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Thaçi në këtë proces gjyqësor përballet me tri akuza: për tentim, për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Ish-presidenti së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, janë në pritje të vendimit për rastin kryesor, që do të shpallet më 16 shtator.


Rees: Smakaj nuk dinte për ndonjë urdhër të gjykatës, nuk mund të dënohet për mosbindje ndaj saj

Gjatë argumenteve të veta, avokati i Bashkim Smakajt, Jonathan Elystan Rees tha se klienti i tij nuk e dinte se ka urdhër të gjykatës në rastin për krime lufte dhe si rrjedhojë nuk mund tët dënohet për vepra penale të mos bindjes ndaj gjykatës.

Ai tha se as të akuzuarit e tjerë nuk duhet të dënohen mbi këtë bazë kur nuk kanë qenë në dijeni.

“Të akuzuarit, z.Smakaj në veçanti nuk mund të dënohet me pretendimin që ai ka ndihmuar në mënyrë të qëllimshme për të mos iu bindur urdhrave të gjykatës sepse ai nuk ka qenë fare në dijeni të urdhrave të Gjykatës.

Tutje, ai shtoi se është e pabazë që Smakaj të shpallet fajtorë mbi këtë argument.

“Është e pamjaftueshme që të konstatohet fajësi për akuzën 13 dhe është e pabazë që të deklarohet fajtor z.Smakaj sepse nuk ekziston asnjë provë e Prokurorisë dhe asnjë detyrim ligjor që klienti im të jetë në dijeni për udhëzimet e punës dhe mënyrës së funksionimit të qendrave të paraburgimit e kështu me radhë sepse në vetvete mosbindja ndaj Gjykatës ka të bëjë me vendimin e gjykatës, me vendimin e formës së prerë, vendimet e niveleve të ndryshme të gjykatës dhe nuk ka të bëjë me udhëzimet e punës së DHSK-së”, tha ai.

Ndryshe, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit përmes vdieolidhjes. Thaçi nga Haga dhe të tjerët nga Kosova.

Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria ka përfunduar me deklaratën përfundimtare e cila kërkoi burgimin e të akuzuarve ndërsa mbrojtja e Thaçit kërkoi lirim.


Avokati kërkon lirimin e Smakajt dhe të të bashkakuzuarve të tjerë

Jonathan Elystan Rees, gjatë deklaratës përfundimtare ka kërkoi lirimin e Bashkim Smakajt dhe të të akuzuarve të tjerë.
“Ne parashtrojmë që duhet ta shpalleni të pafajshëm z.Smakaj dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë qoftë veçmas ose në mënyrë të përbashkët në bazë të shpjegimeve që dhashë tani”.
Rees shtoi se edhe elementi i fajësisë ose pafajësisë në këtë rast nuk janë trajtuar si duhet nga ana e Prokurorisë për të gjithë të akuzuarit.
“Unë nuk pajtohem me asnjë pikë sa i takon qëndrimit të Prokurorisë edhe për të akuzuarit e tjerë”, tha ai.
Rees shtoi se Smakaj asnjëherë nuk është dënuar më përpara, por sipas tij Prokuroria pretendon se mungesa e dënimeve të mëparshme nuk ka relevancë.
“ZPS-ja e kamuflon mungesën e dënimeve të mëparshme me çështjen shtesë të karakterit pozitiv ose të mirë. Unë dëshiroj që të them se nuk është e njëjta gjë. Mungesa e dënimeve të mëparshme njihet në mbarë botën dhe njihet si faktor që duhet të merret parasysh si faktor lehtësues për të akuzuarin. Por, është një element që duhet të merret parasysh dhe është praktikë e përgjithshme”, tha ai.
Sipas Rees, veprimet e Samakajt nuk përbëjnë pengim të drejtësisë dhe nuk ka pasur ndonjë efekt në të.