Distria Krasniqi do të shkelë në tatami “të njohur”, kur të shtunën të dalë për të garuar në Grand Slamin e Parisit.
Si pak ndonjë xhudist tjetër, Distria i ka plot nëntë medalje në kryeqendrën e Francës. Tetë prej tyre i ka pikërisht në Grand Slamin e Parisit, që vlerësohet gara më e famshme e xhudos. Një tjetër, të argjendtë, e fitoi në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Ndonëse arena ku u mbajt gara e xhudos në Olimpiadën e Parisit nuk ishte ajo ku mbahet Grand Slami, atmosfera ishte e njëjtë – madhështore.
Grand Slami i Parisit mbahet në “Bercy Arena”, kurse zakonisht prezent janë mbi 15 mijë shikues. Këtë atmosferë, Distria së pari e përjetoi para plot 12 vjetësh. Në vitin 2014, në debutim, ishte renditur e pesta, që ishte plasman i jashtëzakonshëm për xhudisten e re. E pesta ishte edhe në vitin 2015, kurse në vitin 2016 nuk garoi.
Medaljen e parë në Grand Slamin e Parisit, Distria e fitoi në vitin 2017 – të bronztë. E treta ishte edhe në vitin 2018, kurse në vitin 2019 zuri vend në finale dhe përfundoi me medalje të argjendtë. Në vitin 2020, për herë të parë në Paris e fitoi të artën.
Në edicionin e vitit 2021, xhudistët e Kosovës nuk morën pjesë. Në vitin 2022, Distria sërish ishte e argjendtë, ndërsa në vitin 2023 e artë. Vazhdoi me të artë edhe në vitin 2024, kurse vjet fitoi medalje bronzi.
Tri të arta, në vitet 2020, 2023 e 2024, dy të argjendta, 2019 e 2022, dhe tri të bronzta, 2017, 2018, 2025, është bilanci i Distrisë në Grand Slamin më të njohur të xhudos.
Me shumë gjasë, Distria do ta fitojë medaljen e dhjetë në Paris, dhe të nëntën në Grand Slamin e Parisit, të shtunën.
Ajo është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë. Në xhiron e parë është e lirë, ndërsa në të dytën e pret fituesen e luftës mes Alicia Marquesit të Francës dhe Tereza Bodnarovas të Çekisë. Befasi do të ishte nëse Distria nuk fiton medalje.
Gjithsej në Paris garojnë 488 xhudistë nga 78 vende të ndryshme. Kosovën e përfaqësojnë edhe Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë, Fationa Kasapi në kategorinë 52 kilogramë, Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë, Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë dhe Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë. Të gjithë garojnë të shtunën.
Pretendentë për medalje llogariten edhe Laura e Akili, ndërsa rastin do ta kërkojnë edhe të tjerat.
“Është gara më e fortë e xhudos, pos Botërorit. Ne marrim pjesë gjithmonë për shkak të rëndësisë që ka. Synojmë paraqitje të mirë, si shumë herë deri më tani. Por fokusi im sivjet është tek Evropiani dhe Botërori, si dhe te fillimi i ciklit kualifikues për Lojërat Olimpike 2028. Cikli kualifikues fillon në qershor të këtij viti”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, kryemjeshtri Driton Kuka.