Kush mund ta ndalë Distria Krasniqin?. Kjo është pyetja që parashtron Federata Ndërkombëtare e Xhudos, një javë para se xhudistët elitarë të paraqiten në Grand Slamin e Parisit.
Gara më prestigjioze në xhudo, pa i llogaritur kampionatet botërore, evropiane dhe Lojërat Olimpike, nis në fundjavën e ardhshme. Luftërat do të zhvillohen më 7 dhe 8 shkurt.
Për dy ditë në Grand Slamin e Parisit do të garojnë 530 xhudistë nga 82 shtete.
Në të kaluarën, Kosova në këtë garë të madhe të xhudos ka pasur shumë sukses. Njësoj pritet të jetë edhe këtë edicion. IJF-ja e cilëson Krasniqin favorite për të fituar medalje në kategorinë deri në 52 kilogramë.
“Xhudistja kosovare vazhdon të shfaqë nivelin më të lartë dhe edhe një herë tjetër do të jetë favorite. Në letër, këtë kategori e kanë dominuar sportistët evropianë, me Masha Ballhausin e Gjermanisë, spanjollet Ariane Toro Soler dhe Ayumi Leiva Sanchez dhe francezja Amandine Buchard, të gjitha në garë. Buchard, në veçanti, do të përfitojë nga përkrahja e zjarrtë nga tribunat. Sportistja e vetme joevropiane, Kisumi Omori e Japonisë, është e nënta në listë, por renditja rrallë e tregon tregimin e plotë”, ka shkruar IJF-ja.
Distria ka dy medalje olimpike. Në lojërat olimpike “Tokio 2020”, Krasniqi fitoi medalje të artë, kurse në lojërat olimpike “Parisi 2024” fitoi medalje të argjendtë.
Xhudoja kosovare për kohë të gjatë ka shfaqur nivel të lartë. I tillë ishte edhe viti 2025 për nxënësit e Driton Kukës, të cilët fituan medalje në ngjarjet e mëdha.
Distria Krasniqi në vitin 2025 u dallua me medalje të argjendtë botërore e titull tjetër të Evropës, ndërsa vazhdon të jetë e para në ranglistën botërore të kategorisë deri 52 kilogramë, dhe e dyta në ranglistën e të gjithë xhudistëve në botë.
30-vjeçarja ka fituar vazhdimisht medalje në Grand Slamin e Parisit prej vitit 2017. Në kryeqendrën franceze nisi garimin në vitin 2014 dhe zuri vendin e pestë. Vendin e pestë e pati edhe në vitin 2015. Rritja e saj ishte graduale, ndërsa prej 2017-s u kthye me medalje.
Në vitet 2017 e 2018 fitoi medalje të bronzta, ndërsa në vitin 2019 u stolis me medalje të argjendtë. Në vitin 2020 e fitoi të artën për herë të parë. Një medalje të argjendtë e fitoi në vitin 2022, ndërsa e artë ishte në vitet 2023 dhe 2024. Vitin e kaluar e fitoi të bronztën në të famshmen, arenën “Bercy”.