Luftarake

Distria tregon pse iu gëzua më së shumti medaljes së fundit në Paris

Distria Krasniqi

Gjatë gjithë ditës së shtunë, Distria Krasniqi nuk shfaqi thuajse fare emocione. I rreshtoi katër fitore, duke përfshirë edhe atë në finale. Dhe vetëm pas fitores “ekspres” në finale të Grand Slamit në Paris, kërceu lartë në shenjë triumfi. Festoi me pasion dhe më pas festën e vazhdoi me trajnerin, kryemjeshtrin Driton Kuka.

Për Distrinë ishte medalja e nëntë në Grand Slamin e Parisit, që është garë shumë e madhe e xhudos. Katër prej medaljeve janë të arta.

Por xhudistja kosovare asnjërën prej tyre nuk e ka festuar më shumë se atë që e fitoi të shtunën.

“Çdo medalje është e rëndësishme dhe e veçantë. Por për këtë të fundit jam gëzuar më së shumti. Është më e lehtë të arrihet një rezultat e shumë më e vështirë që të përsëritet ai”, ka thënë Distria Krasniqi të hënën për KOHËN.

Ajo i përsërit suksese për shumë e shumë herë. Si xhudistja më e ranguar në botë, Distria është xhudistja për të cilën të gjitha të tjerat në kategorinë deri 52 kilogramë përgatiten për ta mposhtur.

Rrjedhimisht presioni tek ajo është më i madh se te të tjerat. Por ky lloj presioni po e dërgon gjithnjë e më lart xhudisten pejane.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë, por jam shumë e lumtur që ende jam në formën më të mirë. Po fitoj medalje në çdo garë ku po marr pjesë dhe kjo ka rëndësi të madhe”, ka theksuar Krasniqi.

Ajo ka medalje të artë e të argjendtë olimpike. Koleksioni i saj i medaljeve tashmë është i jashtëzakonshëm.

Në Paris, Distria nisi me fitore ndaj francezes Alicia Marques. Më pas, në një luftë të kujdesshme, e mposhti brazilianen Larissa Pimenta. Në gjysmëfinale e kishte sfidën më të madhe. Por e kaloi pa shumë telashe francezen e njohur, Amancine Buchard. Ndërkohë finalen me spanjollen Ariane Toro Soler e fitoi për vetëm 27 sekonda.

“Isha shumë e fokusuar gjatë gjithë ditës. Isha e vendosur të mos bëj gabime dhe të mos rrezikohem në asnjë luftë. Kemi vendosur për lufta të sigurta. Edhe për finale isha e përgatitur mentalisht që të jetë luftë e gjatë. Dhe isha maksimalisht e fokusuar që mos të bëj gabime. Por u krijua mundësia që lufta të përfundojë shumë shpejt, për 27 sekonda, dhe për këtë arsye jam gëzuar shumë. Ia dola të përfundoj një garë shumë të madhe në mënyrë shumë të mirë”, ka shtuar Krasniqi.

Vetëm pak legjenda të Francës kanë nëntë apo më shumë medalje në Grand Slamin e Parisit. Prej xhudisteve të huaja, Distria me shumë mundësi është e para që arrin këtë shifër.

“Nuk e di saktë situatën me medaljet e të tjerëve. Por e di që unë i kam nëntë, prej tyre katër të arta. Dhe kjo më bën shumë krenare”, ka theksuar sportistja më e mirë shqiptare.

Distria ndihet mirë në Paris. Në kryeqendrën e Francës e fitoi edhe medaljen e argjendtë olimpike në vitin 2024.

Atmosfera në arenën “Bercy”, ku mbahet Grand Slami, nuk mund të krahasohet me ansjë garë tjetër të xhudos.

“Grand Slami i Parisit është gara ime e preferuar. Është një prej garave më të forta të xhudos. Konkurrenca në kategorinë deri 52 kilogramë ishte shumë e madhe. Morën pjesë më të mirat. Ai gëzim në fund ishte për këtë arsye – që një garë kaq të madhe, me kaq shumë konkurrencë e përfundova pa u rrezikuar asnjëherë dhe me triumf prej 27 sekondash në finale”, ka thënë Distria Krasniqi.