Luftarake

Kushte të zbehta e ëndrra të mëdha për boksierin e talentuar, Riad Isufi

Boks

Kushtet në sallën ku i zhvilluan stërvitjet klubi i boksit Trepça ’89 janë goxha të “zbehta”. Por kjo nuk e pengon Riad Isufin dhe shokët e tij që të japin maksimumin. E po ashtu që të ëndërrojnë gjëra të mëdha në boks.

Isufi vlerësohet njëri prej boksierëve më të talentuar në vend. Ende 16-vjeçar, ai tashmë ka dëshmuar se ka potencial për të ardhmen.

Ekipi i KOHËS ishte të shtunën në stërvitjen e klubit Trepça ‘89, që u zhvillua në sallën “Fatime Xhaka”, në afërsi të stadiumit “Riza Lushta”. Kjo sallë vështirë se i plotëson kushtet për stërvitje normale. Muret janë shumë të dëmtuara, parketi po ashtu, ndërsa shihet qartë se investimet mungojnë.

Në sallën që është prej më të vjetrave në qytetin e minatorëve, është i vendosur një ring, një tjetër ring i improvizuar dhe disa thasë boksi.

Në ambiente të tilla janë rritur e janë zhvilluar shumë e shumë boksierë që kanë shkruar histori. Histori të boksit shpresojnë të shkruajnë edhe Riad Isufi me shokë. Aktualisht Riadi është boksieri më i njohur në ekipin e trajnerit punëtor, Shemsedin Tahiri.

Një javë më parë Isufi impresionoi me paraqitje në turneun ndërkombëtar “Lah Nimani”. U shpall boksieri më i mirë vendor i turneut.

“Të shpallem boksieri më i mirë vendor në turneun ‘Lah Nimai’ është emocion i papërshkrueshëm. Është një ndjenjë shumë e mirë. Për këtë moment kam punuar shumë dhe do të vazhdoj të punoj ende për të gjitha garat që do t’i kem në të ardhmen”, tha Riad Isufi gjatë stërvitjes.

Ai iu përmbahet kërkesave e këshillave të trajnerit Shemsedin Tahiri, dikur prej boksierëve më të mirë në vend.

Në stërvitje janë edhe disa të rinj të tjerë, që po ashtu synojnë karrierë të suksesshme në sportin e vështirë të boksit.

Boksi në Kosovë është sport shumë i njohur dhe i pëlqyer. Por si sport i vështirë e shumë kërkues, jo shumë të rinj vendosin për karrierë në të.

Në Mitrovicë interesimi megjithatë është i kënaqshëm. Trajneri ikonik, Lah Nimani, e kishte nisur karrierën në Mitrovicë dhe më pas kishte shkruar histori te Prishtina. Mitrovica gjithnjë ka pasur boksierë cilësorë dhe me perspektivë. Kështu që Riadi është vetëm talenti i radhës.

“Sporti i boksit është shumë i rëndë, duhet të përgatitesh fuqishëm. Unë për të gjitha garat mundohem ta jap më të mirën, si në ushtrime po ashtu në meçe, me trajnerin tim Shemsedin Tahiri. Me punë, me vetëbesim, do t’i arrijmë të gjitha”, thotë i riu i talentuar.

Trajneri Shemsedin Tahiri është i kënaqur me rezultatet e deritashme të Riad Isufit. Por është po ashtu i vetëdijshëm që për të arritur gjëra të mëdha duhet edhe shumë punë e vullnet.

“Çdo punë e çdo trajneri është kënaqësi. Është kënaqësi që po shpërblehet mundi që kemi bërë me Riadin. Jemi përgatitur së bashku për gjashtë muaj për turneun ‘Lah Nimani’. Falë Zotit, puna të cilën e bëjmë me përkushtim po na shpërblehet”, ka thënë Tahiri.

Qendra multifunksionale sportive “OMNI Sport” në Mitrovicë është jashtë funksionit për shkak të dëmtimit gjatë vërshimeve të disa vjetëve më parë. Kjo ka bërë që shumë sportistë në Mitrovicë të kenë telashe për stërvitje. Ndër të tjera me infrastrukturë të papërshtatshme përballen boksierët e klubit Trepça ’89. Për mirëmbajtjen e sallës kujdesen vetë boksierët, tregon trajneri Tahiri.

Ai megjithatë nuk “fshihet” pas kushteve të vështira. E di që për suksese boksierët duhet të punojnë shumë dhe të tejkalojnë edhe telashet dhe vështirësitë.

Riadi dhe boksierët e tjerë të rinj duket se kanë vullnetin për punë. Trajneri Shemsedin Tahiri po ashtu.

Njëri prej sportistëve më të talentuar në vend është ende vetëm në fillim të karrierës. Dhe e di që për të arritur nivele serioze duhet të vazhdojë me punë të madhe, të kalojë pengesa dhe të mbajë kokën ulur. Salla jo e mirë mund t’i shërbejë si motiv shtesë.