Faqja zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos i ka kushtuar një shkrim tjetër Distria Krasniqit, pas triumfit të xhudistes kosovare në Grand Slamin e Parisit.
30-vjeçarja ka thënë se nuk sheh arsye që t’i jap fund karrierës.
“Stërvitjet e mira më mbajnë në formë. Jam po ashtu me fat pasi nuk kam pasur asnjë operacion. Ushtroj shumë dhe kam rezultatete të mëdha. Dhe të mos kem asnjë lëndim serioz gjatë këtij rrugëtimi, është shumë e rrallë. Jam mirënjohëse për këtë dhe kjo natyrisht se ka shumë ndikim në atë që jam në gjendje të vazhdoj”, ka thënë Krasniqi.
Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” janë synimi i madh i ardhshëm i Distrisë. Ka thënë se ndoshta do të mendojë të tërhiqet pas atyre Lojërave. Aktualisht po e shijon secilën garë dhe secilin kamp. Do të mundohet të nxjerr më të mirën nga dy-tre vjetët e fundit në nivelin elitar të xhudos.
Ajo ka të gjitha medaljet e mundshme, pos të artës botërore.
“Është një prej synimeve që të jem kampione e botës. Por nuk është synimi kryesor. Edhe nëse nuk do të bëhem asnjëherë kampione e botës, nuk është se do të jetë diçka e keqe. E kam fituar titullin te junioret, ndërsa titulli më i vlefshëm është ai olimpik”.
Një fitore ndaj japonezes Uta Abe, është po ashtu synim i vogël i Distrisë. Por ka thënë se nuk fokusohet shumë në këtë. Distria thekson se në ditën më të mirë mund të mposht të gjitha xhudistet dhe për këtë arsye kundërshtaren më të madhe e vlerëson veten e saj.
Merita të mëdha suksesit kulmor të deritashëm, Distria i lë bashkëpunimit shembullor me trajnerin Driton Kuka.
“Ekipi i trajnerëve ka ndikim shumë të madh. Jemi vend i vogël dhe në fillim nuk i kishim ato që të gjitha vendet e mëdha i kishin. Por kemi provuar të bëjmë rezultate me gjërat që kishim dhe ishte e vështirë. Tani është më mirë dhe vazhdojmë të kemi rezultate. Trajneri është pjesë e madhe e gjithë kësaj. Që kur kam nisur me xhudo e kam trajnerin e njëjtë. Raporti është më shumë si në familje se si i një sportisti e trajneri. Ndoshta kaloi më shumë kohë me të se me familjen”.
Ajo ka treguar “sekretin” e suksesit kulmor – disiplinë, vazhdimësi, punë e madhe.
“Puna e madhe gjithnjë shpërblehet”, thotë kampionia e xhudos.